Gripi i shpendëve/ Ministria e Bujqësisë e fshehu, Report Tv e fakton me video që pulat e ngordhura s'janë asgjësuar të gjitha! Vijon groposja në Shijak! Institucionet zero transparencë

22 Mars 2022, 10:07| Përditesimi: 22 Mars 2022, 17:29

  • Share

SHIJAK- Ministria e Bujqësisë fshehu dhe ngjalli konfuzion kur vonë në mbrëmje të hënën, zv.ministrja Ermira Gjeci, doli në deklaratë nga institucioni dhe tha se të gjitha pulat e ngordhura nga gripi i shpendëve në Durrës, u groposën. Që në mbrëmje, Report Tv komunikoi me kompaninë Aiba e cila tha të kundërtën: Pulat nuk janë groposur të gjitha. Siç Report Tv dëshmon me pamje, mëngjesin e kësaj të marte, pulat e ngordhura nxirren nga ferma e Aibës dhe hidhen në kamionë për t'u transportuar në një zonë të thellë në territorin e bashkisë së Shijakut. Me mungesë totale transparence, Ministria e Bujqësisë nuk e bëri publik vendin e groposjes së pulave, duke thënë vetëm qytetin, Shijak, por Report Tv zbuloi se bëhej fjalë për një zonë në Bodinak.

Në negociata të fshehta dhe aspak transparente, ministria e Bujqësisë përmes drejtorisë veterinare, Ministria e Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, dhe Bashkia e Shijakut, caktuan një vend për groposjen e pulave me grip, pa i treguar qytetarëve nëse ai vend i përmbush apo jo kriteret ligjorë për të qenë i sigurt dhe për të mos rrezikuar as shëndetin e njerëzve, por as bimësinë dhe aq më keq ujërat nëntokësorë. Ministria shpërndau vetëm një video në errësirë të një kamioni që hidhte pulat në një grop, pa treguar se cilët persona përgjegjës ishin të pranishëm dhe si monitorohet ky proces.

Sipas ekspertëve, procesi i groposjes do të zgjasë ndoshta me ditë, pasi procedurat kërkojnë kohë, nga procesverbali që mbahet për numrin e pulave të ngordhura, te hapja e gropave për të hedhur pulat, transporti në një zonë të largët me terren të vështirë dhe asgjësimi me mjetet e nevojshme për të izoluar përhapjen e gripit.

Por teksa ping-pongu mes institucioneve për groposjen zgjaste, pula të tjera ngordhën në pularinë e qytetit të Durrësit, ndërkohë që ministria e Bujqësisë thotë se do asgjësohen edhe pulat e sëmura. Ende nuk dihet sesa është numri i pulave të groposurave pasi ngordhjet vijojnë. Sakaq ministria e Bujqësisë përsërit edhe një herë se konsumatorët nuk rrezikohet nga ky grip pasi produktet në treg janë të kontrolluara. Ministria u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë të gjitha rastet kur konstatojnë se pulat po shiten në tregje të paautorizuara.

Institucionet i fshihen transparencës me ping-pong
Institucionet vijojnë 'ping-pong'-un e përgjegjësive, teksa janë të mbyllura hermetikisht duke mos i dhënë përgjigje pikëpyetjeve që natyrshëm ngrihen mbi një proces që Ministria e bujqësisë dhe autoritetet përgjegjëse e ngritën mbi mungesën e transparencës. Me dyshimet se gripi i shpendëve mund të jetë fshehur dhe vonuar përmes analizave nga ISUV që fillimisht këmbëngulnin për sëmundjen laringo-trakeit, me mungesën e transparencës me publikun që nuk u informua në kohë për situatën, me moszbatimin në kohë të karantinës nga zonat e prekura nga gripi, por edhe me lojërat mes institucioneve për të shmangur përgjegjësitë, Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim për të zbuluar nëse gjithçka u bë për të mos përhapur panik, apo nëse u tentua që qytetarëve t'u fshihet e vërteta?

Report Tv komunikoi me të gjitha institucionet që ligji i ngarkon me përgjegjësinë për të eliminuar vatrat ku është përhapur gripi i shpendëve.

Bashkia e Shijakut thotë se nuk ka pasur asnjë rol në këtë proces, pasi procedurat janë nisur nga 'Bujqësia' dhe 'Turizmi'.

