Një Call-Center në Tiranë që mashtronte qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, është zbuluar nga policia dhe është finalizuar me arrestimin e 2 personave dhe procedimin e 38 të punësuarve në këtë call center.
Policia e Shtetit, përmes operacionit “SCAMS”, bën të ditur se ky Call-Center ishte kamufluar si një biznes i ligjshëm i licencuar për marketing, suport dhe konsulencë në çdo veprimtari të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj.
Por realisht, aktivitetin e kishte fokusuar si call center duke mashtruar qytetarët e vendeve të BE-së për të investuar në bursa fiktive.
Administratori i këtij call-centeri, Kejsi Pergjegji 28 vjeç dhe bashkëpunëtori i tij Marjus Hysa, u arrestuan nga policia. Ndërsa 38 punonjës të këtij call-centeri po hetohen në gjendje të lirë.
Në total, gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi mbi 106 mijë euro dhe 700 mijë lekë.
Në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të administratorit Kejsi Pergjegji u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e bashkëpunëtorit të tij Marjus Hysa 38 vjeç.
Kurse në ambientet e call-centerit u gjetën 65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit.
Po kështu u gjet një listë me emrat që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me të mashtruarin; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit, lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro.
Po kështu u sekuestruan edhe 51 njësi kompjuterike dhe 14 celularë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “SCAMS”
Operacioni u organizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Departamentin për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë operacionit, u godit një tjetër Call Center në Tiranë, që shërbente për të mashtruar qytetarët evropianë, duke i bindur të investonin në bursa fiktive.
Në pranga u vu administratori i subjektit, ku u gjetën 65210 euro.
Gjithashtu, në pranga u vu edhe një shtetas tjetër, te cilit në banesë iu gjetën 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kundraligjshme.
Procedohen penalisht 38 shtetas të punësuar në call center.
Janë sekuestruar gjithsej 106710 euro dhe 700.000 lekë të rinj, 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celular, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara, etj.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, bazuar në informacionet e marra se në rrugën “Bardhok Biba”, në një subjekt të licencuar për marketing, suport dhe konsulence në çdo veprimtari të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, po ushtrohej veprimtari e kundraligjshme e Call Centerit me qëllim mashtrimin e qytetarëve evropianë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “SCAMS”.
Në kuadër të operacionit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DPPSH, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në ambientet e një subjekti me administrator shtetasin K. P., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit u konstatuan 38 operatorë, të cilët dyshohen se mashtronin qytetarë në vende të ndryshme të Evropës për të investuar në bursa fiktive.
Në ambientet e subjektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit; lista e emrave që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me viktimën; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit; lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro; 51 njësi kompjuterike dhe 14 aparate celular.
Në vijim të operacionit, janë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të shtetasit K. P., dhe nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit M. H., 38 vjeç, pa dokumentacion të burimit të të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P. dhe M. H.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Report Tv ka mësuar të tjera detaje në lidhje me Call-Centerin mashtrues në Tiranë që u godit nga Policia e Shtetit.
Sipas listave që ka sekuestruar policia në ambientet e këtij call-centeri, agjenti më i mirë kishte arritur t’u merrte qytetarëve 223 mijë euro, sikundër kishte dhe agjentë që nuk ishin shumë të aftë në mashtrim, pasi njëri ka arritur vetëm 3 mijë euro.
Gjithashtu, operatorët e këtij call-centeri kapnin në ditë deri në 770 telefonata me qytetarët e vendeve të BE-së, të cilët i mashtronin për të investuar në bursa fiktive.
Administratori i këtij call-centeri, Kejsi Pergjegji, është tashmë i arrestuar, së bashku me bashkëpunëtorin e tij. Mësohet se Pergjegji e kishte pasur adresën e aktivitetit të tij në fushën e marketingut në Tiranë, në rrugën Panorama, pranë SPAK-ut.
Por në mars të vitit 2024, ka ndryshuar adresë, duke deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vendndodhjen e re, në Ishull-Lezhë, prej nga është dhe me origjinë.
Ndërkohë, apartamenti në qendër të Tiranës të cilin e kishte kthyer në strehën e mashtrimit me bursa fiktive, ishte totalisht i paregjistruar dhe u zbulua pas informacioneve që mësoi sektori për hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Shtetit.
Komente
