Gjyqtarja e Durrësit Entela Shedulla pengon median, seanca për trafikantët e 7 pakove me kokainë zhvillohet me dyer të mbyllura

28 Maj, 17:07| Përditesimi: 28 Maj, 22:20

  • Share

DURRES- Gjyqtarja Entela Shedulla e Gjykatës së Durrësit vendosi sot të mbrojë imazhin e dy personave të akuzuar për trafik kokaine. Ajo mbylli dyer e gjykatës dhe zhvilloi pa praninë e medias seancën për masën e sigurisë ndaj kushërinjve Mentor Çuni dhe Arjan Doçi. Të dy u lanë në arrest me burg, pasi u kapën duke transportuar 7kg e 300gr kokainë.

Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbyllura një rast i përsëritur ky nga gjyqtarët e Durrësit. Në një argument ligjor të vënë në dispozicion nga gjykata thuhet se: Refuzimi i regjistrimit të pamjeve filmike, kufizohet nga Ligji "Për të drejtën e informimit", ku në nenin 17 thuhet se informacioni kufizohet nëse cënohet e drejta për një jetë private.

Në një argument ligjor të vënë në dispozicion nga gjykata thuhet se janë marrë në pyetje të arrestuarit nëse do të regjistrohen me kamera dhe ata kanë kundërshtuar. Edhe prokuroria ka kërkuar moslejimin e pjesëmarrjes së medias

"Referuar kërkesës tuaj për vijimin e regjistrimit me pamjeve filmike sjellim në vëmendjen tuaj se përveç garantimit të mbrojtjes sipas parashikimeve ligjore në fuqi, kryesisht në bazë të Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" (I ndryshuar), të arrestuarit janë pyetur paraprakisht mbi regjistrimin me kamera, ku kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike.

Refuzimi i regjistrimit të pamjeve filmike, kufizohet edhe nga Ligji Nr.119/2014 "Për të drejtën e informimit", ku në nenin 17, pika 1, gërma a), parashikohet se e drejta për informim kufizohet nëse cënohet e drejta për një jetë private, konkretisht: Neni 17 -Kufizime-"1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm: a) të drejtën për një jetë private;"
Po kështu, në fazën në të cilën ndodhet çështja, trupi gjykues pasi ka pyetur edhe prokurorin e çështjes, me qëllim mbarëvajtjen e procesit, ka disponuar me vendim për moslejimin e pjesëmarrjes së medias. Në çdo rast, në kuadër të të drejtës së informimit seanca ndiqet nga Specialistja e ZMP me qëllim informimin në kohë reale të vendimit të Gjykatës, duke e përcjellë atë në formën e kërkuar nga ligji (të anonimizuar)' argumentoi gjykata. 

Pra gjykata ka vendosur të mbrojë privatesine e tyre duke penguar median dhe permes saj publikun te informohet saktë. Edhe dy javë më parë, gjyqtari Shkëlzen Liçaj në mënyrë arbitrare zhvilloi me dyert të mbyllura masën e arrestit për Aleks Marku, i cili mbajti peng fëmijët pranë Shkëmbit të Kavajës dhe qëlloi me breshëri automatiku.

Kujtojmë se seancat e hapura dhe me praninë e medias janë një detyrim ligjor për çdo gjykatë, me përjashtim të rasteve delikate.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?