Kyriakos Mitsotakis në parlamentin grek para votimit të mocionit të mosbesimit, 7 mars 2025

Kosova & Rajoni

Greqi/ Pas 3 ditëve debat në parlament, qeveria e Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit: 157 vota kundër, 136 vota pro

7 Mars, 22:16| Përditesimi: 7 Mars, 23:04

  • Share

GREQI - Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis u rrëzua këtë të premte me 157 vota kundër dhe 136 pro, pas 3 ditëve debat në parlament. 

Votimi u zhvillua menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Propozimin për mocionin e mosbesimit e kishin nënshkruar gjithsej 85 deputetë: 33 nga PASOK, 26 nga SYRIZA, 11 nga Dega e Majtë, 6 nga Plevsa Eftiharis, 6 deputetë të pavarur të lidhur me Lëvizjen e Demokracisë, si dhe deputetët e pavarur Ev. Apostolakis, I. Sarakiotis dhe M. Baran.

Në fjalimin e tij drejtuar parlamentit, kryeministri Mitsotakis kërkoi falje sjelljen e deputetit Dimitris Kyriadzis ndaj presidentes së Plevsis Eleftherias, Zoe Konstantopoulou.

Gjithashtu, kryeministri grek tha se është e vështirë të bindet publiku se nuk ka pasur përpjekje për të fshehur informacionin në lidhje me ngjarjen e tragjedisë në Tëmbi, por ai shton se çdo deklaratë dhe veprim i tij do të vlerësohet nga qytetarët.

Ai foli për përgjegjësitë e mëdha të qeverive të kaluara për gjendjen e hekurudhave dhe u shpreh se qeveria mbështet të drejtën për protesta, por jo dhunën e "çdo huligani".

Mitsotakis kritkoi katër partitë që paraqitën mocionin e mosbesimit, duke thënë se ato kërkojnë të rrëzojnë qeverinë pa ofruar asnjë alternativë për zgjidhje. Ai i quajti ata "kundërshtarë të çdo plani konkret" dhe theksoi se qeveria do të mbajë shumicën parlamentare deri në zgjedhjet e ardhshme.

Po ashtu, ai përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se ato do të zhvillohen në vitin 2027 për të rinovuar mandatin e popullit për partinë Demokracia e Re.

Kryeministri iu bëri thirrje përfaqësuesve të PASOK-ut që të bashkëpunojnë në katër çështje për ndryshimin kushtetues, duke përfshirë ndryshimet në ligjin për përgjegjësinë e ministrave dhe në ligjin për universitete.

Ai gjithashtu njoftoi një program të ri për blerjen e armëve për vitet e ardhshme dhe një rritje të pagës minimale, ndërkohë që premtoi një rritje prej 100 euro për punonjësit ushtarakë që nga 1 korriku.

Në përfundim, Mitsotakis theksoi se politika ekonomike e qeverisë do të përfundojë në vitin 2027 dhe se zgjedhjet do të zhvillohen në të njëjtin vit për të rinovuar mandatin.

Ora 22:37
Greqi/ Qeveria i mbijeton mocionit të mosbesimit në parlament

1741382372_kyriakosmitsotakis.jpg

Kyriakos Mitsotakis në parlamentin grek, 7 mars 2025

Qeveria greke ka arritur t'i mbijetojë mocionit të mosbesimit të paraqitur në parlament disa ditë më parë nga 4 parti opozitare, e të votuar kundër nga 157 deputetë dhe 136 pro këtë të premte (7 mars 2025).

Ora 22:25
Protestuesit rrethojnë Parlamentin e Greqisë, incidente, zjarr dhe arrestime! Sheshi Sintagma po digjet sërish, ‘Molotov’ e barrikada edhe në Selanik (VIDEO)

 

Teksa në Parlamentin e Greqisë vijojnë diskutimet e forta dhe kaosi politik në mocionin ndaj qeverisë së Kyriakos Mitsotakis, jashtë godinës së ligjvënësve gjërat janë edhe më keq, me trazira, protestë qytetarë dhe zjarr.

