Një grup kriminal që trafikonte armë zjarri dhe merrej me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike është goditur në Fier nga Policia Vendore në bashkëpunim me Prokurorinë në kuadër të operacionit “Procedimi”.
Në pranga kanë rënë 4 persona, me precedentë penalë dhe rrezikshmëri shoqërore, Boran Buzi, Niko Osma, Qamil Shurdhi dhe Besim Buzi. Të arrestuarit janë Boran Buzi 48-vjeç, Qamil Shurdhi 48-vjeç, të cilët vepronin si organizatorët e grupit, ndërsa Niko Osma 53-vjeç dhe Besim Buzi 33-vjeç, siguronin armët dhe klientët. Ndërkohë një tjetër 51-vjeçar u procedua në gjendje të lirë.
Në banesën e Niko Osman në Durrës, u gjet edhe një pistoletë, të cilën tentoi ta hidhte nga dritarja në momentin e ndërhyrjes së policisë. Në kuadër të operacionit u sekuestruan 6 armë zjarri e gjahu, 4 mijë fidanë kanabisi, 5 mijë fara kanabisi, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, radio dhe uniforma policia.
Nga hetimet rezultoi se këta persona kryenin trafikun e armëve dhe municioneve si dhe mbanin armë zjarri për qëllime kriminale. Aktivitetin e kryenin në disa qytete si Fier, Lushnje, Durrës, Shkodër dhe Kukës. Në disa raste, armët i siguronin edhe nga Kosova dhe i fusnin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në pikën kufitare të Morinës.
Nga hetimet, u zbulua gjithashtu se grupi merrej edhe me kultivimin dhe shitjen e kanabisit. Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në 8 banesa, dy ambiente të dyshuara për magazinimin e armëve dhe municionit luftarak si dhe në tre automjete.
Procedimi u iniciua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier dhe u ndoq në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.
Dalin pamjet e operacionit të koduar “Procedimi” që çoi në goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafik armësh dhe kultivim droge në Fier.
Në pranga u vunë 4 persona, dy prej të cilëve vepronin si organizatorë, ndërsa dy të tjerët siguronin armët e zjarrit dhe klientët. U ushtruan kontrolle në banesa dhe magazinea, ndërsa u sekuestruan 6 armë zjarri, municion luftarak, bimë dhe fidanë kanabisi, maskë plastike dhe uniforma policie.
Në pamje shihet edhe kanabisi i mbjellë mes ullinjve për të ‘humbur’ gjurmët.
Komente
