Drejtuesi i Politik i PS-së në qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, zhvilloi sot një takim me sportistë e trajnerë të klubit “Flamurtari”. Të pranishëm në takim ishin edhe kandidatët për deputet Anduel Tahiraj, Laura Ferati dhe nënkryetari i Bashkisë së Vlorës Afrim Qendro.
Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri theksoi se ndryshimet transformuese që ka njohur Vlora, do të shoqërohen me vëmendjen e veçantë që do t’i kushtohet zhvillimit të sportit. Duke pranuar se mund dhe duhet të ishte bërë edhe më shumë për sportin në Vlorë, Gjiknuri premtoi se gjatë mandatit të tretë qeverisës, kjo panoramë do të ndryshojë plotësisht.
“Një projekt që mendoj se duhet ta shikojmë të gjithë sëbashku, e për të cilin unë do të marr rolin e liderit për të lobuar, është restaurimi i Pallatit të Sportit. Ka ardhur momenti që Pallati i Sportit kërkon një restaurim. Kryeministri Rama si një njeri që e di mirë atë që thashë, ekuilibrin mes të bukurës dhe sportit, jam i bindur se do ta kemi në krah për të na mbështetur në këtë drejtim. Vlora e meriton dhe Vlora ka mundësi të jashtëzakonshme. Si e mendojmë ne? Vlora po ndryshon e po bëhet qytet i bukur. Vlorës po i vijnë disa asete që as nuk i ka mendur kush. Është një vend që ka edhe detin edhe malin shumë afër. Kjo mund të japë mundësi për shumë sporte që mund të kenë edhe natyrë turistike por në fund të fundit janë aktivitete që ndihmojnë edhe qytetin, edhe rininë e këtij vendi.
Mos voto për parti por voto për një gjë të nisur që nuk duhet lënë në mes. Politikanët vijnë dhe ikin, ajo që mbetet është Vlora. Mundësitë për të transformuar Vlorën janë tani. Ato punë që kanë filluar ne nuk mund ti lëmë në mes. Jam i bindur se tek ky zhvillim i Vlorës do ta gjejë veten edhe sporti. Tek ajo pishina që po bëhet jam i bindur se Vlora mund të tërheqë edhe një kampionat noti. Do ketë 22 kilometër shëtitore nga Vlora në Orikum, një vend i mrekullueshëm qoftë për biçikletë qoftë për vrap. Jam i bindur se me këtë zhvillim dhe transformim të Vlorës dhe me këtë qasje që kemi nisur, me bashkëpunimin tuaj dhe me gjithë këto talente që ka Vlora ne na takon që të krijojmë më shumë mundësi”, tha Gjiknuri.
Lajmi kryesor:
Gjiknuri takim me banorët e Nartës: Refuzoni retorikën e dhunshme! Opozita bën thirrje për kryengritje, u ka mbetur mendja tek turbullirat
//ReportTv.al