Gjyqi për aferën “Partizani” është shtyrë sërish. Seanca e radhës do të mbahet më 13 tetor, ora 12:00. Shkak i shtyrjes u bë kërkesa e avokatëve të pandehurve për pavlefshmëri të të gjitha akteve të kryera nga SPAK, përfshirë edhe procesverbalet për sekuestrimin e sendeve nga studioja ligjore Pustina. Sali Berisha nuk shkoi në gjyq as sot, ndërsa i pranishëm ishte vetëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Sokol Hazizaj, avokati i Fatmir Bektashit dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan” kërkoi pavlefshmëri të akteve, ndërsa pretendoi se nuk është bërë identifikimi i provave të Bektashit ndryshe nga Homeplane, dhe për rrjedhojë tha se nuk mund të çmohen si prova. Sipas tij, nëse gjykata i pranon këto dokumenta, atëherë i bie që të gjithë ata që kanë blerë në “Homeplan” të jenë të pandehur.
Edhe avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari kërkoi pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve në zyrën e studios Pustina, duke shtuar se kontrolli është ushtruar pa vendim gjykate. Prokurori Arben Kraja kërkoi kohë për t’u shprehur për këto kërkesa paraprake të bëra nga ana e mbrojtjes, duke bërë që seanca të shtyhej. “Do të shprehem në seancën e radhës”, deklaroi Kraja.
“Ky proces ka dy shtylla, një shtyllë është e karakterit politik duke qenë se kallëzimi është bërë nga një subjekt politik. Duke qenë se unë përfaqësoj “Homëplan” unë kërkoj pavlefshmëri të akteve. Të gjitha provat kërkoj të konsiderohen të pavlefshme, si dhe procesverbalet për sekuestrimin e materialeve dhe kompjuterit në studio Pustina. Kërkoj pavlefshmëri për disa nga akt ekspertimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme. Të njëjtat prova janë instaluar edhe ndaj Bektashit dhe ndaj Homeplan. Nëse gjykata i pranon këto dokumenta, atëherë i bie që të pandehur të jenë të gjithë ata që kanë blerë prona të “Homeplan”. Si mund të çmohen prova kur nuk janë ndarë për secilin subjekt dhe kur nuk janë individualizuar. Ky lloj teatri ka tre komponentë, e kuptoj rolin e gjykatës për t’i dhënë solemnitetin e të gjykuarit si dhe rolin e prokurorisë për t’i dhënë vetes një rol serioz, por nuk kam kuptuar asnjëherë, reshtin e të pandehurve, përshembull Fatmir Bektashin edhe si subjekt edhe si Homeplan. Kërkoi nga gjykata vlerësim serioz në kuptimin e papërdorshmërisë dhe papërdorshmerisë të të gjitha provave.”, u shpreh avokati Hazizaj.
“Ne kërkojmë pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve në zyrën e studios Pustina nga ana e Prokurorisë së Posaçme, pasi policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është cënuar privatësia në ushtrimin e kontrolleve në zyrën “Pustina”, theksoi avokatja Gjyzari.
Ndërkohë, sipas avokatit të Berishës, Genc Gjokutaj, Gjykata Kushtetuese është shprehur se sekuestrimet në zyrën Pustina janë bërë në kundërshtim me ligjin.
“Tani kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka dalë , nuk është botuar, por këto ditë, i cili konstaton se të gjitha sekuestrimet te zyra Pustina janë në kundërshtim me ligjin, të pavlefshme, as më shumë e as më pak atë që kemi thënë ditën e parë. Tani po i hapen petët lakrorëit, dhe prokurori kërkoi kohë të përgatitet se mbase i bën të vlefshme. Ky vendim do të thotë se gjithë prova që kanë sjellë në gjykatë, përveç mungesës së faktit penal, por edhe ato që i konsiderojnë prova të pavlefshme dhe s'mund të vihen në themel të një vendimi fajësie.", tha Gjokutaj.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Në gjyqin për dosjen “Partizani” mediat kishin shfaqur interes për ta regjistruar të plotë seancën, ku kishte shprehur dakordësi edhe Jamarbër Malltezi. Gjykata vendosi që të mos e pranojë këtë kërkesë duke dhënë miratim vetëm për regjistrim të planeve të nisjes së seancës. Por Malltezi e kundërshtoi këtë duke theksuar që kërkesa e tij ishte për transparencë të plotë të procesit dhe jo për show
“Kam bërë kërkesë që të regjistrohet e gjithë seanca, për të patur një proces sa më transparent dhe të dëgjohen qëndrimet e të gjitha palëve. Por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur që mund të lejohet vetëm regjistrimi i fillimit të seancës. Unë nuk mund ta lejoj këtë që të regjistrohen pamje sa për show. Po të jepej e gjitha do ta kuptonit që gjykata dhe prokuroria janë bërë leqe-peqe”, u tha Malltezi-gazetarëve.
Komente

Me siguri do të shtyhet,varjanti tërhiq e mos e këput deri sa të dalin pa lag identik si bëri hajduti Lul Brava me rrugën e kombit....
Përgjigju