TIRANË- Shënohen 17 vite nga masakra e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec më 15 mars 2008.
Familjarët e viktimave kanë ende shpresë për drejtësi, me një proces gjyqësor të nisur kundrejt ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, por hetimet e SPAK ende nuk kanë shkuar tek përgjegjësit e vërtetë, ish-kryeministri Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha.
Procesi gjyqësor ndaj Mediut po zvarritet, me shumicën e seancave që kohët e fundit vetëm janë shtyrë, ndërkohë që ish-ministri po gjykokohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, duke mos formuluar asnjë akuzë të re apo bërë hetim të ri. Rikthyen një proces të cilës Mediu i kishte shpëtuar me procedurë shtatorin e vitit 2009, ditën kur ish-ministri kishte marrë mandatin e deputetit dhe tashmë kishte imunitet.
Roli i Shkëlzen Berishës
Për këtë proces, është pyetur edhe djali i Berishës, Paralelisht me procesin gjyqësor në GJKKO ndaj Mediut, SPAK ka hapur edhe një tjetër çështje për “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash” duke dhënë shpresë se përgjegjësit kryesorë do të dënohen, një hetim që do të çojë te përgjegjësia e Sali Berishës dhe djalit të tij, Shkëlzenit, emra të cilat dalin në shumë prova.
Ministrat e Berishës në krye të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi duket nga faktet se vepronin në diktimin e Shkëlzenit për të bërë letrat e biznesit me pasurinë publike, siç ishin municionet. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tabulatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Gjithashtu, pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i "Albademil" Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha.
Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenin përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaronte se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin.
Shkëlzen Berisha kishte lidhje të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me të gjithë personazhet që kanë realizuar aferën e Gërdecit. Kishte lidhje me Mihal Delijorgjin që kishte marrë përsipër përgatitjen e terrenit për demontimin e armëve në Gërdec, kishte lidhje përmes ‘vëllait’ të tij Rrahman Selmanllarin, me kompaninë amerikane SAC të Patrik Henrit që ishte kontraktuar për demontimin e armëve, si dhe del në përgjimet e Efraim Diverolit. Kompania “AEY”, blinte municione kineze në Shqipëri dhe u vendoste etiketa të tjera, për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë.
Sot askush në qeli dhe asnjë i dënuar për vrasje
17 vite nga Gërdeci, askush nuk është sot në qeli dhe askush nuk është i dënuar për vrasje nga 28 të pandehurit që morën dënime pranverën e 2012-s, 4 vite pas masakrës. Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve dhe drejtori i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet. Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm. Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, i cili është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Po ashtu, 10 vjet u dhanë dhe për Sokol Ngjecin, zyrtar i “Meico”-s. Për ish-kupolën e ushtrisë shqiptare, dënimi më i madh u dha për ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, me 6 vjet nga 8 të kërkuar nga Prokuroria, dy ishgjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dënuan njëri, Dashnor Caushi me tre vjet, ndërsa tjetri Shpëtim Spahiu me katër vjet, por me kusht. Për të tjerët, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim. Në total, Gjykata dha 94 vite burgim, gjoba dhe 9 të pandehur morën pafajësinë. Një vendim, i cili që në sallën e gjyqit provokoi acarimin e familjarëve të viktimave, të cilët e quajtën të turpshëm atë. Një pjesë e mirë të dënuarve përfituan nga shkurtimi i dënimit në Apel, përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe ulja më vonë e dënimit për “sjellje të mirë”.
Komente