Incidentet më të rënda u regjistruan në sheshin Sintagma në Athinë, siç shihet edhe nga pamjet. Policia ka ngritur barrikada dhe iu përgjigj turmës me gaz lotsjellës dhe arrestime.

Trazirat vazhdojnë në sheshin Sintagma pas tubimit për aksidentin në Tempi, informon “Protothema”. Sipas policisë greke, deri më tani janë bërë katër arrestime.

Protestuesit u rikthyen para parlamentit. Protestuesit me kapuçë u përplasën me policinë fizikisht. Këta të fundit, përveç gazit lotsjellës nuk kursyen as topat e ujit. Incidentet nisën pak pas orës 22:00 me atë lokale greke, kur persona me kapuç hodhën koktej molotovi para statujës së ‘Ushtarit të Panjohur’.

Arrestime pati edhe në një zonë tjetër, në sheshin Karaiskaki. Policia tha se prangosi 14 persona.

Trazirat nuk munguan as në Selanik, ku situata vjen drejt qetësimit aktualisht. Megjithatë një grup i vogël protestuesish nisën marshimin drejt Stacionit Hekurudhor. Qendra operacionale e Komandës së Policisë Kombëtare Greke tërhoqi forcat e policisë për të shmangur tensionet e reja.

Ora 19:51
‘Shko bëj ndonjë fëmijë, ose birëso...!' Parlamenti grek përfshihet nga kaosi pas deklaratës së deputetit të Mitsotakis ndaj koleges! Kryeministri propozon shkarkimin e tij

Greqi- Parlamenti grek është përfshirë nga kaosi politik. Shkak i tensioneve ka qenë deklarata e bërë nga një prej deputetëve të partisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Në ditën e tretë të diskutimeve për mocionin e votëbesimit që kanë paraqitur 4 parti opozitare ndaj qeverisë Mitsotakis, kryeministri grek ka proceduar sipas rregullores së partisë së tij konservatore, duke dërguar deputetin Dimitris Kyriazidis në Komisionin e Etikës, me propozim për shkarkimin e tij nga grupi parlamentar i kësaj force politike.
Kryeministri grek është shqetësuar nga komenti i papranueshëm i deputetit të qytetit të Dramës, në Greqinë Veriore, ndaj kryetares së ‘Lundrimit të Lirisë’, Zoi Konstantopoulou, që shkaktoi tensione të larta dhe irritim në parlament, informon ‘Protothema’.

Ngjarja ka ndodhur kur deputeti kosnervator në një replikë me politikanen në fjalë, e cila po fliste për fëmijët si shpresa për të ardhmen, i është drejtuar asaj duke i thënë  të shkonte të bënte një fëmijë, ose të birësonte.  

“Shkoni të bëni ndonjë fëmijë…”, u shpreh ai.

Ndërsa reagimi i Konstantopoulou ishte i menjëhershëm:

“Më thatë të shkoj të bëj fëmijë?”.

Deputeti nuk u tërhoq, por vijoi më tej:

“Ose të birësoni…”.

Kaq është dashur dhe salla ka shpërthyer, duke dënuar deklaratat dhe kërkuar që të shprehte ndjesë ndaj koleges.

Madje ai është kritikuar edhe nga zv/ministrja e Demokracisë së Re  Sofia Zaharakis, e cila ka qenë edhe ajo në të kaluarën objekt i komenteve të tilla, për gratë që nuk kanë fëmijë.

Edhe pse më pas deputeti kosnervator u detyrua të kërkojë falje, kryeministri Mitsotakis ka vendosur ta dërgojë në komisionin e Etikës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Zhvillimi në fjalë ndodhi vetëm disa minuta pas fjalimit të ish-kryeministrit Antonis Samaras, i përjashtuar edhe ai nga Demokracia e Re disa muaj më parë, i cili përsëri ka kritikuar qeverinë Mitsotakis duke deklaruar se nuk do të votojë mocionin e mosbesimit.

Tensione nuk ka pasur vetëm brenda parlamentit grek, por edhe jashtë tij, ku vazhdojnë mitingjet e protestës për tragjedinë hekurudhore të Tempit, dy vjet më parë, me 57 viktima.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?