Pikërisht në stinën e pranverës, ku të gjithë përpiqen të humbasin kilet e tepërta e të kenë një trup sa më perfekt për sezonin veror, nis dhe procesi i kequshqyerjes. Dietologët shprehen se të rinjtë janë ata që kanë më së shumti tendencën për të qenë në formë dhe fillojnë të mbajnë dieta drastike.
Nutricionistja Arlinda Garuci shprehet se të rinjtë duhet të heqin dorë nga këto lloj dietash, dhe nga ideja se mos të konsumuarit ushqim në sasinë e duhur do i dobësojë ata. Sipas saj, një dietë e tillë nuk funksionon, veçse sjell pasoja të rënda për shëndetin.
Garuci: “Dietat drastike të cilat nuk përmbajnë thuajse fare makronutrientët, pra kur kalohet e gjithë dita vetëm me një sallatë apo me një fileto pule për një kohë shumë të gjatë, krijojnë patjetër defiçenca në organizëm. Duke filluar që nga zemra, nga veshkat, anemia. Ka shumë persona që paraqiten tek ne pikërisht nga ndjekja e këtyre dietave drastike.”
Dietologia Anila Kalleshi rekomandon dietat e personalizuara.
Kalleshi: “Nëse merrni një hap të tillë, duhet të jetë patjetër një dietë e personalizuar dhe e balancuar, me gjithë mikronutrientët dhe makronutrientët që i nevojiten organizmit.”
Të ushqyerit shëndetshëm është një nga sfidat më të mëdha, e sidomos për të rinjtë të cilët janë më të prirur drejt ushqimit fast-food.
Kështu që ekspertë të fushës bëjnë apel që të mos luhet me shëndetin dhe e rëndësishme është të ndiqet një regjim ushqimor i rregullt.