Një ilaç që kushton lirë dhe që gjendet në sasi të mëdha, i quajtur Deksametason, mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës së pacientëve që janë në gjendje të rëndë nga infeksioni I koronavirusit.
Ekspertët britanikë thonë se kjo substancë e ul rrezikun nga vdekja për një të tretën te pacientët që janë duke u ndihmuar me ventilator.
Për pacientët që janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ilaçi e ul rrezikun e vdekjes për një të pestën.
Në studimin e kryer nga një ekip i Universitetit të Oksfordit, rreth 2,000 pacientë përdorën Deksametason dhe gjendja e tyre u krahasua me rreth 4,000 të tjerë, të cilët nuk e kishin përdorur këtë substancë.
Për pacientët që ishin duke u trajtuar me ventilator, ilaçi e zvogëloi rrezikun nga vdekja nga 28 në 40 për qind, ndërsa për pacientët e trajtuar me oksigjenoterapi, rreziku nga vdekja u ul nga 20 në 25 për qind.
Hulumtuesi Peter Horby, tha se “Ky është ilaçi i vetëm deri më tani që ka dëshmuar se e zvogëlon vdekshmërinë në masë të konsiderueshme”.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shëndetësia publike do të fillojë t'ua japë pacientëve duke filluar që sot, konfirmoi Ministri britanik Matt Hancock.
Fergus Walsh nga BBC thotë se "Ne duhet të festojmë pas këtij njoftimi, sepse miliona pacientë në të gjithë botën mund të gjenin përfitim të menjëhershëm dhe mbase do mbijetojnë.