Kristi Çinari, autori i dyshuar i grabitjes së institucionit financiar Kredo.al është autor i një tjetër vjedhje në Tiranë në vitin 2017.
Bëhet fjalë për vjedhjen me armë të një farmacie në ‘Rrugën e Kavajës’. Çinari së bashku me Foti Kristalin, 18 vjeç asokohe hynë brenda një farmacie dhe kanë kërcënuar me armë punonjësen duke i marrë xhiron ditore.
Njëri nga grabitësit i drejton armën farmacistes, ndërsa tjetri, i cili nuk kishte armë, kontrollon sirtarët për lekë. E frikësuar farmacistja i nxjerr të gjitha lekët.
Ndërkohë edhe grabitësi i dytë shkon të sirtari tjetër për të marrë para. E gjithë grabitja ka ndodhur për 40 sekonda. Grabitësit hyjnë në farmaci në orën 18:58 minuta e 42 sekonda dhe dolën jashtë në orën 18:59 minuta e 22 sekonda.
Vetëm një ditë pas grabitjes u arrestua Kristi Çinari. Kjo për faktin se 18-vjeçari kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest Shtëpie” pasi ishte dënuar më parë për vjedhje.
Policia nuk kishte dijeni se ai bashkë me një shokun tij, kishin qenë autorë e grabitjes, por pas kontrollit të kamerave të sigurisë dhe provave të tjera është vërtetuar se dy 18-vjeçarët kanë kryer grabitjen e farmacisë. Policia ka gjetur në banesat e tyre edhe rrobat e grabitjes.
Dy të rinjtë akuzohen se kanë vjedhur edhe farmaci të tjera në Tiranë. Gjithashtu Burime nga policia për Report TV bëjnë me dije se Foti Kristali dhe Kristi Çinari u hetuan edhe për disa grabitje të tjera që kanë ndodhur në kryeqytet, siç janë marketet apo dyqanet e vogla.
Lajmi kryesor:
Grabitja e Kredo.al, policia identifikon autorin e dyshuar! Në kërkim 21-vjeçari, kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu
E.M.//ReportTv.al