Report Tv konstaktoi me Sulemjan Kullollin, përgjegjës për eliminimin e vatrave me grip shpendësh, i cili se në procesin e groposjes kanë qenë edhe përfaqësues të pushtetit lokal të Shijakut, inspektorë të mjedisit dhe shërbimi veterinar. Që këtu, lind pikëpyetje e parë që ngre dyshime se kush po thotë të vërtetën. Edhe pse prokuroria ka nisur hetimet, Kullolli iu përgjigj report Tv se gjatë procesit të groposjes nuk ka qenë i pranishëm asnjë oficer i policisë gjyqësore.

Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Arta Dollani, e pyetur nga Report v, se i u  përzgjodh vendi i përshtatshëm për groposjen e pulave, tha se vendimi është marrë bashkërisht, me bashkinë e Shijakut, drejtorinë e Veterinarisë dhe Mjedisin. Ajo tha se janë përmbushur të gjitha kriteret që përcakton ligji për groposjen e pulave me grip shpendësh, pra nuk ka bimësi pranë, ujëra nëntokësore dhe as nuk është zonë e banuar. Ajo tha se vendi për groposjen e pulave në Shijak u caktua të hënën, ndërsa kërkesës së Report Tv për të siguruar një shkresë zyrtare mbi procesin e groposjes, Dollani iu përgjigj duke thënë se gjithçka e ka në dorë Ministria e Bujqësisë.

340 mijë pula ngordhën në 2 nga pularitë më të mëdha në Durrës gjatë 2 javëve të fundit, ndërsa ka dyshime se gripi i shpendëve po përhapet edhe zona të tjera.

Ora 17:14
Pa leje dhe pa respektuar procedurat, kompania ‘Ovvital’ gropos pulat e ngordhura

Kompania Ovidal e vezëve, në mënyrë të paligjshme ka groposur pulat e ngordhura për shkak të gripit të shpendëve, pa asnjë leje nga institucionet përkatëse dhe pa procedurën strikt të dizifektimit, inventarit dhe protokollimin e numrit të pulave të ngordhura në prani të specialistëve.

Pulat janë groposur në një arë në Sukth të Durrësit ku edhe është vendosur stabilimenti i ‘Ovital’.

Ora 14:53
8 pyetje dhe përgjigje, çfarë është gripi i shpendëve dhe sa i prek njerëzit

Shqipëria është në listën e vendeve të Evropës të prekur me virusin e gripit të shpendëve, virusi H5N8. Por çfarë është kjo sëmundje dhe sa i prek njerëzit! Gripi i shpendëve është një sëmundje e shpendëve të egër, por prek gjithashtu shumë lloje shpendësh shtëpiake, përfshirë pulat, rosat, gjelat dhe patat. Shkaktohet nga viruset e gripit të tipit A dhe ka disa nëntipe të viruseve të gripit që mund të infektojnë zogjtë. Ky grip prek edhe njerëzit, madje ka pasur ndër vite, raste infektimi që kanë ndodhur për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me zogjtë e sëmurë ose të ngordhur që e kanë transmetuar virusin nëpërmjet pështymës, mukusit dhe feces.  Kur viruset e gripit të shpendëve infektojnë njerëzit, ka simptoma pak a shumë të dukshme që prekin kryesisht traktin respirator, ethe dhe kollë, zakonisht, por edhe pneumoni, vështirësi të rënda në frymëmarrje dhe, në rastet më të këqija edhe pse të rralla, vdekje.

1. Çfarë është gripi i shpendëve?

Ashtu si edhe njerëzit, shpendët mund të preken nga gripi. Ka 12 lloje të gripit të shpendëve. Viruset më ngjitës, që tek shpendët zakonisht janë vdekjeprurës, janë H5 dhe H7. Lloji që shkakton më tepër shqetësim është virusi vdekjeprurës, H5N1, i cili mund të shkaktojë vdekjen tek njerëzit.  Shpendët shtegtarë, veçanërisht rosat e egra, janë bartësit e natyrshëm të viruseve, por vetë nuk kanë të ngjarë të preken nga virusi. Por rreziku qëndron aty se rosat e egra mund t'ia kalojnë virusin shpendëve shtëpiake që janë më të ndjeshme ndaj virusit.

