Gërmimet në hyrje të Parkut Arkeologjik të Amantias nga një ekip arkeologësh dhe restauratorësh, zbuluan një varr monumental. Ai mendohet të jetë përdorur për varrime në shekullin e parë dhe të dytë, ndërkohë ka nisur puna për ndërhyrje restauruese.
Një varr monumental, u zbulua në hyrje të territorit të Parkut Arkeologjik të Amantias, buzë të rrugës që lidh fshatrat Ploçë dhe Amonicë në Bashkinë Selenicë.
Varri u zbulua gjatë gërmimeve të një ekipi arkeologësh dhe restauratorësh të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, dhe nga rezultatet paraprake mendohet sa ai është përdorur për varrime nga shekulli i I deri në shek. II të erës sonë.
Brenda hapësirës së varrit monumental me blloqe guri, është ndërtuar një varr me muraturë tulle. Ajo që bie në sy është suvatimi i hapësirës së brendshme të dhomës së varrimit. Objektet e zbuluara janë kryesisht enë qeramike të fragmentuara, pak enë të plota, enë qelqi të fragmentuara, si dhe objekte metalike, ku një pjesë e madhe përbëhet nga gozhdë.
Ekzistenca e këtij varri, është pretenduar edhe gjatë gërmimeve arkeologjike të të realizuara në vitin 2020, kur u zbulua varri i parë monumental në atë territor.
Për shkak të nevojës, me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, në monument u bënë ndërhyrje restauruese, hapje të plotë e sipërfaqes për të mundësuar drenazhimin e ujërave që po e dëmtonin, si dhe studimin dhe dokumentimin e tij. Krahas këtyre masave paraprake të konservimit, po hartohet edhe një projekt restaurimi dhe muzealizimi për monumentin.
Sa here zbulohen varre te lashte, kronikat flasin per sendet qe u gjeten, por asnjehere per eshtrat. Shkenca ka avancuar aq shume se eshtrat kane po aq interes sa sendet, madje ndonjehere edhe me shume.
Përgjigju