Ekonomi

Sejko te ‘Ekonomia’: Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është cenuar! Të shqetësuar për ndërtimin, por s’ka sinjale ‘flluske’

13 Tetor, 12:34| Përditesimi: 13 Tetor, 19:16

  • Share

Pavarësia e Bankës së Shqipërisë po cenohet nga presionet. Këtë denoncim guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko e bëri përpara ligjvënësve në Komisionin e Ekonomisë. Sejko tha se për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj. Guvernatori evitoi të sqaronte më tej këtë argument në Komisionin e ekonomisë ku qëndroi për afro katër orë.

“Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, shpesh herë ka element që ndikojnë në cenimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë nga shumë faktorë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari që janë jashtë tagrit ligjor të Bankës së Shqipërisë, ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyjë në detaje. Për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem”, tha Sejko”, tha Sejko.

Ndërtimi dhe efektet e tij në ekonomi, ishte një nga temat më të debatuara, përfshirë dyshimet e ngritura nga deputetë për rrezikun e një flluske të sektorit

“A do të ketë flluskë apo jo? Ne ndaj kemi marrë masa për të ndaluar ndonjë flluskë. Për momentin nuk kemi sinjale për flluskë në ndërtimin, kemi bërë një studim të detajuar për sektorin ja kemi dërguar presidentit Begajt, kryeministrit dhe parlamentit ku kemi dhënë edhe disa rekomandime”, tha Sejko.

Për të shmangur një shtrenjtim edhe më të shpejtë të pronave por edhe për të mbrojtur bankat nga përsëritja e një krize si në 2008-ën, Banka Qendrore kufizoi kredinë për blerje banesash.

“Shqetësimi ynë parësorë është që mos të ndikojë në kreditim, ngjashmërisht me krizën e 2008-ës kur në Amerikë falimentuan bankat dhe tregu u fry u fry deri në momentin kur çmimet ranë, ra vlera e kolateralit dhe natyrisht kreditë nuk paguheshin më. Ndaj ne kemi marrë masat tona”, thotë guvernatori.

Sektori i pasurive të patundshme bashkë me turizmin, po ‘zëvendësojnë’ industrinë e bujqësinë e cila është në krizë. Por për t’u rikthyer këtyre aktiviteteve zhvillimin, masat janë në dorë të qeverisë dhe jo bankës thotë guvernatori.

 “Duhet të ndërmerren reforma strukturore për bujqësinë dhe industrinë, i merr qeveria, ndërsa Banka e Shqipërisë i ka bërë ato që ka mundur. Gjetja e një ekuilibri të drejtë midis diversifikimit dhe specializimit të strukturës sonë ekonomike, mbetet një detyrë parësore, e cila duhet të mbahet në vëmendje si nga sektori publik dhe nga ai privat”, tha Sejko.

Sa i takon kursit të këmbimit, guvernatori tha se valutat do të forcohen vetëm nëse ekonomia ngadalësohet.

“Ne kemi tërhequr deri më tani 800 milionë euro dhe shifra do të rritet edhe më tej, por ne nuk i publikojmë që të mos nxisim spekulime në treg”, tha Sejko.

Sejko tha se ekonomia ka vijuar të rritet dhe trendi pozitiv do të vijojë edhe përgjatë viteve të ardhshme, edhe pse rreziqe të ndryshme janë prezentë.

"Në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë, perspektiva e zhvillimeve ekonomike të vendit mbetet pozitive. Skenari ynë bazë i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, në horizontin afatmesëm. Rritja e qëndrueshme ekonomike do të krijojë premisa për rritje të punësimit, të pagave e të mirëqenies. Megjithatë, rreziqet mbi të ardhmen nuk mungojnë. Në horizontin afatshkurtër, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare mund të kenë pasoja potencialisht negative mbi rritjen ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend. Këto rreziqe duhen monitoruar në vazhdimësi, për t’i paraprirë – në rast materializimi të tyre – një përgjigje sa më të koordinuar dhe efektive të politikave makroekonomike”, tha guvernatori Sejko.

Përtej ecurisë pozitive Banka e Shqipërisë ka 5 rekomandime për qeverinë, në mënyrë që ekonomia të mos cenohet nga sfidat që ka përpara, nga përmirësimi i klimës së biznesit, tek shpërndarja e investimeve të huaja e deri tek adresimi i sfidës demografike e plakjes së popullsisë.

“Në vizionin tonë, reformat strukturore të nevojshme për të adresuar sfidat e mësipërme duhet të synojnë: (i) rritjen e produktivitetit, nëpërmjet investimeve të mëtejshme në arsim e shëndetësi, dhe përmirësimin e klimës së biznesit; (ii) ruajtjen e fokusit në zgjerimin e përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës publike; (iii) promovimin e konkurrencës, ndër të tjera nëpërmjet reduktimit të mëtejshëm të informalitetit; (iv) nxitjen e investimeve të huaja direkte në sektorë strategjikë, si industria dhe energjetika; si dhe, (v) ruajtjen e fokusit në stabilitetin makroekonomik. Trendet e pafavorshme demografike nënkuptojnë plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës, në afatin e gjatë. Këto trende, të pranishme në të gjitha ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, tentojnë të frenojnë rritjen e produktivitetit dhe cenojnë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve”, u shpreh Sejko.

Banka e Shqipërisë gjykon se masa duhet të merren edhe për të pasur rritje të gjerë ekonomike, dhe jo të përqendruar në disa sektorë.

