Deputeti i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lefter Gështenja ka dalë në një konferencë për mediat nga kryesia e Kuendit ku bëri me dije se në muajin janar ka dorëzuar në parlament propozimet për ndryshime në ligjin për nënpunësin civil. Ai tha se me këto ndryshime do të bëhet e mundur që nënpunësit publikë të mos shantazhohen nga qeveria për të marrë pjesë në takime elektorale të mos jenë pjesë e platformave digjitale ku synohet të arrihet propaganda qeveritare.
“Këto propozime vijne pas nje pune tre mujore ne konsultim me eksperte te fushes, me punonjes te administrates publike si dhe me te gjithe faktoret dhe aktoret qe impaktohen nga ky projektligj. Propozimet synojnë të ndalojnë ligjërisht çdo mundësi,cdo tentativë të qeverisë apo të çdo strukture partiake, të detyrojnë punonjësit dhe nëpunësit publikë të shantazhohen për qëllime politike.
Keto dite në media është denoncuar skandali i platformës Aktiv1sti, ku më shumë se 70 mijë qytetarë, janë detyruar të regjistrohen dhe të përdoren vetëm për synime politike. Siç është bërë e ditur, shumica e tyre, janë punonjës të administratës, të cilëve u kërkohet që të jenë aktivë politikisht në këtë platformë.
Skandali nuk ka të bëjë vetëm me faktin se administrata po përdoret për të dhënë një imazh të rremë të mbështetjes politike ndaj qeverisë, por edhe me faktin, se permes këtij aplikacioni, të gjithë pperdoruesit humbasin privatesine, kontrollohen dhe monitorohen deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste”-tha Gështenja ndër të tjera.
Në ndryshimet e propozuara nga deputetët e PD përfshihet ndalimi i punonjësve të administratës për të shpërndarë apo komentuar në postime në përmbajtje politike si dhe ndalimi i krijimit të grupeve që kanë si qëllim shpërndarjen e përmbajtjeve politike.
“Neni 2 përmban ndalimin e punonjësve të administratës publike për të publikuar, reaguar, shpërndarë apo komentuar postime me përmbajtje politike. Po ashtu, punonjësve të administratës publike iu ndalohet detyrimi i punonjësve të tjerë, si dhe krijimi i grupeve me qëllim publikimin, reagimin, shpërndarjen apo komentimin në postime me përmbajtje politike. Në të kundërt, punonjësi mban përgjegjësi penale sipas nenit 328/a të Kodit Penal”-thuhet në ndryshimin e propozuar nga grupi parlamentar i PD.
Ditën e djeshme, Partia e Lirisë dhe Rithemelimi denoncuan përfshirjen e punonjësve të administratës publike, mes tyre edhe gjyqtarë, anëtarë të KLP dhe prokurorë të SPAK. Nëpërmjet një deklarate për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se me anë të aplikacionit ‘Aktivisti’, qeveria po kontrollonte të gjithë punonjësit e administratës publike dhe po i shantazhonte këta të fundit që të ndiqnin aktivitete elektorale.