Të paktën 85 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite teksa prisnin kamionët me ndihma të OKB-së në veri të Gazës të dielën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza, ndërkohë që Izraeli ka dhënë urdhra të rinj evakuimi. Ministria shtoi se dhjetëra të tjerë janë plagosur. Ky është një nga rastet më të rënda për nga numri i viktimave, në serinë e sulmeve ndaj civilëve të cilët janë qëlluar për vdekje ndërsa merrnin ndihma humanitare, përfshirë 36 vetëm një ditë më parë. Po ashtu, gjashtë persona të tjerë janë vrarë pranë një pike tjetër ndihmash në jug të Gazës.
Ushtria izraelite deklaroi se trupat e saj kishin qëlluar në ajër për të paralajmëruar një turmë prej mijëra vetësh në veri të Gazës, duke pretenduar se përballeshin me një “kërcënim të menjëhershëm”. Sipas saj, të dhënat fillestare sugjerojnë se numri i viktimave të raportuara është i ekzagjeruar dhe se “sigurisht nuk synojmë kurrë me qëllim kamionët me ndihma humanitare”.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) tha se pak pasi një autokolonë me 25 kamionë ndihma ushqimore hyri në Gaza, u përball me “turma të mëdha njerëzish të uritur”, të cilët më pas u qëllua me armë zjarri.
“WFP dënon çdo akt dhune ndaj civilëve që kërkojnë ndihma humanitare. Kjo është plotësisht e papranueshme,” thuhet në deklaratën e organizatës.
Një zyrtar i Hamasit tha për agjencinë Reuters se grupi ishte i zemëruar për shkak të numrit në rritje të viktimave dhe krizës së urisë në Rripin e Gazës, duke shtuar se kjo situatë mund të rrezikojë seriozisht bisedimet për armëpushim që po zhvillohen në Katar.
Papa Leone bëri thirrje për t'i dhënë fund "barbarisë së luftës", ndërsa foli për dhimbjen e tij të thellë pas sulmit izraelit ndaj kishës së vetme katolike në Gaza. Tre persona vdiqën dhe disa u plagosën, përfshirë priftin.
"I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë ligjin humanitar dhe detyrimin për të mbrojtur civilët, si dhe ndalimin e ndëshkimit kolektiv, të përdorimit pa dallim të forcës dhe zhvendosjes me forcë të popullsisë", tha ai.
Uria po përshpejtohet
Pjesa më e madhe e Gazës është kthyer në një shkretëtirë pas më shumë se 21 muajsh lufte, dhe frika për një katastrofë urie po rritet. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë paralajmëruan se qindra njerëz mund të humbasin jetën së shpejti, pasi spitalet janë të mbushura me pacientë që vuajnë nga marramendja dhe rraskapitja për shkak të mungesës së ushqimit dhe ndërprerjes pothuajse totale të dërgesave të ndihmave.
“Paralajmërojmë se qindra njerëz, trupat e të cilëve janë tretur nga uria, janë në rrezik të vdekjes së menjëhershme,” thuhet në deklaratën e ministrisë së Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha gjithashtu të dielën se civilët po vdesin nga uria dhe kërkoi me urgjencë një furnizim të madh me ndihma humanitare.
Papa Françesku bëri thirrje për t’i dhënë fund “barbarisë së luftës”, ndërsa shprehu dhimbjen e thellë për shkak të një sulmi izraelit që goditi të vetmen kishë katolike në Gaza, ku u vranë tre persona të enjten.
Banorët e Gazës thanë se është bërë praktikisht e pamundur të gjejnë ushqime bazë, si mielli. Ministria e Shëndetësisë tha se të paktën 71 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja që prej fillimit të luftës, ndërsa 60 mijë të tjerë po vuajnë nga simptomat e saj. Sot autoritetet shëndetësore njoftuan se 18 persona kishin vdekur nga uria vetëm në 24 orët e fundit.
Çmimet e ushqimeve janë rritur përtej mundësive të pjesës më të madhe të popullsisë, e cila numëron mbi dy milionë banorë.
Disa qytetarë që folën për agjencinë Reuters përmes aplikacioneve të komunikimit thanë se kishin ngrënë vetëm një vakt ose asnjë gjatë 24 orëve të fundit.
“Si baba, zgjohem herët në mëngjes për të kërkuar ushqim, qoftë edhe një copë bukë për pesë fëmijët e mi, por pa sukses,” tha Ziad, një infermier.
“Njerëzit që nuk vriten nga bombat, do të vdesin nga uria. Kërkojmë që kjo luftë të marrë fund tani, një armëpushim, qoftë edhe për dy muaj,” u shpreh ai.
Të tjerë thanë se ndiheshin të përgjumur dhe të lodhur kur ecin nëpër rrugë, dhe shumë persona rrëzohen për shkak të dobësisë. Baballarët largohen nga tendat vetëm për të shmangur pyetjet e fëmijëve se çfarë do të hanë.
UNRWA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, kërkoi nga Izraeli që të lejojë më shumë kamionë me ndihma të hyjnë në Gaza, duke theksuar se ka mjaftueshëm ushqim për të gjithë popullsinë për më shumë se tre muaj, por që nuk është lejuar të shpërndahet.
Ushtria izraelite deklaroi se e konsideron “jetike” futjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe se po punon për të mundësuar hyrjen e tyre në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
Bisedimet për armëpushim
Disa palestinezë sugjeruan se sulmet e fundit në Deir al-Balah mund të kenë si qëllim të ushtrojnë presion mbi Hamasin për të bërë më shumë lëshime në bisedimet e zgjatura për armëpushim.
Izraeli dhe Hamasi janë përfshirë në bisedime të tërthorta në Doha, me qëllim arritjen e një armëpushimi 60-ditor dhe marrëveshjes për lirimin e pengjeve, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë shenjë përparimi.
Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur militantë të udhëhequr nga Hamasi hynë në Izrael, vranë 1,200 persona dhe morën 251 pengje që i çuan në Gaza.
Që nga ajo kohë, sulmet izraelite në Gaza ka vrarë mbi 58,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore, ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë dhe e ka zhytur enklavën në një krizë të thellë humanitare.
Komente

Ky eshte izraeli! Harron dhimbjet qe ju shkaktoj hitleri e tani bejn eksperimente me Femijet e uritur palestines. Bota e verber thot BRAVO IZRAELI QE PO MBRON VETVETEN! Kjo bot ka vec ligesi e pabarazi
Përgjigju