2. Si kalon virusi tek njerëzit?

Për njerëzit, shumica e llojeve të gripit të shpezëve viruset përgjithësisht nuk janë të rrezikshme. Sidoqoftë, mutacionet, si në rastin e nëntipeve të virusit H5N1, H7N9 ose patogjenit H5N5, mund të bëjnë që njerëzit të infektohen në kafshë. Pasi të infektohet, një virus i tillë mund të shkaktojë sëmundje të rëndë të ngjashme me atë pneumoni. Në disa raste, një infeksion i tillë me virusin e gripit të shpendëve madje mund të marrë një rrjedhë fatale. Për virusin e shpendëve mendohej se prekte vetëm shpendët deri kur u zbuluan raste të njerëzve te infektuar me të, në Hong Kong në vitin 1997. Njerëzit infektohen me virusin kur janë në kontakt të ngushtë me kafshët e gjalla të infektuara me virusin. Shpendët e nxjerrin virusin gjatë jashtëqitjes, me glasën, e cila pasi thahet mund të kthehet në pluhur i cili mund të thithet nga organet e frymëmarrjes. Simptomat janë të ngjashme me ato të llojeve të tjera të gripit - ethe, lodhje, dhimbje fyti e kollë. Ekspertët tani janë të shqetësuar sepse shkencëtarët po studiojnë raste të të infektuarve me këtë virus në Vietnam ku kanë gjetur se virusi nuk prek vetëm mushkëritë por gjithë pjesët e tjera të trupit. Kjo do të thotë që shumë sëmundje, madje dhe vdekjet, që mund më parë mund të jenë menduar se janë shkaktuar nga diçka tjetër, mund të kenë qenë në fakt si rezultat i virusit të gripit të shpendëve.

3. Cilat janë simptomat e njerëzve të infektuar?

Infeksioni me gripin e shpezëve mund të shfaqet te njerëzit në mënyra të ndryshme. Spektri varion nga rastet pa shenja të sëmundjes në një rrjedhë fatale, shpesh për shkak të pneumoni shkaktuar nga virusi. Simptoma të tilla si ethe, kollëdhe të dridhura janë të ngjashme me ato të një normale grip ose te renda të ftohtë. Nëse infeksioni me shpendët grip dyshohet, duhet të kërkohet menjëherë një mjek dhe të shmanget kontakti me njerëz të tjerë për mbrojtjen e tyre. Simptomat e mundshme të gripit të shpendëve përfshijnë: Temperaturë e lartë; Kollë (deri në gulçim); Dhimbje të fytit; Diarre; Më pak të vjella dhe dhimbje stomaku.

4. Është e mundur që gripi i shpendëve të ndalohet para se të futet në një vend të caktuar?

Fakti se ai bartet nga shpendë shtegtarë kjo e bën të pamundur ndalimin. Por kjo nuk do të thotë që ai do të kalojë tek shpendët shtëpiake. Ekspertët thonë se kontrollet efektive të shpendëve, siç është ndalimi i shpendëve shtegtarë të futen ne kotecët e pulave, do ta ndalonte një gjë të tillë.

5. A mund të kalojë virusi nga një njeri tek tjetri?

Në shumicën e rasteve, njerëzit e kanë marrë virusin kur kanë qenë në kontakt të ngushtë më shpendët e infektuara. Mund të ketë pasur kalime të virusit nga një person tek tjetri por jo të asaj shkalle për tu kthyer në epidemi. Në vitin 2004 dy motra vdiqën në Vietnam. Ato mund të kenë qenë infektuar me virusin nga vëllai i tyre qe vdiq nga një sëmundje respiratore paindentifikuar.

6. A ka vaksinë?

Ende nuk është përgatitur vaksina e saktë kundër virusit, por janë prodhuar prototipe që ofrojnë mbrojtje ndaj tij. Por ilaçe antivirale, si Tamiflu, të cilat gjenden në Britani të Madhe, mund të eliminojnë simptomat dhe ulin mundësitë e shpërndarjes së virusit. Shkencëtarët thonë se është e mira të sigurohen ilaçe të tjera të të njëjtës familje si Relenza (zanamivir).

7. Të vazhdoj të haj mish pule?

Po. Ekspertët thonë se gripi i shpendëve nuk është virus që shfaqet nga ushqimi, prandaj mishi i gatuar i shpendëve mund të hahet. Të vetmit njerëz në rrezik janë ata që janë në kontakt të ngushtë me shpendët e gjalla, ata që punojnë në thertore apo ata që përgatisin ushqime me shpendë. Por OBSH rekomandon që mishi i pulës të gatuhet në temperatura jo më pak se 70 gradë Celsius. Edhe vezët të gatuhen plotësisht.

