Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini apeloi për më shumë kujdes gjatë këtyre ditëve të nxehta, sidomos për fëmijët nën 5-vjeç, gratë shtatzëna dhe të moshuarit. Në një intervistë për Report TV, Tomini u shpreh se të rrezikuar janë edhe ata që janë të ekspozuar në diell gjatë ditës për shkak të punës që bëjnë, apo edhe ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.
Tomini tha se nëse është e nevojshme të shmanget orari i pikut nga ora 11 deri në 6 të pasdites.
“Kujdesi ndaj temperaturave të larta është prioritet për secilën grupmoshë, por më të predispozuar janë fëmijët nën 5-vjeç, gratë shtatzëna, që shoqërohen me sëmundje të tjera kronike. Në goditje nga të nxehtit janë edhe disa nga profesione të caktuara si në bujqësi, punonjësit e ndërtimit të ekspozuar gjatë gjithë kohës jashtë. Ka subjekte që në mënyrë natyrale apo fiziologjike nuk e përjetojnë mirë goditjen nga të nxehtit apo ekspozimin nga temperaturat e larta prandaj rekomandimet janë për evitimin e daljeve në orët e pikut nga ora 11 deri në 18 të pasdites.”, u shpreh Tomini.
Drejtoresha e ISHP theksoi se është e nevojshme që gjatë këtyre ditëve të përdoren kapele, të mbahen syze dhe një shishe ujë me vete. Rekomandoi përdorimin e veshjeve me ngjyra të çelëta dhe pambukut për të shmangur djersitjen. Kujdes duhet treguar, tha ajo, edhe me ndryshimin e temperaturave, pasi kalimi nga një mjedis më i freskët nga kondicioneri te temperaturat e larta jashtë mund të rrisin rrezikun për atake kardiake, ndryshime tensoni apo hipertension.
"Veshjet me ngjyrë të çelët të jenë të pambukta dhe jo sintetike që të mos favorizojnë djersitjen pasi nga djersitja humbasim edhe elementë të tjerë të metabolizmit. Me djersitjen humbasim edhe mikroelementët, është e domosdoshme që veshjet të jenë më të lehta. Të respektojmë marrjen e medikamenteve për sëmundjet bashkëshoqëruese që kemi sipas mjekut. Të mos neglizhojmë asnjë vakt.
Të pimë sa më shumë lëngje apo ujë gjatë ditës se për shkak të djersitjes çrregullohen edhe mekanizma të tjerë të organizmit të ushqehemi sa më lehtë dhe me më pak yndyrna, të kalojmë te zarzavatet e stinës, supë apo ushqime të lëngshme, të mos konsumojmë shumë kripë apo yndyrna. Për fëmijët e vegjël, në kohën e gjidhënies, të ushqehen sa më shumë me gji. Për fëmijët mbi 1-vjeç ekspozimi në diell nuk rekomandohet në orët e pikut. Asnjë fëmijë i moshës pediatrike nuk duhet lënë vetëm qoftë në shezllonge. E njëjta këshillë është për moshën e tretë. Të kujdesemi për prindërit apo të moshuarit që kemi vetëm në shtëpi. “, u shpreh Tomini.
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini tha se kohët e fundit janë konfirmuar 6 raste me Covid-19. Në intervistën për Report TV, Tomini tha se nuk ka elementë që kanë të bëjnë me nënvariantin e ri të raportuar në SHBA.
Ajo apeloi për të treguar më shumë kujdes me higjienën sidomos gjatë kësaj periudhe të nxehtë.
“Është variant, i cili po monitorohet dhe vlerësohet me interes nga strukturat ndërkombëtare. Çdo nënvariant i ri monitorohet. ISHP vijon monitorimin e gripit dhe Covid-19 në mënyrë paralele. Vetëm javët e fundit kemi pasur 6 raste Covid-19 të konfirmuar, dhe asnjë element mbi karakteristikat të një nënvarianti të ri.
Ne jemi në koordinim me strukturat ndërkombëtare, situata është e qetë nga vlerësimi epidemiologjik por në sezonin e verës, masat e kontrollit respirator dhe higjinerik duhet të jenë të shtuara. Edhe pse nuk jemi në sezon gripi por Covid-19 ka treguar se është prezent gjatë gjithë vitit, e kemi prezent dhe do ta kemi gjithmonë.
Duhet patur kujdes nga etiketa te shenjat respiratorë, rrufa, dhimbja e kokës, temperatura, që janë karakteristikë për çdo virozë, por Covid-19 si çdo sëmundje tjetër infektive, duhet të ketë bazë higjienën dhe etiketën respiratore për të mos pasur infektim tek të tjerë.", tha ajo.
Tomini shtoi se alergjitë e stinës apo infeksionet respiratore janë prezente, por numri është i ulët krahasuar me pikun. Infeksionet, tha Tomini, janë kryesisht pulmonare për shkak të ndryshimit të temperaturave.
"Nuk kemi viroza të tjera s’kemi konfirmuar grip në survejancën të sindromit të ngjashëm me gripin. Vetëm 6 raste nga buletini i fundit i ISHP janë me Covid. Alergjitë e stinës apo elementë të tjerë të infeksioneve pulmorare që vijnë si pasojë e ndryshimit të temperaturave. Infeksionet respiratore janë prezent por në numër të ulët sesa në periudhën kur është piku janar shkurt.", përfundoi Tomini.
Komente
