Sali Berisha nuk tërhiqet nga “beteja që sapo ka filluar” për atë që e quajti farsa elektorale e 11 majit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulimin e tyre.
Në konferencën e sotme kreu i selisë blu u kap me qarkun e Tiranës, pasi PD-ADSHM ka dorëzuar edhe ankimimin për qarkun në KAS, duke theksuar se zgjedhjet në kryeqytet u morën peng nga bandat kriminale, duke akuzuar deri te “Dabullët, Serjanët dhe Shullazët”, si lidhje të PS-së.
Por nuk mungoi edhe gafa e radhës apo ‘lëmshi’ prej tij, teksa Serjanit nuk po i kujtonte do emrin dhe kërkoi ndihmën e asistentëve në sallë.
“...Në Tiranë operative ishin banda e Xhabaftëve, e dokumentuar dhe e paraqitur para jush këtu me të gjithë veprimtarinë terroriste elektorale. ‘Hakmarrja për drejtësi’ është një bandë me degën e saj të fuqishme në Tiranë, pavarësisht se tani për tani, qendrën e kanë në Lushnje dhe kanë zëvendësuar bandën e Aldo Bares. Me Dabullët, Shullazin, Serjanin, si e kishte emrin eai tjetri (e harron), Serjani ka mbiemrin, që morën peng zgjedhjet e Tiranës. Tirana ishte e mbërthyer në një darë krimi nga organizata kriminale, serial killera e banda. Flluskat që shpërndan nga dita në ditë demaskojnë dështimin e plotë të farsës elektorale”, tha Berisha.
Edhe pse e gjithë Evropa me 52 liderë zbriti në Tiranë dhe uroi jo vetëm virtualisht, por edhe fizikisht kryeministrin Rama për zgjedhjet e 11 majit, duke firmosur yllin e BE-së në Samit, Berisha tha se “askush prej tyre nuk po e uron”. Madje sipas tij, “zgjedhjet do i ngecin në fyt Ramës”.
“Ka shpërndarë ftesa të shumta për të marrë urime, por urime nuk i vijnë. Telefonata të shumta, por statuset nuk plotësohen, urimet nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq. PD deklaron se nuk e njeh kurrë këtë farsë elektorale, do njoftojë komunitetin ndërkombëtar se çfarë përfaqëson farsa elektorale e vitit 2025, më e dështuara në Evropë... Rama plasi që të marrë një urim! Kudo i çon deputetëve të huaj që të nisin një urim, i them edhe emrat, por nuk i them se respektoj privacinë, s'i vjen askush”, tha ai.
Kryetari i PD, i pyetur nga gazetarët, u shpreh se po përgatisin raport për zgjedhjet dhe do e dorëzojnë në të gjitha selitë diplomatike në Evropë dhe Botë apo vendet e BE-së.
“Do bëjmë raport përfundimtar dhe do ia dërgojmë të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe Këshillit Evropës, në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat, parlamentet, komisionet e jashtme, të drejtave të njeriut, OSBE-së. Ne do e paraqesim këtë raport në muajin qershor”, tha Berisha.
Sali Berisha iu rikthye edhe një herë kohëve të vjetra të rinisë së tij komuniste, teksa u shfaq nostalgjik në narrativën elektorale të asaj periudhe 'të artë', duke i sjellë në dinamikën politike të ditëve aktuale për 11 majin.
I pyetur nga gazetarët përse mendonte se këto zgjedhje ishin farsë dhe provat që dispononte PD-ja, teksa përpiqej të argumentonte se ai po lufton me të gjithë botën për ta faktuar farsën elektorale të kryeministrit Edi Rama, mori si referencë administrimi zgjedhor periudhën e diktaturës komuniste.
“E kuptoni ju çfarë pozicioni jam unë sot? Unë ndihem me i motivuar se askush pas këtyre zgjedhjeve, alternativa e vetme është të qëndrojmë para së gjithash dhe në po qëndrojmë.
Administrimi më i përsosur i zgjedhjeve bëhej vetëm në diktaturë, po, ishte perfekt. Ishin të sinqertë ata, flisnin vetëm për votim, votim. Se s’kishte garë, ishin të ndërgjegjshëm për atë ata. Por për administrimin ishin të përsosur ata. Me helikopter dhe ushtri, i çonin deri në pikat më të larta, i filmonin, që ja organizimi”, tha Berisha.
Në fund të fjalës së tij ai këmbënguli se do vijonte betejën për faktimin e farsës elektorale nëpërmjet denoncimeve, rrugës ligjore dhe ballafaqimit publik, teksa shtoi se “kjo farsë ishte dy herë më e madhe se e vitit 2021”.
“Ne po bëjmë atë që po bëjmë. Përparësia absolute është faktimi i farsës elektorale dhe pastaj analiza. Nuk bëhen zgjedhje me Edi Ramën, urdhëro farsën, dy herë. Kjo farsë ishte dy herë më e madhe se e 2021”, përfundoi kreu i selisë blu.
Sali Berisha u pyet sot nga gazetarët gjatë konferencës edhe për zgjedhjet e vitit 2021 në lidhje me deklarimin e tyre nga ish-kryetari Lulzim Basha si masakër elektorale.
Por ai gjeti momentin që të sulmonte përsëri paraardhësin e tij në lidhje me projektin e fshehtë që kishte, duke mos u angazhuar në faktimin e asaj masakre të 25 prillit, por priste një bashkëqeverisje me Edi Ramën si “fitimtar”.
Në tangente politike ai mori deklaratën e Ambasadës së SHBA në atë kohë, që uronte edhe Ramën për fitoren, edhe Bashën si fitues gjithashtu i atyre zgjedhjeve.
“Lulzim Basha nuk bëri as edhe përpjekjen më të vogël për të denoncuar dhe faktuar farsën elektorale të vitit 2021, kurse unë e kam denoncuar atë. Madje edhe atëhere, më 27 prill, kam bërë artikullin se vota vdiq pa hyrë në kuti. Unë kam urdhëruar faktimin e provave për zgjedhjet e 11 majit, dorëzimin e tyre. Kurse Lulzim Basha luftoi për karrigen e tij, e patë ju, ai nuk ishte i lirë, ai kishte projekt tjetër. Ai kishte projekt koalicionin. Lexoje ti mesazhin që i shpallte të dy fitimtarë të zgjedhjeve (pretendon aleancën Basha-Rama për qeveri të gjerë PD-PS)”, u shpreh kreu i selisë blu.
Ndërsa për analizën e humbjes së thellë të 11 majit nga PD, ai këmnëbguli se prioritet aktualisht ka denoncimi i farsës elektorale të Ramës dhe më pas analiza.
“Unë nuk kam dy standarde, jam koherent në atë që kam thënë, e kam thënë edhe më 2021, një herë faktimi dhe më pas analiza. Kam bërë përpjekje për ta denoncuar këtë farsë”, komentoi kryetari i PD.
Komente

Evropa do te vinte ne Tirane,pavaresisht rezultatit,fitonte,apo humbte Rama,sepse ishte nje mbledhje e caktuar prej kohesh,vertet e uruan,por dhe mund t'a ngushellonin ne varesi te rezultatit.Keto jane klishe te sjelljes diplomatike.
Përgjigju