8. Çfarë masash duhen marrë?

Masat parandaluese që duhen ndjekur në prani të shpërthimeve të gripit të shpendëve janë si më poshtë: Në vendet në rrezik shmangni kalimin dhe ndalimin në tregje ose ferma ku ka kafshë të gjalla;  Shmangni kontaktin me sipërfaqet e ndotura nga jashtëqitjet e shpendëve ose nga aktivitetet e mishit; Shmangni kontaktin me zogjtë, të ngordhur apo të gjallë; Mos hani mish shpendësh ose vezë të pa gatuara mirë; Përdorni enë të ndryshme për mishin e gatuar dhe të papërpunuar në përgatitjen e ushqimit; Lani duart shpesh me një detergjent.

Ora 14:37
Zv. ministrja e Bujqësisë: Ja ku janë vatrat e konfirmuara me grip shpendësh

 

Zv. ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka deklaruar se përveç pulave të ngordhur anë Durrës si edhe pelikanit kaçurrel në Prespë, nuk ka vatra të tjera që është raportuar gripi i shpendit.

"Kemi një rast të konfirmuar të pelikanit në zonën e Prespës, pelikanët janë konstatuar më parë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, po te pelikanët, Sapo kemi marrë njoftimin, filloi në zbatim plani i kontigjencës, monitorimi dhe krehja e zonës, në monitorim u identifikua një pelikan i ngordhur dhe rezultoi pozitiv. Nuk kemi vatra të tjera, po vijojmë monitorimit, rastet e dyshimta vijnë në ISUV. Deri tani jemi në terren, duke monitoruar, në të gjithë vendin dhe rezultatet raportojnë që nuk kemi raste të evidentuara", tha ajo.

Ora 14:27
Zv.ministrja e Bujqësisë: Nuk ka pula të infektuara që shiten në treg

 

Zv, ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci  është shprehur se konsumatori nuk duhet të ketë frikë, pasi sipas saj nuk ka pula të infektuara në treg.

"AKU është në terren, është në zbatim të planit të tij, është tërhequr partia e vezëve nga tregu, për të dhënë garanci për konsumatorin. Nuk bëhet fjalë që të ketë pula të infektuara në treg, nuk ka problematika të tilla", tha Gjeci  .

Ora 14:26
Zv, ministrja e Bujqësisë: 340 mijë shpendë të ngordhur nga gripi i shpendëve! 120 mijë pula të sëmura do të asgjësohen

 

Zv, ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka dhënë detaje mbi procesin e groposjes së pulave.

"340 mijë shpendë, ka nisur procesi i 120 mijë shpendëve që ndodhen në të njëjtat kapanone, po respektohen të gjitha procedurat oër shuarjeve e vatrës, po kryhen tamponet, po informohen fermerët, është siguruar mjetet mbrojtëse për veterinerët. Shërbimi veterinar është çdo ditë në terren, po kryen dhe survejanë në të gjithë fermat, fermat që konstatojnë problematike për shpend të ngordhur, përveç karantinimit duhet të kontaktojnë veterinerin", tha Gjeci.

Ora 12:23
Groposja e pulave të ngordhura, institucionet vijojnë 'ping-pong', s'ka transparencë për procesin

 

Institucionet në vend sërish kanë përplasje mes njëra tjetrës, tani më për procesin e groposjes së pulave të ngordhura si rezultat i gripit të shpendëve. Sulemjan Kullolli, përgjegjës për eliminimin e vatrave me grip shpendësh në një komunikim nga Report Tv thotë se në terren për procesin e groposjes janë inspektorët e mjedisit, shërbimi veterinar, përfaqësues nga pushteti vendor i Shijakut për monitorim.

"Agjencia kombëtare e mjedisit ka bërë vlerësimet për vendin e groposjes. Pulat e groposura deri më tani nuk ka shifër të saktë, po mbahen procesverbale, procesi mund të zgjasë disa ditë, pasi edhe Transporti do kohë se vendi është larg. Kamionët i ka siguruar bashkia e Shijakut, që bën të mundur edhe hapjen  e gropës.  Në terren në procesin e groposjes janë: Inspektorët e mjedisit, shërbimi veterinar, përfaqësues nga pushteti vendor i Shijakut për monitorim", tha Kullolli për Report Tv.

