Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, po vijon të dëshmojë për ditën e tretë rradhazi në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij Rubin theksoi se donin që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë
“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, tha Rubin.
Ish zyrtari amerikan dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Kosovë gjatë luftës, në dëshminë e dhëna gjatë këtyre dy ditëve, ka insistuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë komanduese.
Një ditë më parë, ai shprehu kritika ndaj gjykatës për paraburgimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët mbahen në qeli që prej 2020-ës me akuzën e krimeve të luftës. Ai e cilësoi të padrejtë vendimin e Speciales për mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht dhe nga ana tjetër kanë bashkëpunuar me Prokurorinë.
Rubin tha se UÇK fitoi kredibilitetin e SHBA pasi firmosi marrëveshjen e Rambujesë dhe të paqes, pasi deri atëherë e shihnin si një organizatë terroriste duke mos patur mjaftueshëm informacione për veprimtarinë dhe strukturën e saj.
Të hënën, ai rrëfeu se Thaçi bashkëpunoi me perëndimin në Rambuje dhe në marrëveshjen e çmilitarizimit të UÇK. Sipas Rubin, ai u pa nga SHBA si një lider ndërsa kujtoi telefonatën e presidentit Bill Klinton që vlerësoi Thaçin për mbështetjen ndaj tolerancës dhe demokracisë. Ish-zyrtari tha se agjencitë amerikane nuk gjetën prova për krime.
Mbrojtja e Thaçit parashikohet të zgjasë për të paktën një muaj e gjysmë dhe rreth javës së dytë të nëntorit pritet të kenë përfunduar edhe dëshmitë që do të jepen nga ana e palës mbrojtëse për të katërt të akuzuarit.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kryen krime nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Në bankën e dëshmitarit në Gjykatën Speciale të Hagës, vijon të japë dëshminë e tij, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, James Rubin,i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
I pyetur nga gjykata nëse Rubin ka dijeni për kërcënimet që Hashin Thaçi mund t’i ketë bërë dy anëtarëve të delegacionit të Kosovës në Rambuje, të cilët nuk ishin pjesë e UÇK-së, ish-zyrtari amerikan është shprehur se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi fizik.
Ndër të tjera, ai shton se Thaçi është kërcënuar nga sekretarja e shtetit Madeline Albright, me qëllim për të detyruar ish-presidentin të firmoste marrëveshjen e Rambujesë.
“Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët... kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.
Foto: James Rubin
Gjykatësi Fergal Gejnor gjatë seancës së sotme publikoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.
Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.
Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës. Por, ai korrigjoi gjykatësin sa i përket deklaratës së Albrightit.
“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.
“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.
Komente
