Report Tv ka mësuar të tjera detaje në lidhje me Call-Centerin mashtrues në Tiranë që u godit nga Policia e Shtetit.
Sipas listave që ka sekuestruar policia në ambientet e këtij call-centeri, agjenti më i mirë kishte arritur t’u merrte qytetarëve 223 mijë euro, sikundër kishte dhe agjentë që nuk ishin shumë të aftë në mashtrim, pasi njëri ka arritur vetëm 3 mijë euro.
Gjithashtu, operatorët e këtij call-centeri kapnin në ditë deri në 770 telefonata me qytetarët e vendeve të BE-së, të cilët i mashtronin për të investuar në bursa fiktive.
Administratori i këtij call-centeri, Kejsi Pergjegji, është tashmë i arrestuar, së bashku me bashkëpunëtorin e tij. Mësohet se Pergjegji e kishte pasur adresën e aktivitetit të tij në fushën e marketingut në Tiranë, në rrugën Panorama, pranë SPAK-ut.
Por në mars të vitit 2024, ka ndryshuar adresë, duke deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vendndodhjen e re, në Ishull-Lezhë, prej nga është dhe me origjinë.
Ndërkohë, apartamenti në qendër të Tiranës të cilin e kishte kthyer në strehën e mashtrimit me bursa fiktive, ishte totalisht i paregjistruar dhe u zbulua pas informacioneve që mësoi sektori për hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Shtetit.
Lajmi kryesor:
Tiranë/ Zbulohet Call-Centeri që mashtronte qytetarët e BE-së, pranga administratorit dhe bashkëpunëtorit. Sekuestrohen mbi 106 mijë euro (EMRAT + VIDEO)
V.GJ /r.k./ReportTv.al
