Greqi- Parlamenti grek është përfshirë nga kaosi politik. Shkak i tensioneve ka qenë deklarata e bërë nga një prej deputetëve të partisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Në ditën e tretë të diskutimeve për mocionin e votëbesimit që kanë paraqitur 4 parti opozitare ndaj qeverisë Mitsotakis, kryeministri grek ka proceduar sipas rregullores së partisë së tij konservatore, duke dërguar deputetin Dimitris Kyriazidis në Komisionin e Etikës, me propozim për shkarkimin e tij nga grupi parlamentar i kësaj force politike.
Kryeministri grek është shqetësuar nga komenti i papranueshëm i deputetit të qytetit të Dramës, në Greqinë Veriore, ndaj kryetares së ‘Lundrimit të Lirisë’, Zoi Konstantopoulou, që shkaktoi tensione të larta dhe irritim në parlament, informon ‘Protothema’.
Ngjarja ka ndodhur kur deputeti kosnervator në një replikë me politikanen në fjalë, e cila po fliste për fëmijët si shpresa për të ardhmen, i është drejtuar asaj duke i thënë të shkonte të bënte një fëmijë, ose të birësonte.
“Shkoni të bëni ndonjë fëmijë…”, u shpreh ai.
Ndërsa reagimi i Konstantopoulou ishte i menjëhershëm:
“Më thatë të shkoj të bëj fëmijë?”.
Deputeti nuk u tërhoq, por vijoi më tej:
“Ose të birësoni…”.
Kaq është dashur dhe salla ka shpërthyer, duke dënuar deklaratat dhe kërkuar që të shprehte ndjesë ndaj koleges.
Madje ai është kritikuar edhe nga zv/ministrja e Demokracisë së Re Sofia Zaharakis, e cila ka qenë edhe ajo në të kaluarën objekt i komenteve të tilla, për gratë që nuk kanë fëmijë.
Edhe pse më pas deputeti kosnervator u detyrua të kërkojë falje, kryeministri Mitsotakis ka vendosur ta dërgojë në komisionin e Etikës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.
Zhvillimi në fjalë ndodhi vetëm disa minuta pas fjalimit të ish-kryeministrit Antonis Samaras, i përjashtuar edhe ai nga Demokracia e Re disa muaj më parë, i cili përsëri ka kritikuar qeverinë Mitsotakis duke deklaruar se nuk do të votojë mocionin e mosbesimit.
Tensione nuk ka pasur vetëm brenda parlamentit grek, por edhe jashtë tij, ku vazhdojnë mitingjet e protestës për tragjedinë hekurudhore të Tempit, dy vjet më parë, me 57 viktima.
Lajmi kryesor:
Greqi/ Pas 3 ditëve debat në parlament, qeveria e Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit: 157 vota kundër, 136 vota pro
A.Q/ReportTv.al
Komente
