BERGAMO, Itali - Humbja 1-3 e Atalantës kundër Club Brugge në shtëpi dhe eliminimi nga Champions League bëri që situata te zikaltërit mos jetë e qetë. Gjithçka vjen pasi autori i golit të vetëm për italianët, Ademola Lookman gaboi më pas një penallti që mund të rihapte gjithçka.
Pas ndeshjes për mediet trajneri i Atalantës Gian Piero Gasperini "shigjetoi" lojtarin e tij, duke i thënë se është "goditësi më i keq i penalltive që ka parë".
Nga kjo situatë i lënduar ka mbetur sulmuesi nigerian, që është ndër lojtarët më të mirë që Atalanta ka. Në një reagim në kanalet e komunikimit ai ka sqaruar pozicionin e tij, duke thënë se ndihet i mosrespektuar.
"Jo vetëm jam lënduar, por ndihem thellësisht i mosrespektuar. Në të vërtetë jam përballur me shumë momente të vështira në periudhën time këtu, për më të shumtën nuk kam folur sepse mendoj se skuadrat duhet mbrojtur gjithmonë dhe duhet të vijë e para.
Kjo e bën atë çfarë ndodhi dje edhe më të dhimbshme. Gjatë ndeshjes, ai që ishte vendosur për të goditur penalltinë mendoi se duhet ta godisja unë dhe për të mbështetur skuadrën mora përgjegjësinë në atë moment për të bërë këtë gjë.
Më trishton që më duhet të shkruaj këtë mesazh në një ditë si kjo, veçanërisht për atë që kemi arritur së bashku si ekip dhe si qytet. Të jesh në shënjestër në këtë mënyrë jo vetëm që më lëndon, por edhe më duket thellësisht mungesë respekti, veçanërisht për punën e vështirë dhe të madhe, si dhe përkushtimin që kam bërë çdo ditë për të kontribuar në suksesin e klubit", thuhet mes të tjerash në reagim.
Por çfarë tha trajneri Gasperini pas ndeshjes së humbur 1-3 kundër Brugge dhe pas eliminimit nga Champions League.
“Ai është një nga goditësit më të këqij të penalltive që kam parë ndonjëherë. Edhe në stërvitje ka një përqindje shumë të ulët, i godet shumë keq. Ai donte të ekzekutonte penalltinë pasi shënoi një gol. E mori topin pavarësisht se Retegui dhe De Keteleare ishin të disponueshëm për ta goditur. Nuk më pëlqeu ajo që bëri Lookman", tha Gasperini, që duket se "ndezi zjarrin" e krijuar pas eliminimit.
Reagimi i Lookman
Komente
