Kronikë

Firmat piramidale online Xuex/ Gjykata liron 2 nga të arrestuarit, arrest në burg 60 ditë për 4 të tjerë

17 Shtator, 08:27| Përditesimi: 17 Shtator, 15:16

  • Share

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg me afat 60 ditë për 4 prej të arrestuarve në kuadër të operacionit “Xuex” që goditi firmat piramidale online.

Kështu, në burg për 60 ditë u lanë Arbër Çela, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi.

Ndërsa dy të arrestuarit e tjerë, Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj, u lanë në detyrim paraqitje.

Këta dy të fundit janë kamarierët në lokalin e Arbër Çelës, që shërbente edhe si bazë e grupit të skemave piramidale online.

Theksojmë që Prokuroria e Fierit kërkoi arrest në burg për 6 të arrestuarit në kuadër të këtij aksioni.

Të akuzuarit mbërritën në Gjykatën e Fierit në orën 08:30 të mëngjesit të sotëm, ndërsa vendimi për masën e sigurisë u dha rreth orës 15:00.

Në seancën me dyer të mbyllura, ata kanë dhënë dëshminë e tyre para trupës gjykuese, ku janë shprehur se janë viktima të situatës.

Ndërkohë, për mediat, nëna dhe tezja e një prej të arrestuarve, kamarierit Emanuel Taullau, ka pohuar se nuk e dinin që kjo ishte e gabuar. “Ia dhashë vetë lekët djalit”, ka thënë nëna e Emanuelit.

Këta shtetas kanë patur rol kyç në funksionimin e kësaj skeme mashtruese dhe mbi ta rëndojnë veprat penale “Skema mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”

Operacioni u shtri në disa qytete të vendit por filloi dhe u finalizua në Qarkun Fier. Skema arriti të zbulohej nga agjentë të infiltruar të policisë ndërsa në ditët në vijim, pritet të arrestohen dhe persona të tjerë, ndërkohë që çifti i bashkëshortëve Erledio dhe Alma Shebeku janë ende në kërkim.

Më herët, Report TV raportoi se të paktën 900 persona ranë pre e mashtrimit në Lushnje, Divjake, e Fier. Shumë prej tyre janë bujq, të cilët kanë shitur edhe mjete bujqësore për të investuar në këtë skemë. 

Skema piramidale funksiononte me një shtrirje rekrutimi zinxhir. Agjentët duhej të gjenin të paktën 5 persona që të mund të ishin të ashtuquajtur investitorë dhe këta të fundit duhet duhej të gjenin secili nga 5 të tjerë dhe kështu skema shtrihej gjerësisht. Qytetarëve iu premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin “Telegram” nga një person i identifikuar si “Leo Smith”.

Ora 11:55
“Ia dhashë vetë lekët djalit”/ Skema piramidale e ‘XUEX’, nëna e njërit të arrestuarve: Kishte dy tre muaj që kishte investuar paratë (VIDEO)

 

Gjashtë persona të cilët kanë akuzuar për mashtrim përmes platformës ‘XUEX’ kanë dalë ditën e sotme para Gjykatës së Fierit, për tu njohur me masën e sigurisë.

Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi, dhe Brunilda Ndini, akuzohen se kanë patur rol kyç në funksionimin e kësaj skeme mashtruese dhe mbi ta rëndojnë veprat penale “Skema mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”

Nëna dhe tezja e njërit prej të arrestuarve, Emanuel Taullau, kanë folur për Report Tv, ku kanë mohuar akuzat ndaj të afërmit të tyre dhe pretendojnë se kanë qenë të painformuar.

Madje nëna e Emanuel Taullaut, deklaron se i ka dhënë vetë paratë djalit të saj për të investuar në ‘XUEX’, pasi donte që i biri të kishte para rezervë. Ndërsa tezja deklaron se nipi i saj punonte kamerier.

Biseda:

Vetë ke tentuar?

Tezja e Emanuel Taullaut: Jo nuk dimë asgjë. U habitëm! Ne nuk dimë asgjë.

Djali rrinte shumë në këto platforma?

Tezja e Emanuel Taullaut: Jo nuk rrinte, punonte, ishte kamarier! Nuk dimë asgjë

Keni marrë vetë avokat apo e ka caktuar gjykata?

Tezja e Emanuel Taullaut: E kemi marrë vetë

Shumë njerëz mendojnë se të luajnë në rrjetet sociale është normale, a e dinit ju që është vepër penale?

Tezja e Emanuel Taullaut: Jo. Dikush duhet që t’i paralajmëronte. Nuk e dimë

Nëna e Emanuel Taullaut: Pse u arrestua çuni im? Nuk kishte koka më të mëdha aty? Drejtore ekonomiste, të gjitha e dinë!

Sa kohë kishte djali juaj që luante?

Nëna e Emanuel Taullaut: Moj unë ia dhashë lekët. I thash luaj të kesh ndonjë lek për vete.

Sa kohë kishte?

Nëna e Emanuel Taullaut: Kishte dy-tre muaj

Sa lekë i kishit dhënë?

Nëna e Emanuel Taullaut: Një milion

A e morët fitimin?

Nëna e Emanuel Taullaut: Jo asgjë. Vetëm të më vij çuni

Si u bindët për të investuar?

Nëna e Emanuel Taullaut: Nuk e dinim se ishte e gabuar! Këto kanë luajtur të gjithë.

 

Xh.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?