Një dalje jo e studiuar mirë nga portieri Chevalier i kushtoi humbjen PSG-së në 'Klasiken' e Francës kundër Marseille. Në 'Velodrome' ishin vendasit e Roberto De Zerbit që fituan 1-0 falë golit të Naif Aguerd në minutën e pestë të takimit, sfidë e vlefshme për raundin e pestë të sezonit.
Paçka se ndeshja më pas ishte me disa raste për dy skuadrat, në fund vendosi një gol. Në shtesë, tekniku i Marseille, De Zerbi u ndëshkua me karton të kuq. Pas fërshëllimës finale nuk mungoi tensioni në fushë mes dy kampeve.
Me nëntë pikë Marseille ngjitet në vendin e gjashtë, teksa PSG me 12 pikë mbetet në vendin e dytë, me pikë të barabarta me kryesuesit e Monaco.
Dueli ishte programuar për të dielën, teksa u shty me 24 orë për shkak të një stuhie në jugun e Francës. Kjo zhvendosje bëri që yjet e PSG-së mos ishin të pranishëm në ceremoninë e 'Topit të Artë', aty ku ata u shpallën si ekipi më i mirë i vitit dhe sulmuesi i tyre Ousmane Dembele (i dëmtuar) ngriti trofeun.
Komente
