Politikë

‘Repolitix’/ Valteri: PS mbështet SPAK, Berisha përdori drejtësinë për mbrojtjen e Metës dhe vrasësve të 21 Janarit! Kthupi: OPDAT jep asistencë! Galdini: Politikanët shqiptarë, kukulla

26 Mars, 21:56| Përditesimi: 27 Mars, 07:42

  • Share

Amerikanët nuk ikën asnjëherë nga Prokuroria e Posaçme dhe mbështetja e tyre ndaj reformës në drejtësi dhe konsulenca tek hetuesit shqiptarë do të vijojë. 

Ky ishte mendimi i të ftuarve të sotëm në panelin e ‘Repolitix’ në Report Tv, në lidhje me lajmin e ditës se ekspertët amerikanë të OPDAT ishin rikthyer në Shqipëri nga administrata e presidentit Donald Trump.

Në studio ishin të ftuar të moderatorit Denis Minga, ish-deputeti i PS dhe kandidat në këto zgjedhje të 11 majit, Halit Valteri, kreu i partisë LRE, Arian Galdini, analisti Endri Tafani dhe deputeti i ‘Djathtas 1912’, Rezart Kthupi.

“Nuk e kemi pasur kurrë merak çështjen e SPAK me ndërprerjen dhe rishikimin e fondeve. Nxitimi që bënë opozita dhe Berisha duke minuar reformën në drejtësi, me idenë u ndërprenë fondet, do e shkrijmë SPAK, apo ky punëtori që erdhi për t’i hequr non gratën, ishin ushqim për elektoratin. Këta oficerë dhe amerikanët nuk paguajnë rrogat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK e GJKKO, por vetëm trajnojnë, ndihmojnë në logjistikë, asistencë, e mbështetje. Mund të kenë dhënë udhëzime edhe për denoncimin e depozituar nga unë për lobimin e Ilir Metës, pra kanë asistuar. SPAK nuk preket nga administrata amerikane dhe as paguhet nga ata. Doli edhe një herë që goja e Berishës, që shquhet për baltosje, njollosje, shkatërrim, nuk dolën këtë herë të tilla. Administrata Trump ka rikthyer një grup punonjësish të administratës amerikane për reformën në drejtësi. Nuk ka ndryshuar asgjë”, u shpreh Valteri për Report Tv.

Më tej ai shtoi se PS e mbështet reformën në drejtësi dhe SPAK dhe do vijojë që t’ia japë këtë mbështetje, duke mos mbrojtur askënd që ka probleme me hetimet, sikurse ka bërë PD dikur. 

Madje kujtoi kohën kur Berisha vinte institucionet në shërbim të të akuzuarve të drejtësisë, si në rastin e Ilir Metës apo të akuzuarve të 21 Janarit.

“PS është mbështetëse e reformës në drejtësi, nuk bëhet mburojë e askujt që ka probleme me drejtësinë, kush ka probleme i është thënë që të përballet vetëme drejtësinë. Ne ndryshojmë nga këta se nuk merremi me emrat e përveçëm apo sulmojmë, por u themi kujtdo që të shkojë të përballet përpara ligjit. Sali Berisha kishte ministër Drejtësie që mbronte Ilir Metën, apo urdhëronte për të nxjerrë njerëzit e akuzuar për 21 Janarin”, nënvizoi ish-deputeti.

Deputeti Rezart Kthupi vuri në dukje se mazhoranca dhe Rama luajnë me dy sfonde në këtë situatë, edhe me njerëz të arrestuar dhe akuzuar, e në krahun tjetër me mbështetje ndaj drejtësisë, një lojë kjo 'me të dy krahët'.

“PS prodhon dy gjëra, dy efekte, prodhon zyrtarë që i çon në burg, prodhon edhe një reformë në drejtësi dhe e mbështet. Vetëm PS ka nxjerrë kaq njerëz që kanë probleme me drejtësinë. Rama për njerëzit e tij të arrestuar ka përgjegjësi morale, sepse duhet t’i kontrollojë ministrat e tij. Oficerët e OPDAT që kanë ardhur janë asistencë, japin mendime dhe është pozitive. Ata japin mbështetje dhe orientime për prokurorët. Kthimi i ekspertëve është një plus, ku ndoshta ka disa hetime që kanë nevojë për pak më shumë vëmendje. Informacionet e tyre i përcjellin te eprorët. Por ka edhe raste kur nuk thellohet hetimi dhe vetëm referohet, varet nga situata dhe çështja”, u shpreh ai.

