Ndërsa zgjedhjet e 11 majit po afrojnë, kalkulimet kanë filluar për rezultatet apo projeksionet e mundshme.
Edhe video-postimet virtuale të kryeministrit Edi Rama dhe ironitë për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën janë një strategji politike me qëllime në funksion të votave duke bërë faktor njërin, dhe kundërvënia e tjetrit ndaj të djathtëve, për t’i përçarë.
Arian Galdini theksoi se Rama po përdor një nga postulatet elektorale të presidentit Donald Trump në presidencialet e para, më 2016: “Do e thajmë kënetën!”.
Postimet me Bashën ai i cilëson si një faktor, për të krijuar diversione politike brenda opozitës.
“Ajo që nuk është kapur si detaj i veçantë dhe nuk ka rënë në sy është fakti se Rama po përdor një nga parullat dhe postulatet e presidentit Donald Trumpqë përdori në zgjedhjet e vitit 2016: “Të thajmë kënetën!”.
Rama po bën një fushatë Trumpiste. Ai po bën një lojë bashkë me Sali Berishën në fushatën e tij. I leverdis kjo situatë, duke luajtur edhe me idenë e mbështetjes së SPAK. Listat e hapura janë përalla më e madhe e përhapur në demokraci. Imagjino se çfarë fusin në lista këta. Ai po luan me kundërshtarët që kanë rënë në kurthin e tij dhe tani po i përzien dhe nakatos. Ai zgjedh Lulin si ministër të opozitës, e ka thirrur në lojë, për të marrë parcelën e votave, në favorin e tij për të dëmtuar opozitën. Ndryshimi i vetëm është se Trump foli për “Deep State”, kurse Rama flet për ‘Deep Sale’ (për Sali Berishën)”, shprehet kreu i LRE-së.
Ndërsa ish-deputeti Halit Valteri nënvizoi kuotat e ulëta politike të Sali Berishës, si asnjëherë tjetër në këto tre dekada. Madje ai nënvizoi se rezultati me Ilir Metën në koalicion, do ishte më i dobët se i zgjedhjeve të vitit 2021.
“Rama e ka me kënetën, nuk e ka me partitë e vogla. Sali Berisha shqetësohet se nuk i përmendet emri nga Rama dhe ai ka hallin se nëse nuk i përmendet emri, do harrohet. Ai është sot në kuotat më të ulëta të tij. Berisha i ka përzënë shumë faktorë të djathtë, që i janë larguar. Ka larguar pjesën më të mirë të tij të djathtë dhe ka futur Ilir Metën, që të jep shumë më pak. Humbja e Berishës do jetë më e thellë. Berisha edhe në Tiranë në listën e sigurt nuk do i marri dot 12 mandatet”, konkludon ish-ligjvënësi edhe për një projeksion të mundshëm rezultati më 11 maj.
Deputeti Rezart Kthupi u shpreh se pavarësisht rezultatit të kësaj mazhorance, që mendon se nuk do e kalojë 70 mandatet, opozita do riformatohet, por PD fatkeqësisht do e mbajë drejtimin e opozitës.
“Mendoj se PS i merr apo s’i merr 70 apo 71 mandate. Por në të dy raste, opozita do reformohet pas 11 majit. Do ketë një formatim të opozitës pas zgjedhjeve. Por PD fatkeqësisht do e mbajë drejtimin e opozitës edhe nëse humbet”, thekson ai për Report Tv.
Lajmi kryesor:
‘Repolitix’/ Valteri: PS mbështet SPAK, Berisha përdori drejtësinë për mbrojtjen e Metës dhe vrasësve të 21 Janarit! Kthupi: OPDAT jep asistencë! Galdini: Politikanët shqiptarë, kukulla
A.Q/ReportTv.al
