Gazetari Adriatik Doçi në “Studio Live” në Report Tv ka zbardhur detaje nga skema që përdorte drejtori i ARRSH-së Evis Berberi me dy shokët e tij Valter Begaj dhe Elvis Lami, përmes shitjeve fiktive dhe pastrimit të parave për të vjedhur para publike.
“Janë 3 miq tre shokë të cilët më përpara kishin ngritur 3 kompani. Berberi, Begaj dhe Lami. Kompanitë kanë si objekt mbikëqyrjen e punimeve për rrugë e punët e bashkive. Në një moment Berberi hyn në nivele të larta të sektorit publik. Deri në krye të drejtorisë së rrugëve. Kompania ishte krijuar para se të merrte detyrën. Berberi bashkë me dy miqtë i posedonin këto kompani. Përpara se Berberi të përfshihej në administratën e lartë publike aty janë pastruar mbi 2.5 mln euro. Vis Berberi e ka marrë kompaninë për 800 mijë lekë, pastaj e ka shitur me vlerë 500 mijë euro te një shtetase maskë e këtyre transaksioneve, Brunilda Buli.
Zonja ia shet pastaj shokut të Berberit 1.7 mln euro. Këto lëvizje janë bërë në harkun kohor të disa muajve. Pastaj këto kompani ia shesin njëri tjetrit disa herë me çmime marramendëse e herë pa lekë. Pyetja që ngrihet: Nga buron burimi i parave për të justifikuar këto transaksione? A ka Brunilda Buli mundësi për të blerë 500 mijë euro këtë kompani. SPAK e ka gjetur burimin që kanë ardhur nga abuzime me tendera”, tha Doçi në një intervistë me gazetaren Alda Dodaj.
Valter Begaj, njeriu i Berberit, kishte edhe një firmë tjetër të quajtur ‘Net-Group’ shpk, e cila në periudhat kur Berberi ishte në pozicione drejtuese merrte tendera të majmë nga institucionet shtetërore. Sipas gazetarit “Net-Group” ka marrë deri në 250 tendera.
”Vis Berberi është në krye të drejtorisë së rrugëve. Net Group gjatë viteve të fundit ka marrë 250 tendera, shumicën nga bashkitë kryesisht për mbikëqyrje. 6 i ka marrë nga ARRSH që drejtohej nga Berberi. Ky është konflikt i hapur interesi. Dosja e SPAK është kopsitur. Tregohet si i kanë lëvizur paratë”, shtoi Doçi.
Për të zbardhur këtë aferë siç nënvizoi Doçi, SPAK ka ndjekur paratë.
“SPAK ka regjistruar një hetim dhe më pas ka ndjekur rrugën e parave. Për mua nuk i ka marrë shumë kohë. Nga mbledhja e informacioneve kërkoi një kohë të caktuar për të kopsitur një dosje”.
Por cili ka qenë roli i Brunilda Bulit? Doçi thotë se ajo ka qenë pjesë e skemës së pastrimit të parave.
“Brunilda Buli është lakuar në media para disa muajsh. Figuron si një maskë në një kohë të caktuar mes vijës së Berberit, Begajt dhe Lamit për shitblerjen e kompanive me njëri tjetrin. Duket se ka një rol sekondar të zbehtë. Ajo është e implikuar. Akuza e pastrimit parave rëndon mbi të. Sepse është implikuar në skemën e pastrimit të parave të Vis Berberit. I ka blerë kompaninë. E dyta ka ndihmuar dhe mikun e Vis Berberit të cilit ia ka shitur kompaninë me vlerë 1.7 mln euro. Pra është pjesë e skemës së pastrimit të parave.”
“Po ti hyjë SPAK deklarimeve të pasurisë dhe fakteve që publikohen e që mund të gjejë spak, gjysma e zyrtarëve publikë përfundojnë në burg, duhet të hapet një burg i ri. Këto të ardhura që Berberi i ka deklaruar me kontrata nuk janë deklaruar dhe nuk figurojnë në deklarimet e pasurisë. Ky është një tjetër element që rëndon pozitat e Berberit dhe SPAK mund të ngrejë dhe një akuzë tjetër", vijoi më tej.
“Drejtimi i drejtorisë së rrugëve që ka pushtet ekonomik e financiar sa disa ministri të marra bashkë kërkon mbështetje nga pas. Është cilësuar si drejtor i ministres Balluku, por këto janë interpretime politike dhe dyshime të caktuara për këto dhe ne duhet të ndalemi te faktet. Kemi të bëjmë me skemë shumë më të organizuar.
Krahas korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave, ndaj Berberit mund të ngrihet dhe akuza e fshehjes së pasurisë.
“KLSH ka audituar jo të gjithë rrugët por një pjesë dhe ka konstatuar se përpos abuzimit me fryerjen e fondit limit, përpos abuzimit nga mungesa e garës, ka patur abuzime dhe me zbatimin e kontratës. Kemi pasur devijim të projektit dhe certifikim të punimeve të pakryera. Janë para publike. Janë firmosur situacione për punë të pakryera dhe janë bërë pagesa për këto punë.”
Pyetje: Këtu kemi edhe tenderin për tunelin e Llogarasë që është marrë nga kompania e Berberit e lëshuar nga ministria e Infrastrukturës. Si lidhet Balluku me këtë?
“Është e njëjta skemë. ARRSH ka dhënë tendering për tunelin e Llogarasë. Është kontraktuar për të mbikqyrur punimet kompania Net Group e lidhur me Berberin. Nuk kam të dhënë nëse është abuzuar me volumin e punimeve me tunelin, por kjo lloj skeme dhe përkimi i të njëjtave personazhe në punë të mëdha publike ngre dyshime të forta për një organizim dhe skemë të dyshuar korruptive”, tha Doçi