GJKKO dhe Gjykata e Tiranës kanë shtyrë seancat që ishin përcaktuar për ditën e sotme, duke iu bashkuar bojkotit të seancave që po bëhet në vend.
Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë në mbledhjen e së martës, 4 qershor vendosi të bojkotojë seancat gjyqësore për datat 5,6 dhe 7 qershor, duke përjashtuar seancat për masat e sigurisë.
Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion këtë të mërkurë 14 seanca ishin paracaktuar për tu zhvilluar, ku pritet shtyrja e tyre për një datë tjetër', informon gazetarja e Report Tv Ketio Banushi.
Ndërsa, në Apelin e Posaçëm janë 7 seanca, në 2 prej të cilave shqyrtohen kërkesat e të pandehurve për ndryshim apo revokim të masës së sigurisë.
Ndërkohë, në Gjykatën e Tiranës janë 23 të tilla, përfshirë seancat për masa sigurie dhe të tjerat që janë në gjykim.
Shtyrja e seancave mund të shfaqë ngërçe, por edhe probleme sa i përket afateve.
Kreu i dhomës së Avokatisë Maks Haxhia në mbledhjen e së martës shprehu qartë se avokatët të cilët do marrin pjesë në seancat gjyqësore, duke përjashtuar ato për masat e sigurisë, do cilësohet shkelje e rendë dhe do vihen në lëvizje Komiteti disiplinor, i cili do marrë masa deri në heqjen e licencës.
Vendimi për të bojkotuar seancat për 3 ditë erdhi pas dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili ndonëse ka kaluar një javë nga ngjarja e rëndë, është ende në rrezik për jetën.
Lajmi kryesor:
Dhuna ndaj Sokol Mëngjesit, avokatët nga sot 3 ditë bojkot seancave gjyqësore në të gjitha gjykatat! Mbahen vetëm masat e sigurisë
S.B/ReportTv.al