TIRANË- Kompani ‘Gener 2’ e Bashkim Ulajt vijon të marrë tendera të dyshimtë pavarësisht skandalit me kompaninë Dh Albania me tenderin e Unazës së Madhe, e cila mashtroi duke pretenduar se ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunëell Haberman, kur në fakt dokumentet tregojne disa lidhje pikerisht me kompaninë ‘Gener 2’.
Ky i fundit jo vetëm i shpëtoi veprimit të drejtësisë, duke nxjerrë në skenë 28-vjeçarin anonim Avdjol Dobi, por vijon të marrë tendera me vlerë miliona euro nga degët e pushtetit qendror dhe vendor. Skandali i DH Abania, kur shpërtheu, tronditi qeverinë Rama dhe prodhoi shkarkimin e disa zyrtarëve. I vetmi që nuk pagoi asnjë kosto nga ai skandal, mesa duket është vetëm Bashkim Ulaj.
Pavarerisht lidhjeve te forta me ish kryeministrin Sali Berisha, Bashkim Ulaj u denunucua sot nga dega e Vlores së Partisë Demokratike pasi ka fituar nga Fondi Shqitar i Zhvillimit një tjetër tender të dyshimtë, me ofertë rreth 1.6 miliardë lekë të vjetra më tepër se oferta e kompanive të tjera, të përjashtuara si jo të ‘suksesshme’. Bëhet fjalë për tenderin e rikualifikimit urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, zona në drejtim të kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit, zhvilluar nga Fondit Shqiptar të Zhvillimit me në krye Dritan Agollin. Fondi limit për këtë projekt ishte 919’315’102, ndërsa ‘Gener 2’, e ka fituar tenderin për 698’150’210.94 lekë. FSHZH ka nxjerrë jashtë lojë kompanitë “Curri” Sh.p.k. dhe “Alba Konstruksion” me ofertë 542’052’437.49 lekë, pra me një diferencë prej 156’097’773.45 leke nga oferta e kompanisë së Bashkim Ulajt, denoncon PD.
Nisur nga ky fakt, Partia Demokratike, dega Vlorë, ka kallëzuar penalisht në SPAK kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Sipas PD-së, ‘Gener 2’ është shpallur në mëyrë të padrejtë dhe abuzive si fituese e këtij tenderi, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik fondeve publike të buxhetit të shtetit, pasi fitues duhej të shpallej bashkimi i kompanive me ofertën më të ulët.
PD i bën thirrje SPAK të veprojë, për të ndëshkuar shpërdorimin e hapur të fondeve publike për interesa klienteliste, në rastin konkret në favor të ‘Gener 2’. Kallëzimi i PD-së merr një tjetër peshë në kushtet kur, deri në vitin 2013, Bashkim Ulaj ka qenë një nga biznesmenit më afër Sali Berishës dhe për rrjedhojë një nga klientët solidë të qeverisë së PD-së.
‘Jam sot këtu, në emër të PD Vlorë, për të bërë publik, Kallzimin e Veprës Penale të parashikuar në Nenet 248-“Shpërdorimi i detyrës” dhe 258-“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” të Kodit Penal. Kallzimi, i është drejtuar Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, kundër Dritan Agollit, Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Kallzimi në fjalë është kryer në lidhje me procedurat e prokurimit për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, me vlerë të fondit limit 919’315’102.50 lekë pa TVSh. Nga faktet e shumta, të cilat i kemi referuar dhe në kallëzimin penal, rezulton se jemi përpara veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme, që passjellin përgjegjësi penale, në të paktën dy drejtime. Konkretisht:
(i) në skualifikimin në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim;
(ii) Pranimin dhe kualifikimin si të suksesshme të ofertës së bërë nga opertatori, në kundërshtim me kriterin e percaktuar në dokumentat standarte të tenderit.
Oferta në vlerën e 698’150’210.94 leke pa TVSh e shoqërisë “Gener 2” Sh.p.k. e identifikuar si oferta fituese, krahasuar me ofertën në vlerën prej 542’052’437.49 lekë të shoqërisë “Curri” Sh.p.k. & “Alba Konstruksion” Sh.p.k. ka një diferencë prej 156’097’773.45 lekë pa TVSH, ose e thënë ndryshe rreth 2 miliard lekë të vjetra më tepër.
Kjo diferencë është një shumë tepër e konsiderueshme duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik fondeve publike të buxhetit të shtetit. Partia Demokratike Vlorë shpreh gadishmërinë e plotë, për të mbështetur SPAK gjatë këtij hetimi, të bindur, ashtu si i gjithë opinioni publik që ka besim në SPAK, se ky institucion do të angazhohet seriozisht, për të ndalur shpërdorimin e hapur të fondeve publike për interesa klienteliste, në dëm të interesit publik.
Ne nuk jemi kundër investimeve në qytet, dhe i mirëpresim ato, por jemi kundër praktikave të përdorura në prokurimet publike, të cilat i rëndojnë buxhetit të shtetit dhe xhepave të taksapaguesve shqiptarë. Gjithashtu, Partia Demokratike Vlorë, është duke përgatitur një kallëzim penal drejtuar SPAK edhe për projektin që po zbatohet në zonën e Skelës, i cili rezulton se ka të njëjtat praktika ashtu si edhe për projektin e Sheshit të Flamurit.
Nuk jemi këtu për të bërë politikë, por për të bërë atë detyrë qytetare dhe institucionale, të cilën duhet ta bënte çdo shtetas, shoqëri civile apo institucion i pavarur, në mbrojtje të pasurisë të të gjithëve, e cila nuk mund të trajtohet e të jepet si një mall pa zot, në shërbim vetëm e vetëm të pasurimit të një grupi të vogël njerëzish. Ne i bëjmë thirrje opinionit publik dhe ndjeshmërisë qytetare vlonjate, që të jenë të vëmendshëm ndaj praktikave të tilla, për të parë përtej propagandës me imazhin që krijojnë investime të tilla, të cilat në të vërtet kryhen me një kosto shumë herë më të lartë nga sa nevojiteten me të vërtet! Ju faleminderit!’- thuhet në reagimin e PD-së.
Shume lek shune harxhe nga taksat. Sa mire do ishte te kishim nje rruge nga veriu ne jug, nje autostrade te hajrit. Keta ngelen me shto miell shto uje, dhe perseri rruget keq e mos me keq
Përgjigju