SHBA, California - Monterrey i Meksikës dhe Interi barazuan 1-1 në ndeshjen e parë të Grupit E të Kupës së Botës për Klube. Në stadiumin "Rose Bowl" përballja ishte me raste, ndërsa Kristjan Asllani luajti titullar për italianët. Debutim me barazim për trajnerin e ri të Interit, Cristian Chivu.
Ndeshja do të zhbllokohej shpejt, konkretisht në minutën e 25-të. Një pasim i Torres nga këndorja bëri që Sergio Ramos të dilte edhe njëherë në skenën e madhe dhe me kokë veterani mposhti Sommer. Vijimi i pjesës së parë pa një Inter më kërkues, duke pretenduar edhe për 11 metërsh, por pas konsultës me VAR kryesori brazilian Sampaio vijoi lojën.
Duhej një faull jashtë zonës në minutën e 42 që Interi të vendoste rezultatin në ekuilibër. Për këtë kontribuoi Kristjan Asllani. Mesfushori i Kombëtares dhuroi një pasim 'të ëmbël' duke kaluar gjithë mbrojtjen, aty ku Carlos Augusto nuk mund të gabonte në pasim për të gjetur me portën bosh Lautaro Martinez, me kapitenin që barazoi për 1-1.
Edhe pse 39 vjeç, Sergio Ramos u shpall "Njeriu i Ndeshjes" duke bërë një 90 minutësh si në kohët e arta kur vishte fanellën e Real Madrid. Nga një pikë për dy skuadrat në Grupin E, ndërsa Interi më 21 qershor luan kundër Urawa Reds dhe më 26 qershor kundër River Plate.
Trajneri i Interit, Cristian Chivu foli pas barazimit 1-1 kundër Monterrey në Kupën e Botës për Klube. Rumuni debutoi në stolin zikaltër, teksa thotë se në pjesën e parë luajtën mirë, por në të dytën nuk ishin të qartë.
"Patëm një pjesë të parë të mirë, pavarësisht se pësuam golin. Në pjesën e dytë ishim më të ngadaltë në driblim, na mungoi qartësia para portës. Ne morëm rreziqe në tranzicione, djemtë dhanë gjithçka.
Mkhitaryan si mesfushor sulmues? Duhet të kemi gjithnjë e më shumë zgjidhje dhe të jemi gati për ndeshjet e ardhshme. Një fantazist pas dy sulmuesve ose dy pas një sulmuesi është një mundësi. Luis Henrique ? Ai mund të bëjë më mirë, ka personalitet dhe teknikë të mirë. Sebastiano Esposito? Në përputhje me të gjithë ekipin, një performancë e mirë.
E dija mënyrën e tyre të lojës, edhe pse nuk prisnim që të luanin me tre mbrojtës qendrorë. Ata janë një ekip me përvojë, luajtëm mjaft mirë në pjesën e parë, duke krijuar raste edhe pas golit, reagimi ynë ishte i mirë. Në pjesën e dytë mund të kishim shënuar golin e dytë", tha Chivu.
Komente