Analisti Endri Tafani bëri një historik të OPDAT, teksa shpjegoi se ata drejtohen nga 3 institucione në SHBA dhe fondet e pagesës së tyre janë të ndara më tresh si financim. Por shpjegoi se misioni i tyre është mbledhja e informacionit për cenimin e sigurisë kombëtare.

“OPDAT është krijuar që nga 1991, që nga koha e Bushit të parë, në 40 vende të botës, i krijuar në kuadër të sigurisë kombëtare. Misionet shërbejnë për luftën kundër terrorit, krimit të organizuar, sigurisë dhe të tjera. Misioni i tyre ka kryesisht qëllim këshillimi, i jep mendim SPAK se si të veprojë, i jep ndihmë profesionale, sepse hetimet i bën prokuroria shqiptare. Misioni zyrtar ëhstë asistencë, raportimin e bëjnë në SHBA, se janë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë Amerikane, madje edhe fondet janë të ndara më tresh. Nëse dikush cenon sigurinë amerikane, atëherë OPDAT vihet në lëvizje nëpërmjet informacioneve që përcillen në tre institucionet amerikane", analizoi ai.

Arian Galdini u tregua ironik me ata që deklaronin se tani amerikanët ishin larguar nga SPAK, teksa theksoi se politikanët shqiptarë janë si “teatri i kukullave”.

“Nëse ka një vend ku ‘teatri ikukullave’ funksionon në mënyrën më të mirë, është Shqipëria. Këtu ka vetëm lojtarë pushteti, pra janë kukulla që lëvizen në hije. Unë kam qenë me idenë “PritPAK” kur u tha që ikën amerikanët nga SPAK. Nuk ka politikanë shqiptarë që mund t’i dalin amerikanëve apo që të cenojnë interesat e SHBA. Nuk ma ha mendja se ka këllqe ndonjë nga politikanët shqiptarë të përballet me amerikanët apo t’u dali kundër. Ekspertët e ardhur janë sy dhe vesh i Amerikës, janë versioni i shtetit amerikan këtu. Çdo gjë mbahet shënim. Ka raste dhe njoh disa prej tyre, kur në fillim dosja nuk është trajtuar siç duhet nga SPAK dhe më pas është rikthyer për t’u thelluar në hetime”, shprehet Galdini.

Ora 22:59
Galdini: Rama me parullën e Trump në 2016, ‘Do thaj kënetën’! Valteri: Berisha largoi të djathtët, me Metën rezultat më të dobët! Kthupi: Opozita do riformatohet pas 11 majit

 

Ndërsa zgjedhjet e 11 majit po afrojnë, kalkulimet kanë filluar për rezultatet apo projeksionet e mundshme.

Edhe video-postimet virtuale të kryeministrit Edi Rama dhe ironitë për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën janë një strategji politike me qëllime në funksion të votave duke bërë faktor njërin, dhe kundërvënia e tjetrit ndaj të djathtëve, për t’i përçarë.

Arian Galdini theksoi se Rama po përdor një nga postulatet elektorale të presidentit Donald Trump në presidencialet e para, më 2016: “Do e thajmë kënetën!”.

Postimet me Bashën ai i cilëson si një faktor, për të krijuar diversione politike brenda opozitës.

“Ajo që nuk është kapur si detaj i veçantë dhe nuk ka rënë në sy është fakti se Rama po përdor një nga parullat dhe postulatet e presidentit Donald Trumpqë përdori në zgjedhjet e vitit 2016: “Të thajmë kënetën!”.

