Gjykata e Vlorës i është përgjigjur ministrit të Brendshëm Blendi Çuçit i cili akuzoi prokurorë e gjyqtarë duke thënë se po lirojnë kriminelët.
Prokurorja e Vlorës, Elona Alvora dhe Gjyqtari i Vlorës Albert Spiro, kanë liruar Edison Begajn, të cilit iu bë atentat në derën e shtëpisë në sy të fëmijëve dhe pas pak ditësh u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s në lokal me armë zjarri me vete. Pas arrestimit ai u la nga gjykata me masën ‘arrest shtëpie’. Të dy u përmendën nga Çuçi.
Sipas Gjykatës nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria.
Ndërkaq Gjykata thekson se deklarata të tilla s'i shërbejnë imazhit të Gjykatës që jep drejtësi . "Sqarojmë se, deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve", theksohet në përgjigjen e Gjykatës ndaj Çuçit.
Elona Alvaro është prokurore në Vlorë dhe pak kohë më parë kandidoi për tu emëruar në këshillin e lartë të prokurorisë për pozicionin e këshilltares por kandidimi i saj u refuzua. Ndërkohë gjyqtari Albert Spiro i cili mban e postin e kryetarit të gjykatës Vlorë, rezulton se në listën e zezë të ministrisë së brendshme futet për herë të dytë. Në 2014 ishte ministri i brendshëm Saimir Tahiri që e denoncoi duke i kërkuar KLD-s të merrte masa pasi kishte liruar nga qelia dy persona të arrestuar nga policia për zjarrvënie dhe prerje pyjesh.
Njoftimi i Gjykatës Vlorë:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi është njohur nëpërmjet medias me deklaratën publike dhënë nga Ministri i Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, i cili gjatë fjalimit të tij, ka përmendur vendimmarrjen e gjyqtarit Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e çështjes penale, të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për procedimin penal nr. 839/2021, në ngarkim të shtetasit E. B, ju informojmë se: Më datë 16.06.2021, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është regjistruar cështja me nr. 159 regj., datë 16.06.2021, me objekt: Vleftësim arresti, caktim mase sigurimi në ngarkim të shtetasit E. B. , akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal. Sipas listës së gatishmërisë së gjyqtarëve, rezulton se gjyqtar i gatshëm më datë 16.06.2021, ka qënë gjyqtari Albert Spiro, të cilit i ka kaluar për shqyrtim kjo kërkesë penale. Në seancën gjyqësore të datës 18.06.2021, është marrë në shqyrtim kjo kërkesë penale, dhe nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria. Sqarojmë se, deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve. Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj. Ju faleminderit!
Lajmi kryesor: