Politikë

Gjekmarkaj: Kur qytetari zgjedh patronazhimin në vend të rebelimit, flamuri bëhet fërtele

8 Shtator 2022, 10:51| Përditesimi: 24 Shtator 2022, 08:21

  • Share

Ndërsa në Kuvend diskutohet akti normativ për simbolet kombëtare, deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj tha se flamuri kombëtar po “keqtrajtohet” nga personat që qeverisin duke dëmtuar qytetarët shqiptarë.

"Nuk janë aktet ligjore që ja mbrojnë dinjitetin Flamurit i cili shumë herë përdoret si tek romani i famshëm i Balzakut "Lëkura e Shagrenit" ose në shqip, e fundshpinës së gomarit me cilësi magjike për të realizuar dëshirat në rastin tonë të atyre që na qeverisin apo të tarafit ngjitë me ta, ku pas çdo dëshire të shprehur e të realizuar ajo ngushtohet, zvogëlohet, tretet derisa nuk mbetet më asgjë. Lëkura Flamur e Flamuri lëkurë! Por të dashur kolegë, kur Shqipëria keqqeveriset dhe korrupsioni është fjala magjike, Flamuri zvogëlohet. Sa herë mijëra shqiptarë ikin dhe vendi shpopullohet Flamuri mbushet me vrima. Kur zgjedhje pas zgjedhjesh të vjedhura demokracia shndërrohet në iluzion, Flamuri mbetet në gjysmë shtizë! Kur njerëzit vriten në plazh, në rrugë, në oborr shtëpie, në dyqan kur në vend te taksive sugjerohen autoblinda, kur krimi sundon policinë dhe vendos hegjemoninë, Flamuri shërben si mbulesë për arkivole shqiptarësh! Kur paraja publike merret për të pastruar mbeturinat nëpërmjet inceneratorëve por në fakt ndyn gjithë etiken publike me vjedhjen e tyre, Flamurit i humbet ngjyra dhe zbërdhulet, nuk ka lavatriçe që e kthen në fe. Kur rrogat dhe pensionet janë mizerabel, kur pulsimet e stomakut mundin ato të ndërgjegjes, kur rrogat e mësuesve dhe të pedagogëve janë më të ulëtat në Europë bashkë me buxhetin për arsimin, kur rrëmuja administrative e shtyn hapjen e Universiteteve në gjysmë të vjeshtës, kur shkollat ngjajnë si magazina, kur liria e medias kërcënohet, kur gjykata s’ka lirinë të japë vendime por mban peng opozitën, kur pushteti nuk kontrollohet më prej askujt e me asgjë , kur qytetari zgjedh patronazhimin para rebelimit Flamuri bëhet fërtele dhe himni kombëtar shndërrohet në simfoni! Por nëse model është politikani lokal e qendror , me barkun lodër e mendjen kodër, që blen diplomën dhe kultivon bejte për injorancën nën gromësima birre , kur me akraballëk merr votën dhe postin, kur djali a vajza e pasanikut të pa mund, me modelin e celularit a të makinës, me pijet e ditëlindjes apo fishekzjarrët e natës, vendos standardin, kur silikoni dhe bisturia rivalizojnë të bukurën, kur anarkia perceptohet si liri , kur tallavaja e hashashi në qoshe të pallatit në lagje apo në Londër janë adrenaline hyjnore , atij për Flamur kurrë s'do ti bjerë ndërmend. Me këtë ritëm fëmijët tanë do mësojnë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje, do të dinë emrin e Kryeministrit dhe ministrave po të asnjërit prej atyre që dhanë jetën që të kemi një Flamur! Përgjegjësia bie mbi ne të gjithë këtu, por shumë më tepër mbi Qeverinë e cila mungon gjithmonë në përjetësitë e veta por është prezent me Flamur në dorë duke rreshtuar justifikimet dhe akuzuar opozitën e cila po qeveris keq vendin dhe qeverinë", tha Gjekmarkaj.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Miratohen ndryshimet në buxhetin 2022 për paketën e dytë të rezistencës sociale! PS: Mbrojtje për qytetarët! Opozita: E pamjaftueshme


D.GJ//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?