“Ekonomia shqiptare vijon të ketë një zhvillim të diferencuar të ekonomisë, në aspektin sektorial. Zhvendosja e resurseve njerëzore e financiare midis sektorëve ka ndihmuar rritjen ekonomike dhe ka sjellë një rritje të nivelit të përgjithshëm të produktivitetit në ekonomi. Megjithatë, gjetja e një ekuilibri të drejtë midis diversifikimit dhe specializimit të strukturës sonë ekonomike, mbetet një detyrë parësore, e cila duhet të mbahet në vëmendje si nga sektori publik dhe nga ai privat”, tha guvernatori.

Ora 14:46
Guvernatori Sejko denoncon: Bankës i kërkohet llogari jashtë tagrit, po cenohet pavarësia (VIDEO)

Guvernatori Gent Sejko ju përgjigj edhe pyetjes së ngritur nga deputetja e PD-së Jorida Tabaku, se si e vlerëson vetë Sejko pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori Sejko tha se këtij institucioni shpesh i kërkohet llogari jashtë tagrit që mbulon duke ushtruar kështu presion dhe cënim të pavarësisë. Sejko tha se për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj.

“Pavarësia e Bankës së Shqipërisë, shpesh herë ka element që ndikojnë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari që janë jashtë tagrit të saj, ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyjë në detaje. Për shkak të këtij presioni Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem”, tha Sejko.

Pjesë nga debati
Sejko: Nëse kërkohet që Banka e shqipërisë të jetë e fokusuar tek bujqësia, nga juve si parlament.... (e ndërpresin deputetët)
Tabaku: Pra ta kemi bërë ne presionin
Sejko: Jo nuk them vetëm komisioni
Tabaku: T’ju kërkojmë ne që të marrin fermerët kredi, nuk besoj se ju cenojmë 
Sejko: Nejse... do vijojmë me detyrat tona brenda tagrit tonë

Ora 13:11
Banka kufizoi kredinë për pasurinë e paluajtshme, Sejko: Të parandalojmë mundësinë e përsëritjes së krizës së 2008-ës

Nga 1 korriku kredia për blerje banesash u kufizua me vendim të Bankës së Shqipërisë në mënyrë që bankat të mos ekspozohen më tej në këtë treg, pasi volumi më i lartë i kredisë që japin bankat shkon për këtë sektor.

Guvernatori tha në Komisionin e Ekonomisë se masat e marra, janë më shumë parandaluese ose mbrojtëse të sistemit bankar që të mos përsëritet kriza e 2008-ës.

“Për tregun e pasurive të paluajtshme, është një treg që po zhvillohet. Ne e shohim tregun në tërësi në raport me sektorin financiar. Shqetësimi ynë parësorë është që mos të ndikojë në kreditim, ngjashmërisht me krizën e 2008-ës kur në Amerikë falimentuan bankat dhe tregu u fry u fry deri në momentin kur çmimet ranë, ra vlera e kolateralit dhe natyrisht kreditë nuk paguheshin më. Ndaj ne kemi marrë masat tona”, thotë guvernatori.

Përpos kufizimeve Sejko tha se bankat aktualisht janë në kushte të mira ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme.

“Sistemi bankar është i kontrolluar nga ekspozimi në këtë treg, por ne kemi marrë masa për të rregulluar ekspozimin më tej në këtë treg. E rëndësishme është që rritja e çmimeve të pronave duhet të shkojë në paralele me rritjen e të ardhurave të familjeve”, tha Sejko.

Kur kredia kërkohet në lekë për të blerë banesën e parë, banka mund të japë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%. 

Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa për kredinë e dytë etj. ulet në 35%. 

Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Sa u përket kësteve mujore, ato do të jenë sa 35% e totalit të të ardhurave të individin për huanë e shtëpisë së parë, dhe 30% kur është kredi për të blerë një pronë të dytë apo më shumë.

Ora 13:09
Tkurrja e Valutave/ Braçe-BSH: Parashikoni kursin! Sejko: E pamundur, valutat forcohen nëse ekonomia bie! 800 mln € të blera këtë vit për të frenuar rënien

Deputeti i PS-së Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë këkrkoi nga Banka e Shqipërisë që të bëjë një parashikim mbi kursin e këmbimit, pasi industria dhe bujqësia po humbet nga zhvlerësimi i valutave.

“Do doja mobilizim të bankës për parashikueshmërinë e kursit të këmbimit”, tha Braçe.

Duke e konsideruar kursin e këmbimit ‘djallëzor’ guvernatori u përgjigj se është e pamundur të parashikohet kursi i këmbimi, dhe forcimi i valutave do të ndodhë vetëm nëse ekonomia dobësohet.

“Është e pamundur të bësh parashikim të kursit të këmbimit, është shumë djallëzor. Kursi i këmbimit natyrisht ndikon negativisht në prodhim apo tek ata që i kanë të ardhurat në euro. Duke qenë se kemi emigracion në rritje kemi të ardhura në euro që humbasin përfituesit. Duhet të kemi një ekonomi të dobët që të forcohen valutat”, tha Sejko.

Sejko njoftoi po ashtu se për 9 mujorin e këtij viti janë tërhequr nga tregu 800 milionë euro, nga 930 milionë euro që ishte totali i valutës së blerë vjet.

“Ne nuk kemi ndërhyrë asnjëherë në treg për të mbrojtur industri të caktuar, nuk është në tagrin tonë. Prodhuesit duhet të mbrohen me masa fiskale, jo me politika nga Banka e Shqipërisë. Ne kemi tërhequr deri më tani 800 milionë euro dhe shifra do të rritet edhe më tej, por ne nuk i publikojmë që të mos nxisim spekulime në treg”, tha Sejko.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?