Vendimi i Gjykatës së Lartë dhe gazetari Elton Qyno

Kronikë

Gjykata e Lartë zbardh vendimin: SPAK e GJKKO s'kanë prova që vërtetojnë se Elton Qyno ka kryer veprime në kundërshtim me detyrën e tij të gazetarit

29 Shtator, 16:27| Përditesimi: 29 Shtator, 16:54

  • Share

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për Elton Qynon, ku vlerëson të drejtë vendimin e Apelit të GJKKO për shfuqizimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje të caktuar ndaj gazetarit, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me kërkesë të SPAK.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet qartë që pavarësisht se Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e shkallës së parë, kanë parashtruar një sërë komunikimesh telefonike mes të dyshuarve si pjesëtarë të një organizate kriminale, ku citohet edhe gazetari Qyno, provat apo aktet e verifikuara, deri në këtë fazë, nuk mbështesin dyshimin që i hetuari Elton Qyno ka kryer një veprim kundërshtim me detyrën e tij të gazetarit.

Po ashtu, në vendim thuhet se nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e shkallës së parë janë cituar artikuj dhe lajme të ndryshme të publikuara nga media audiovizive, pranë të cilës Qyno ushtronte profesionin e tij. Gjykata e Lartë thotë se lajmet e referuara janë publikuar dhe përcjellin informacione mbi ngjarje të caktuara kriminale, për të cilat Prokuroria e Posaçme nuk ka pretenduar se janë të rreme apo jo të vërteta. Në këto lajme tregohen fakte, vende, emra të personave të dyshuar apo të përfshirë, që nuk kontestohen nga prokuroria si të rreme apo si lajme që nuk pasqyrojnë të vërtetën, që në thelb është misioni/detyra e një gazetari.

Nga i gjithë parashtrimi i fakteve nga prokuroria dhe gjykata e shkallës së parë, Gjykata e Lartë vlerëson se mund të ngrihen dyshime të bazuara për shkelje të etikës profesionale të gazetarit, por kjo nuk mjafton për të ligjëruar inicimin e një procedimi penal apo caktimin e një mase sigurimit.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë konkludohet se ndaj personit nën hetim Elton Qyno nuk mund të caktohet një masë sigurimi personal, por hetimi ndaj tij mund të vijojë.

"Natyrisht, në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme duhet të verifikojnë me kujdes çdo të dhënë në raport me të hetuarin, duke shmangur çdo ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtat e tij si gazetar, duke argumentuar nëse ekzistojnë apo jo nevojat e sigurimit në raport me faktin penal për të cilën dyshohet. Transkriptimet e përgjimeve të përftuara nga përdorimi i SkyECC apo platformave të tjera, duhen verifikuar me kujdes dhe duhen analizuar nëse përputhen apo jo me prova të tjera, që mund të konfirmojnë vërtetësinë e tyre. Në rastin e lajmeve të cituara nga prokuroria e të referuara nga gjykata, nuk ka një analizë të mirëfilltë nëse gazetari Elton Qyno ka ndërhyrë në këto lajme, ka publikuar të dhëna jo të vërteta apo nëse pas marrjes së përfitimi të parregullt siç pretendon akuza, lajmi është fshirë apo është ndryshuar pjesërisht apo tërësisht. Kolegji në këtë drejtim, vlerëson të drejtë arsyetimin se Gjykatës së Posaçme e Apelit se, "dyshimi i përfitimit të shumave në euro mund të përbëjë një drejtim tjetër të kryerjes së hetimeve që lidhen ushtrimin e ndjekjes penale, mundësi të cilën e vlerëson vetë Prokurori i Posaçëm që drejton hetimet (neni 277/2 i KPP) dhe se pamundësia e caktimit të një mase sigurimi nuk është pengesë e kryerjes së veprimeve të nevojshme, që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale qoftë edhe për të njëjtën vepër penale", - thuhet në vendim.

Në përfundim, referuar të gjitha shkaqeve të ngritura në rekursin e paraqitura nga rekursuesi Prokuroria e Posaçme, Kolegji konkludon se vendimi nr. 01 (87-2025-10), datë 24.01.2025 i Gjykatës së Posaçme të Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të lihet në fuqi. Kolegji vlerëson se gjykata e apelit ka zbatuar drejt ligjin penal, material e procedural; nuk konstatohen shkelje apo zbatim i gabuar të ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit; si dhe nuk rezulton që vendimi i rekursuar të jetë në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?