GREQI - Banorët e Santorinit përjetuan një natë plot ankth dhe pasiguri, pas aktivitetit të vazhdueshëm sizmik që ka ngritur alarmin në ishull. Shumë banorë, nga frika e lëkundjeve të reja të forta, zgjodhën të kalonin natën jashtë, ose në makinat e tyre ose në vende të sigurta të treguara nga autoritetet komunale.
Një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë gjetur pranë spitalit, ku një forcë e EMAK-ut është vendosur për ndërhyrje të menjëhershme në rast emergjence. Të tjerë u mblodhën në stadiumin Messaria dhe në ambiente të hapura, për t'u ndjerë më të sigurt.
Lidhur me aktivitetin sizmik në Ciklada, drejtori i Institutit Gjeodinamik, Vasilis Karastathis theksoi se sekuenc e twrmeteve po largohet nga ishulli.
“Sekuenca vazhdon me intensitet të pandërprerë. Kemi pasur një tërmet në mbrëmje dhe një në mëngjes me magnitudë mbi 4 ballë të shkallës Rihter. Sekuenca largohet nga ishulli i Santorinit drejt verilindjes. Kur filloi sekuenca ishte afër ishullit, por tani po largohet me rritjen e distancës, shanset për dëmtime të konsiderueshme nga çdo gjë ulen. Ndërsa kjo ndodh, shqetësimi në lidhje me efektet e tërmeteve në Santorini po zvogëlohet", tha ai.
Shqetësimi i fortë mbizotërues u pasqyrua qartë mbrëmjen e së dielës, (2 shkurt 2025) kur pak pas orës 21:00 u krijuan radhë pranë agjencive turistike. Banorët e ishullit, të frikësuar nga tërmetet e njëpasnjëshme, nxituan të rezervonin biletat për t'u larguar, ku anijet dhe avionët dukeshin thuajse të mbushura.
Karakteristikë e situatës është fakti se çmimet e biletave ajrore janë rritur, ku ulëset e fundit në linjën Santorini - Athinë kanë shkuar në 200 euro, duke e bërë edhe më të vështirë opsionin e nisjes së menjëhershme.
Në të njëjtën kohë, shkollat në Santorini, Amorgos, Paros, Antiparos dhe Naxos do të mbyllen sot me vendim të kryebashkiakëve të ishujve për arsye parandalimi për shkak të rritjes së aktivitetit sizmik në Cyclades.
Vendimi ka të bëjë me të gjitha njësitë shkollore në ishuj të të gjitha niveleve, si dhe kopshtet dhe çerdhet komunale.
Ngjarjet e planifikuara në ambiente të mbyllura gjithashtu anulohen.
Aktiviteti sizmik vijon, me ekspertët që monitorojnë nga afër zhvillimin e tij, ndërsa autoritetet e ishullit janë në gatishmëri për çdo rast. Ishulli popullor i Egjeut është goditur nga më shumë se 200 tërmete ditët e fundit.
Ishulli i Santorinit
Pak para orës 06:00 të mëngjesit (ora lokale) gati 10 tërmete me magnitudë nga 2.1 deri në 3.8 të shkallës Rihter kanë rënë njëri pas tjetrit. Aktiviteti sizmik i shfaqur në faqen e internetit të Institutit Gjeodinamik është tronditës, pasi duket se një tërmet i ri ndodh pothuajse çdo 5 minuta. Ishujt Santorini, Anafi dhe Amorgos janë në gatishmëri, pasi lëkundjet duket se po vazhdojnë.
Në orën 07:10 dhe 07:11, dy pasgoditje me magnitudë 4.2 u regjistruan në të njëjtën zonë, konkretisht 26 km dhe 23 km në veriperëndim të Anafit. Sipas zëvendësdrejtorit të Institutit Gjeodinamik të Athinës, Vasilis Karastathis, që nga mbrëmja e së dielës (2 shkurt) epiqendrat e lëkundjeve po zhvendosen drejt veriut dhe lindjes së Santorinit.
Siç shpjegoi ai në një intervistë për median greke ANT1, numri i tërmeteve në Kiklade ka tejkaluar 500 që nga fillimi i aktivitetit, 24 janar 2025 duke bërë që ishujt Amorgos, Anafi dhe Santorini të jenë në gatishmëri për një tërmet më të madh.
Kiklade është arkipelagu në detin Egje në juglindje të Greqisë që përbëhet nga rreth 220 ishuj, nga të cilët më të njohurit janë Santorini, Mykonos, Paros, Naxos, Milos, Syros, Amorgos dhe Anafi.