Rama po bën një fushatë Trumpiste. Ai po bën një lojë bashkë me Sali Berishën në fushatën e tij. I leverdis kjo situatë, duke luajtur edhe me idenë e mbështetjes së SPAK. Listat e hapura janë përalla më e madhe e përhapur në demokraci. Imagjino se çfarë fusin në lista këta. Ai po luan me kundërshtarët që kanë rënë në kurthin e tij dhe tani po i përzien dhe nakatos. Ai zgjedh Lulin si ministër të opozitës, e ka thirrur në lojë, për të marrë parcelën e votave, në favorin e tij për të dëmtuar opozitën. Ndryshimi i vetëm është se Trump foli për “Deep State”, kurse Rama flet për ‘Deep Sale’ (për Sali Berishën)”, shprehet kreu i LRE-së.

Ndërsa ish-deputeti Halit Valteri nënvizoi kuotat e ulëta politike të Sali Berishës, si asnjëherë tjetër në këto tre dekada. Madje ai nënvizoi se rezultati me Ilir Metën në koalicion, do ishte më i dobët se i zgjedhjeve të vitit 2021.

“Rama e ka me kënetën, nuk e ka me partitë e vogla. Sali Berisha shqetësohet se nuk i përmendet emri nga Rama dhe ai ka hallin se nëse nuk i përmendet emri, do harrohet. Ai është sot në kuotat më të ulëta të tij. Berisha i ka përzënë shumë faktorë të djathtë, që i janë larguar. Ka larguar pjesën më të mirë të tij të djathtë dhe ka futur Ilir Metën, që të jep shumë më pak. Humbja e Berishës do jetë më e thellë. Berisha edhe në Tiranë në listën e sigurt nuk do i marri dot 12 mandatet”, konkludon ish-ligjvënësi edhe për një projeksion të mundshëm rezultati më 11 maj.

Deputeti Rezart Kthupi u shpreh se pavarësisht rezultatit të kësaj mazhorance, që mendon se nuk do e kalojë 70 mandatet, opozita do riformatohet, por PD fatkeqësisht do e mbajë drejtimin e opozitës.

“Mendoj se PS i merr apo s’i merr 70 apo 71 mandate. Por në të dy raste, opozita do reformohet pas 11 majit. Do ketë një formatim të opozitës pas zgjedhjeve. Por PD fatkeqësisht do e mbajë drejtimin e opozitës edhe nëse humbet”, thekson ai për Report Tv.

Ora 22:23
Dosja ‘Partizani’, Kthupi në Report Tv: Çështja do të kalojë për gjykim, juridikisht është e vështirë që GJKKO ta kthejë apo pushojë!

 

Çfarë do ndodhë me dosjen e aferës ‘Partizani”, ku i akuzuar është kreu i PD-së, Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenë dhe noterja e familjes.

A do e kalojë GJKKO për proces në themel apo do rikthejë çështjen për hetime të tjera, në seancën e parashikuar javën e parë të muajit prill (data 4). Seancat janë shtyrë disa herë, por SPAK kërkon që dosja të kalojë për gjykim.

Deputeti Rezart Kthupi, si jurist u shpreh se kjo dosje do të kalonte në proces gjyqësor dhe aty berisha do përballej me akuzën dhe do vendosej nëse do shpallej i fajshëm apo i pafajshëm.

Në aktet që ka çështja penale, ligjvënësi shpjegoi se është e vështirë që gjyqtarja e çështjes të vendosë rikthimin për hetim apo pushimin e saj.

“Dosja “Partizani” për mendimin tim do të shkojë për gjykim. Do diskutohet nëse provat janë të mjaftueshme për të shkuar në gjykim apo jo. Në gjendjen që është dosja GJKKO do e ketë të vështirë që të mos e kalojë apo pushojë. Ajo do kalojë për gjykim dhe aty pastaj është çështje tjetër nëse del i fajshëm apo i pafajshëm. E vështirë që gjykata ta rikthejë për hetime apo ta pushojë. Për gjyqtarin rezultati i llogjikshëm do ishte të kalojë për gjykim dhe ky është njëkohësisht edhe mendimi im profesional. Nëse kishte shpresë të vakët, kjo dosje do kalojë në proces, aty do përballet dhe do jetë në cilësinë e personit në gjykim, sikurse edhe Fatmir Mediu sot, pra do kemi 3 persona të opozitës si drejtues partish, që janë në cilësinë e të akuzuarit apo gjykuarit”, tha Kthupi.