Mirëpo, nga ana e Bashkisë, ata thonë se nuk kanë asnjë përfaqësues në terren pasi nuk janë njoftuar mbi këtë proces.

Ora 11:55
Pulat e ngordhura do groposen në Shijak, Bashkia: Procedurat nga 'Bujqësia' dhe 'Mjedisi'! 2 ministritë zero reagim

1647867624_PULA.jpg

Shijaku do të jetë zonë ku do të groposen pulat e ngordhura si pasojë e gripit të shpendëve. Report Tv ka kontaktuar zyrtarisht Bashkinë e Shijakut, për të mësuar mbi kriteret e përzgjedhjes së kësaj zone dhe rolin që ka qeverisja vendore në këtë rast. Në përgjigje, thuhet se e gjithë procedura është kryer nga Ministria e Bujqësisë (Drejtoria Veterinare) dhe Ministria e Mjedisit. Report Tv ka tentuar të komunikojë me përfaqësues nga 2 ministritë, por nuk ka pasur asnjë reagim.

Ora 11:08
Ngordhin 60 pula në Divjakë, dyshime për gripin e shpendëve, kampionët e gjakut merren pa veshje dhe mjete mbrojtëse! Fshatarët groposin pulat e ngordhura në kanal

Rreth 60 krerë pula kanë ngordhur në një fermë në fshatin Gur të Divjakës. Ato janë groposur në një kanal pranë fermës, duke rrezikuar përhapjen e infeksionit në gjithë pulat e fshatit.

"S'kemi më asnjë pulë, ngordhën të gjitha dhe i hodhëm në një kanal këtu poshtë", tha pronarja e fermës".

Miresie Dervishi thotë se tufa është shuar brenda dy netësh, ku kanë ngordhur të gjitha pulat e fushës dhe ato të detit.

"Të gjitha ngordhën, nuk kemi therur për të ngrënë, i hodhëm se nuk haheshin, mishi ishte bërë ngjyrë blu në trup dhe ngjyrë e zezë në shtyllën kurrizore", tha ajo.

Familja Dervishi ka njoftuar veterinerin Ardian Kaja, i cili siç shihet në pamje merr kampionët e gjakut pa asnjë masë mbrojtëse, duke shtuar kështu rrezikun për përhapjen e sëmundjes. Veterineri tha se kampionët e gjakut do të çohen në Institutin e Veterinarisë, ku do të përcaktohet infeksioni apo virusi që ka prekur shpendët.

"Ne po marrim analiza gjaku për sëmundje infektive. Analizat do shkojnë nesër në Tiranë, kemi marrë 15-15 kampione në zonat bregdetare, do të presim përgjigjet", shprehet Ardian Kaja, veneriner i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë në Lushnje.

Dyshimet e para janë për gripin e shpendëve që ka prekur masivisht pularitë në Durrës.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 23/03/2022 03:02

    Keta te Divjakes duhen gjobitur mire per vendin qe zgjodhen per t'i groposur,ne kanal.Sikur neser ai kanali te mbarte uje,qofte dhe shiu,ku shkon ai uje? Jam dakord me /FLORIN/qe duheshin djegur,por dhe gelqerja e ndezur do ndihmonte shume ne keto raste.

    Përgjigju
  • Flori: 22/03/2022 17:30

    Duhet te kishit incenerator per te djegur pulat,,,mor horra,,mor hajdute....apo e kishit per here te pare....

    Përgjigju
  • Meri: 22/03/2022 16:02

    Denancojeni kete Ministri,per gjithecka qe ju pretendoni,vetem me lajme ne gazete nuk ndryshon asgje.

    Përgjigju
  • Asnjanjes: 22/03/2022 14:18

    Meqe jeni redaksi asnjanjese duhet te permendni dhe Km Rana si njeri jo transparent. Kur vjen puna tek opozita gjithmone saliu dhe grupey e veta ekstremiste prishin vendin. Vendin eprish pushteti vella. Dhe kjo qeveri pa opozite sdi cfare ben dhe reformat populiste i duket sikur ka bere namin. Jemi deshmitare qe cilesia dhe kontrolli i ushqimeve jane degraduat ne keto vite qeverisjeje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?