Partia Demokratike, me anë të grupit të saj parlamentar, i kërkon Kuvendit mbledhjen urgjente të Këshillit të Imuniteteve, para se Prokuroria të arrestojë deputetin Ervin Salianji, duke e cilësuar kërkesën për ekzekutim të vendimit si të paautorizuar nga Parlamenti dhe në shkelje kushtetuese.
Kërkesa iu drejtua sot (27 Shtator) kryeparlamentares Elisa Spiropali dhe ka të bëjë me dënimin me 1 vit burgim të deputetit të PD-së, Ervin Salianji, për "kallëzim të rremë", për dosjen "Babale", vendim i lënë në fuqi dje nga Apeli i Tiranës.
PD e cilëson vendimin të padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës, duke injoruar edhe Kuvendin. Ervin Salianji ishte sot i pranishëm në selinë blu, para se Prokuroria të ekzekutojë vendimin dhe gjithashtu para mbledhjes së grupit të PD në orën 12:00.
"Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë", thuhet ndër të tjera.
PD e cilëson vendimin "një akt hakëmarrës politik".
"Me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një cështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës", thuhet në kërkesë.
Kërkesa e grupit të PD:
“Lënda: Kërkesë për mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit
Drejtuar: Znj. Elisa SPIROPALI
Kryetare e Kuvendit
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.
Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”.
Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.
Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)