Foto ilustruese

Gjyqi në Senat ndaj ish-presidentit Trump, kundërshtarët dhe mbrojtësit e tij

7 Shkurt 2021, 21:30| Përditesimi: 7 Shkurt 2021, 21:34

  • Share

Demokratët dhe republikanët po paraqesin strategjitë e tyre para fillimit të martën të gjykimit për herë të dytë në Senat të ish-Presidentit Donald Trump. Materiali në vazhdim shpjegon argumentet që paraqesin të dy palët e spektrit politik.

Sulmi i dhunshëm muajin e shkuar ndaj Kapitolit bëri që Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët dhe me mbështetjen e 10 republikanëve të fillojë procesin për shkarkimin e Presidentit Trump, për herë të dytë.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, që do të ngrenë akuzat para një jurie me senatorë amerikanë, thonë se zoti Trump nxiti sulmin që la pesë të vdekur, mes tyre një polic. Ata do të përdorin fjalimin e zotit Trump e pamje nga trazirat për të bindur jurinë.

“Demokratët po përdorin strategjinë për të treguar se ai përbënte dhe vazhdon të përbëjë kërcënim. Sulmi i dhunshëm është rezultat i retorikës së tij të nxitjes së dhunës”, thotë Jennifer Mercieca, profesoreshë e retorikës politike amerikane në Universitetin A&M në Teksas.

“Nëse arrijnë të ngjallin kujtesën e njerëzve për ngjarjet që ndodhën në Kapitol, t’u kujtojnë atyre frikën që ndjenë dhe ringjallin reagimin e tyre kundër saj, ata mund të gjejnë mbështetje përtej vijës partiake.”

Në Senatin prej 100 anëtarësh, të ndarë në mënyrë të barabartë, demokratëve u nevojitetn votat e 17 republikanëve për të fajësuar ish-Presidentin Trump. Vetë fjala “ish” është në themel të strategjisë republikane. Rand Paul është senator republikan.

“Nëse i akuzuari nuk është më president, ku është fuqia kushtetuese për të zhvilluar një proces gjyqësor në Senat ndaj tij? Qytetarët privatë nuk mund t’i heqësh nga puna. Ky proces është për pushimin nga puna. I akuzuari tashmë e ka lënë detyrën”.

Republikanët humbën një votë mbi kushtetueshmërinë e gjykimit, por rezultati i votimit 55 pro zhvillimit të gjyqit dhe 45 kundër, i lë demokratët të dobët para 67 votave të nevojshme.

“Ata po e trajtojnë në nivel procedurial. Në këtë pikë është një pikëpyetje proceduriale, (për republikanët) dhe nuk duan të ringjallin pikëpyetjet për sulm të dhunshëm dhe nëse Trump-i është fajtor apo jo”,thotë profesoresha Jennifer Mercieca .

Ajo thotë se përjashtimi i zotit Trump nga media sociale mund të funksionojë kundër strategjisë së demokratëve.

“Ata do të përpiqen të përdorin frikën për të apeluar dhe argumentuar rreth sigurisë dhe se ai përbën rrezik të qartë e të pranishëm. Fakti që ai është përjashtuar nga platformat, e dëmton atë argument, sepse po të ishte i pranishëm, ai do të vazhdonte të bënte të njëjtat argumente. Pra do të përbënte rrezik të qartë dhe të pranishëm”, thotë profesoresha.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar që zoti Trump të dëshmojë në gjyqin kundër tij që fillon të martën. Avokatët e tij kanë thënë se zoti Trump nuk do ta bëjë këtë. /VOA/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?