Ora 22:15
Galdini ironizon Mediun: Është bërë si “Ministër Amerika”! Valteri: PD i ka paguar 5 mln euro, më vjen keq për Garon! Kthupi: Si çunat e lagjes! Tafani: S’është lobist 

Rikthimi i konsulentit të fushatës së PD-së për zgjedhjet e 11 majit dhe që Sali Berisha po e shet si lobist për heqje të ‘non gratës’ apo fitoren e zgjedhjeve, ishte një tjetër tematikë e trajtuar në studion e ‘Repolitix’.

Analisti Arian Galdini, duke marrë shkas nga video-postimi i fundit nga SHBA-të i Fatmir Mediut me Chriss LaCivita, duke lajmëruar rikthimin në Shqipëri pas informacioneve që kishte ikur, nuk e mungoi ironinë.

“Fatmir Mediu është bërë si “Minister Amerika”. Unë mendoj se do pritet me duartrokitje në aeroport dhe vetë Berisha do e presë me potokoll (ironizon). Nuk ka asnjë ndikim LaCivita as tek ndikimi në zgjedhje dhe as tek heqja e non gratës së Berishës. Ai mund të bëjë çfarë të dojë në amerikë për lobim, se është brenda strukturës, por në Shqipëri është e vështirë. Këta mercenarë vijnë si strategë, është e tmerrshme se si këta vijnë dhe të pastrojnë politikanët shqiptarë. Është njëlloj sikur të vijnë e të paketojnë paratë që vijnë erë”, tha ai.

Kurse ish-deputeti Halit Valteri tha se i vinte keq për zëdhënësen e Berishës tani që do rikthehej LaCivita. Ai dha edhe një lajm në lidhje me pagesën që PD i ka bërë atij si konsulent fushate apolobist. Është shifra 5 mln euro sipas tij, por që shumë shpejt do i duhet edhe ta deklarojnë, pasi ligji e kërkon.

“Më vjen keq për zonjën Floriana Garo që pas humbjes me Primaret do ketë një zhgënjim tjetër, pasi ai do e lëjë papunë si zëdhënës i PD. Unë u kënaqa shumë për videon e LaCivitas (ironizon). Mbi 5 mln euro ka paguar PD për LaCivita (5 mln euro ka syzet ai, ndërhyn Galdini). Kjo është një tallje me shqiptarët, se janë para të korrupsionit. LaCivita do të duhet ta deklarojë atë shumë parash, se pastaj do kemi situata si të Metës dhe të tjerët”, thotë ish-ligjvënësi.

Deputeti Rezart Kthupi shprehet se LaCivita nuk është lobist, por thjesht një konsulent, kurse për videon thotë se dukej si “takim i çunave të lagjes’.

“Asgjë s’më tregon video, m’u duk si një njeri që ndalon në rrugë dhe bën një video. Si çunat e lagjes që takohen në rrugë me të tjerë dhe bëjnë një filmim. Ai mund të ketë akses, por nuk ka peshë, nuk është lobist. Ai është amerikan, ai është një PR i mirë dhe vetëm kaq. Se do vijë ky dhe do ndërhyjë në zgjedhje apo për lobim në heqjen e non gratës, këto pastaj janë muhabete shqiptare”, shprehet Kthupi mes të tjerash.

Edhe analisti Endri Tafani ndau të njëjtin mendim, se LaCivita nuk është lobist në Shqipëri dhe shitet si i tillë për qëllime përfitimi.

“Ai është vetëm këshilltar fushate, imazh dhe konsulent dhe nuk mund të ndikojë në rezultat. Atij i jepet roli i lobistit, që nuk e ka, e ngatërrojnë kastile që të përfitojnë diçka”, thotë ai.

Galdini shton mendimin më tej:

“La Civita thjesht një imazh dhe mirazh, nuk është lobist dhe nuk ka pushtet për të hequr apo ndërhyrë. Por nëse ka një gjë në Amerikë, është se atje çështjet personale nuk ngatërrohen me ato shtetërore”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?