Ambasada greke në Tiranë ka shpjeguar 3 fazat e hapjes së kufirit grek dhe se si do të procedohet. Ajo bën të ditur se me Shqipërinë kufiri do të hapet pas 15 qershorit dhe se të gjithë ata që hyjnë do i nënshtrohen tamponit dhe do i kërkohet qëndrimi një natë në hotel deri në daljen e përgjigjes. Nëse tamponi rezulton negativ, shtetasit shqiptarë duhet të vetëkarantinohen për ditë dhe nëse rezulton pozitiv, atëherë vizitori i nënshtrohet karantinimit 14 ditor nën monitorimin e mjekëve. Gjithashtu fluturimet pas 15 qershorit në Greqi do të lejohen vetëm në drejtim të aeroporteve të Athinës dhe të Selanikut.
"Greqia pranon përsëri vizitorë, sipas programit me tre faza si më poshtë:
Faza e parë. Deri më 15 qershor.
Kufijtë tokësorë mbeten të mbyllur për qytetarë të vendeve të treta, me përjashtim të atyre nga vendet anëtare të BE dhe të Marrëveshjes Shengen. Fluturime ndërkombëtare lejohen vetëm drejt aeroportit të Athinës. Të gjithë ata që mbërrijnë, pa përjashtim, i nënshtrohen testit për COVID-19 dhe qëndrojnë për një natë në një hotel që u rekomandohet. Nëse testi rezulton negativ, atëherë vizitori i nënshtrohet një vetëkarantinimi shtatëditor. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë vizitori i nënshtrohet karantinës 14 ditore, nën monitorimin e mjekëve.
Faza e dytë. Nga 15 deri 30 qershor.
Mbërritjet përmes kufijve tokësorë nga Shqipëria do të lejohen që prej datës 15 qershor dhe në vazhdim. Vizitorët do t’i nënshtrohen vetëm kontrollit të marrjes së kampionëve gjatë mbërritjes. Fluturime ndërkombëtare lejohen vetëm në drejtim të aeroporteve të Athinës dhe të Selanikut. Nëse vizitori vjen prej një aeroporti jashtë listës së vendeve të prekura, të Agjensisë Europiane të Sigurisë së Aeroporteve (EASA), atëherë do t’i nënshtrohet vetëm marrjes së kampionit gjatë mbërritjes. Nëse vizitori vjen prej një aeroporti që përfshihet në listën e vendeve të prekura, të hartuar prej Agjensisë Europiane të Sigurisë së Aeroporteve (EASA), atëherë i nënshtrohet testimit për COVID-19, gjatë mbërritjes së tij. Kërkohet qëndrimi për një natë në hotel. Nëse testi rezulton negativ, atëherë vizitori vetëizolohet për shtatë ditë. Nëse testi rezulton pozitiv, atëherë vizitori i nënshtrohet karantinimit 14ditor nën monitorimin e mjekëve.
Faza e tretë. Nga 1 korriku e në vazhdim.
Lejohen fluturimet ndërkombëtare në drejtim të të gjitha aeroporteve të Greqisë. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së kampionit në mbërritje. Mbërritje nga kufijtë detarë do të lejohen që prej 1 korrikut dhe në vazhdim. Vizitorët do t’i nënshtrohen kontrollit të marrjes së kampionit, në mbërritje", shkruan ambasada greke.
Lajmi kryesor:
Tërhiqet Kosova, heq taksën 22 € në doganë për dezinfektimin e kamionëve! Kusht për qytetarët tamponi ose karantina
//ReportTv.al