Rreth 60 krerë pula kanë ngordhur në një fermë në fshatin Gur të Divjakës. Ato janë groposur në një kanal pranë fermës, duke rrezikuar përhapjen e infeksionit në gjithë pulat e fshatit.
"S'kemi më asnjë pulë, ngordhën të gjitha dhe i hodhëm në një kanal këtu poshtë", tha pronarja e fermës".
Miresie Dervishi thotë se tufa është shuar brenda dy netësh, ku kanë ngordhur të gjitha pulat e fushës dhe ato të detit.
"Të gjitha ngordhën, nuk kemi therur për të ngrënë, i hodhëm se nuk haheshin, mishi ishte bërë ngjyrë blu në trup dhe ngjyrë e zezë në shtyllën kurrizore", tha ajo.
Familja Dervishi ka njoftuar veterinerin Ardian Kaja, i cili siç shihet në pamje merr kampionët e gjakut pa asnjë masë mbrojtëse, duke shtuar kështu rrezikun për përhapjen e sëmundjes. Veterineri tha se kampionët e gjakut do të çohen në Institutin e Veterinarisë, ku do të përcaktohet infeksioni apo virusi që ka prekur shpendët.
"Ne po marrim analiza gjaku për sëmundje infektive. Analizat do shkojnë nesër në Tiranë, kemi marrë 15-15 kampione në zonat bregdetare, do të presim përgjigjet", shprehet Ardian Kaja, veneriner i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë në Lushnje.
Dyshimet e para janë për gripin e shpendëve që ka prekur masivisht pularitë në Durrës.
Lajmi kryesor:
Gripi i shpendëve/ Ministria e Bujqësisë e fshehu, Report Tv e fakton me video që pulat e ngordhura s'janë asgjësuar të gjitha! Vijon groposja në Shijak! Institucionet zero transparencë
B.K.//ReportTv.al