Gramoz Ruçi uron homologun italian: Të lumtur që po ia dilni në betejën me COVID-19! Partnere e çmuar e vendit tonë

2 Qershor 2020, 10:05| Përditesimi: 2 Qershor 2020, 10:20

  • Share

1591085352_2ee8b12a32744cdfb6d92af6ae764fa3.jpg

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një letër urimi Kryetarët e Dhomës së Deputetëve, Roberto Fico, dhe Kryetares së Senatit, Maria Casellati, me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës Italiane.

Ruçi shprehet se është i gëzuar që Italia po ia del mbanë në luftën me COVID-19, duke falenderuar Italinë për të gjithë ndihmën e dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve.

“Me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës Italiane, Ju dërgoj urimet më të mira për popullin e Italisë, Senatin Italian dhe Ju personalisht. Vendosja e Republikës Italiane me votat e qytetarëve italianë, si rezultat i Referendumit të 2 qershorit 1946, në të cilin për herë të parë votuan edhe gratë, është një ngjarje e madhe historike për sistemin demokratik, emancipimin politik e shoqëror të Italinë si edhe të ardhmen e popullit Italian.

Italia është për Shqipërinë një vend fqinj, mik i çmuar dhe partner strategjik shumë i rëndësishëm. Vendet tona i lidh një miqësi e gjatë, e cila u ka rezistuar të gjitha sprovave të historisë. Italia ka qenë për ne, shqiptarët, dritarja prej nga shihnim Perëndimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Miqësia e fortë midis të dy vendeve tona ushqehet edhe nga prezenca e Diasporës shqiptare, komunitetit arbëresh dhe emigrantëve që u vendosën në Itali pas vitit 1990. 

Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për mbështetjen e vazhdueshme, kontributin shumë të madh dhe rolin e saj si avokatja e integrimit europian të Shqipërisë. Vendimi i Këshillit Europian në mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Qeverisë së Italisë, Senatit Italian dhe Tuajës personalisht.  Gjatë muajve të fundit Italia, ashtu si edhe Shqipëria dhe gjithë njerëzimi, vuajti pasojat e pandemisë, të cilat për popullin italian ishim ndër më të rëndat. Ne ndoqëm nga afër betejën e mjekëve, popullit dhe institucioneve italiane për të shpëtuar jetët njerëzore dhe tashmë gëzohemi që Italia po del nga kjo situatë dhe po i kthehet gradualisht normalitetit.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Deputetëve e Senatit të Italisë, do të rifillojë shumë shpejt dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare Tuajën në Shqipëri.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.


Lajmi kryesor:

74 vjetori i Festës së Republikës/ Meta dhe Ruçi letër homologëve: Urojmë të rikthehemi sa më shpejt në normalitet pas COVID-it


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?