Kosova & Rajoni

Greqi/ Në grevë urie për vdekjen e djalit, Pano Ruçi flet ekskluzivisht për Report Tv: Ambasada Shqiptare është interesuar, më ka mbështetur

3 Tetor, 18:55| Përditesimi: 3 Tetor, 19:00

  • Share

Greqi - Pano Ruçi, i cili është në grevë urie prej 19 ditësh përpara Parlamentit të Athinës për vdekjen e djalit të tij Denis Ruçi, ka folur ekskluzivisht për Report Tv në emisionin “Studio Live” me gazetarin Ermal Qorri.

Shqiptari ka treguar se ambasada shqiptare në Athinë është interesuar për shëndetin e tij dhe i ka shprehur mbështetjen.

“Ambasada ka ardhur, ka ardhur dy herë, kanë pyetur se çfarë më duhet për gjëra të tilla, por nuk mund të bëjnë gjë akoma, sepse çështja është në gjyq dhe nuk kanë çfarë të bëjnë”, tha Pano Ruçi për Report Tv.

Po kështu, redaksia jonë është interesuar edhe pranë Ambasadës së Shqipërisë në Athinë, në lidhje me rastin e Pano Ruçit.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar me tragjedinë e Tempit.

“Ambasada në Athinë është në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, dhe ka shprehur shqetësimet e saj për gjendjen serioze shëndetësore të z. Pano Ruçi, ka përcjellë kërkesat e paraqitura prej tij, dhe ka kërkuar vëmendje të shtuar ndaj tyre, në mënyrë që mos të rrezikohet jeta e tij. Ju informojmë se Zëdhënënësi i Qeverisë, z. Pavlos Marinakis, ka deklaruar se ndërsa në aspektin njerëzor mbështesin dhimbjen dhe betejën e një babai për të birin, në aspektin institucional Qeveria nuk mund të ndërhyjë tek Drejtësia dhe çështja është ende në gjykim”, thotë Ambasada Shqiptare në Athinë në përgjigjen për Report Tv.

Ditën e sotme Pano Ruçi u dërgua në spital ku ju nënshtrua analizave mjekësore, ndërsa me vullnet të lirë doli dhe u fut sërish në grevë urie duke vazhduar protestën e tij.

Djali i Pano Ruçit, Denis Ruçi 22 vjeç, është një nga 57 viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi të Greqisë.

Pano Ruçi kërkon zhvarrimin e trupit të djalit të tij. Prokurorja e Larisës e ka urdhëruar zhvarrimin e trupit, disa ditë pas grevës së urisë së shqiptarit. Por Pano Ruçi nuk e ka ndërprerë grevën duke kërkuar edhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes së djalit të tij.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?