Kronikë

Gramsh/ Report Tv sjell dëshmitë e banorëve për orët e tmerrit dhe pamjet me dron: Po ikim me kokën pas se po na digjen shtëpitë! 39 banesa përtokë dhe evakuime

Me lot në sy dhe me kokën pas, banorët e fshatrave të Gramshit vijojnë të largohen nga banesat e tyre. Në disa fshatra të njësisë administrative “Skënderbegas”, zjarri ende u rrezikon jetën ndaj autoritetet u kanë kërkuar të lënë gjithçka e të largohen.

Rreth 100 banorë në Nartë u evakuuan paraditen e sotme, pasi zjarri masiv që përfshiu fshatin vijon të jetë aktiv. Ata u larguan duke marrë me vete edhe gjënë e gjallë.

Ky banor i këtij fshati po largohet me zemër të thyer, pasi banesa dhe pemëtaria ku ka derdhur gjithë mundin e jetës rrezikon t’i digjet.

“Kam tre shtëpi, kemi edhe gjë të gjallë, i kemi nxjerrë”, shprehet një prej banorëve, teksa përpiqet me lopatë që të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.

Për të shuar zjarret, nga ajri ndërhynë 3 helikopterë. Edhe forcat zjarrfikëse vijojnë përballjen me vatrat e shpërndara kudo.

Por edhe vetë banorët janë vënë në ballë të betejës me flakët. Këta janë dy banorë të zonës që me mjetin e tyre transportojnë ujë duke u ardhur në ndihmë zjarrfikëseve.

“Mbushim zjarrfikëset me ujë që të jenë sa më afër te zjarret. Deri tani kemi bërë tre rrugë, jemi edhe vetë këtu në aksion. E vështirë duket situata për banorët, zjarri dhe era”, tregojnë dy banorët që i gjenden vullnetarisht forcave zjarrfikëse në aksion.

Gazetari Sokol Dema raportoi nga vendngjarja:

“Flakët janë shuar, e Skëndërbegasi është i mbuluar nga tymi. Shumica e banorëve lanë shtëpitë dhe janë strehuar tek të afërmit në qytet e në konviktin e Gramshit. Të paktët që gjejmë këtu i shohim me lot në sy përballë dëmeve që u shkaktoi zjarri.”

Afër shtëpisë së këtij banori u shkrumbuan disa shtëpi, por ai i vetëm mundi të shpëtojë të tijën dhe disa banesa të tjera aty pranë.

“Kemi ardhur në këmbë, kemi fikur zjarrin, kishim kasollen, shtëpinë, mos të kisha ardhur vetë do ishte djegur krejt. Situta ka qenë katastrofë”, shprehet një tjetër banor, që flet për pasojat që la zjarri.

Në Skendërbegas nuk humbën vetëm shtëpitë. Të tjerë, me lot në sy, flasin për humbjen e rrënjëve të ullinjve dhe vreshtave.

“Vreshta dhe ullishta... në fund të gjitha”, thotë një prej banorëve, i prekur rëndë nga zjarri.

Edhe aty ku flakët janë shuar, dëmet janë të mëdha, siç pamjet me dron tregojnë.

Në total janë 39 banesa të djegura në 6 fshatra, pa llogaritur dëmet në ullishte, pemëtari, e bagëti. Një inventar po bëhet nga ekipet e ministrisë mbi këto humbje.

Në Gramsh, një ditë më parë, u shënua edhe viktima e parë e zjarreve që kanë pushtuar vendin, një 80 vjeçar që humbi jetën nga asfiksia e zjarrit që ndezi vetë, flakët e të cilëve më pas morën përmasa të mëdha duke përfshirë disa fshatra.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?