Në faturën e muajit shkurt, qytetarët që janë gjobitur për mos mbajtjen e maskës në ambiente të hapura e të mbyllura, kanë pasur të reflektuar edhe vlerën e gjobës prej 30 mijë lekësh.
Gjoba do të vijojë të reflektohet edhe në faturën e energjisë elektrike për muajin shkurt dhe në vijim.
Deri më tani, burimet për Report Tv thanë se në faturat e energjisë elektrike janë vendosur 1200 gjoba, me vlerën 30 mijë lekë, pra 36 mijë lekë të rinj, rreth 4 milionë lekë të vjetra. Janë edhe 30 mijë gjoba në proces për t’u hedhur, dhe një pjesë e mirë që po verifikohet.
Të njëjtat burime saktësojnë, se janë rreth 17 mijë gjoba të vendosura nga policia për maskën, që OSHEE i ka kthyer pas për shkak të pasaktësive në të dhëna (përshembull numër i pasaktë i ID) ose janë gjobitur persona që nuk kanë fare kontratë dritash.
Prej 15 tetorit kur me akt normative u vendos që gjoba për maskë të kalojë në faturën e energjisë elektrike në OSHEE u ngritën strukturat përkatëse dhe u ndërhy në sistemin e faturimit, një proces ky që kërkoi kohë.
Siç raportohet cdo ditë nga Policia rrugore, gjobat janë të shumta, dhe të gjitha duhet të kalojnë në një proces shqyrtimi nga strukturat e OSHEE, një proces vetvetiu më i ngadaltë se i policisë. Burime nga OSHEE thanë se të gjitha gjobat e identifikuara shqyrtohen çdo ditë dhe hidhen në sistem.
Këtë të mërkurë u raportuan 1435 gjoba ndaj qytetarëve të cilët u kapën pa mbajtur maskat në rrugë.
Ata u gjobitën me 3000 lekë e cila do u vendoset në faturën e energjisë elektrike.
Gjithashtu policia ka ndëshkuar 352 persona që udhëtonin me mjet pa vendosur maskën mbrojtëse, me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 73 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 22:00.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 15 qytetarë që nuk kanë pranuar t’i tregojnë efektivëve dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.
Janë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, 2 administratorë subjektesh që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 49 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00.