Avioni me të cilin presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, udhëtonte të dielën pasdite drejt Plovdivit në Bullgari, u detyrua të ulej duke përdorur vetëm hartat e printuara, ër shkak të një sulmi të dyshuar rus që nxori jashtë funksionit sistemin GPS. Autoritetet bullgare dyshojnë se pas incidentit qëndron Rusia.
Lajmi, i publikuar fillimisht nga Financial Times, u konfirmua nga vetë Komisioni Europian. Avioni charter “zbriti i sigurt në destinacionin e parashikuar” dhe nuk pati “asnjë devijim rruge për shkak të incidentit”, sqaroi zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Eurocontrol, agjencia evropiane që mbikëqyr trafikun ajror, si dhe nga platformat që monitorojnë këto raste.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 31 gusht, në orët e pasdites. Avioni po e çonte von der Leyen në Plovdiv të Bullgarisë, kur pilotët, gjatë zbritjes, nuk mundën të përdornin sistemet elektronike të navigimit që ndihmojnë në një ulje të saktë dhe të sigurt, pavarësisht motit. Zyrtarët e përshkruan rastin si një “ndërhyrje ruse”. “E gjithë zona e aeroportit mbeti pa GPS,” tha njëri prej tyre për Financial Times. Pas një ore duke fluturuar mbi aeroport, piloti vendosi të ulej “manualisht”, duke përdorur hartat klasike të fluturimit, të cilat gjithmonë mbahen në kabinën e pilotit për raste emergjente.
Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mohoi çdo përfshirje ruse në defektin e navigimit të avionit të Von der Leyen: “Informacionet tuaja nuk janë të sakta”, tha ai për Financial Times. Ndërkohë, Podestà deklaroi në konferencën e rregullt ditore se “nga autoritetet bullgare kemi marrë informacione që flasin për një ndërhyrje të hapur nga Rusia”.
Edhe ministri italian i Transporteve, Matteo Salvini, u shpreh: “Nuk jam teknik i aviacionit. Lexova që Rusia mohon çdo përfshirje. Prandaj nuk komentoj mbi hipotezat”.
Incidenti është i fundit në një varg rastesh që lidhen me dyshime për ndërhyrje elektronike ruse në navigimin satelitor GPS. Von der Leyen kishte nisur të premten një tur që përfshinte shtatë vende të BE-së, Letoninë, Finlandën, Estoninë, Poloninë, Lituaninë, Bullgarinë dhe Rumaninë, të gjitha kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë, për të theksuar mbështetjen e Unionit ndaj tyre.
Të dielën, presidentja po udhëtonte nga Varshava drejt Plovdivit me një avion privat të marrë me qira nga Komisioni. Aty ajo u takua me kryeministrin Rosen Zhelyazkov dhe vizitoi një fabrikë municionesh. Në qytet e priste edhe një protestë e drejtuar nga lideri i partisë filo-ruse Revival, Kostadin Kostadinov.
“Jemi të vetëdijshëm, madje disi të mësuar me kërcënimet dhe intimidimet që janë pjesë e sjelljes armiqësore të Rusisë”, deklaroi Podestà, duke shtuar se “kjo nuk bën gjë tjetër veçse forcon edhe më shumë vendosmërinë tonë për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për të mbështetur Ukrainën”. Incidenti, sipas saj, tregon “urgjencën e misionit që presidentja po zhvillon këto ditë në shtetet kufitare” dhe mbi të gjitha se “BE-ja do të vazhdojë të investojë edhe më shumë në mbrojtje dhe përgatitjen e Europës”.
Prej muajsh, vendet e BE-së që kufizohen me Rusinë kanë raportuar rritje të aktiviteteve elektronike që ndërhyjnë në fluturime, lundrim dhe dronë. Në qershor, trembëdhjetë shtete i dërguan një letër Komisionit për të tërhequr vëmendjen mbi problemin.
Brukseli po përgatit një plan të posaçëm për aviacionin, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Ajrore të BE-së (EASA), Eurocontrol-in, shtetet anëtare, ofruesit e shërbimeve të navigimit ajror dhe industrinë e prodhimit. Komisioni ka sanksionuar tashmë disa kompani të përfshira në aktivitete që lidhen me ndërhyrjen në sinjalin GPS dhe është zotuar të mbështesë kërkesat e dëmshpërblimit të paraqitura nga disa vende baltike kundër Moskës pranë Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO)./Corriere della Sera
Foto: Dmitry Peskov
Zëdhënësi i Presidentit rus Dmitry Peskov e ka cilësuar jo të vërtetë pretendimin se Rusia ishte e përfshirë në ndërhyrjen në navigimin e aeroplanit që po udhëtonte Ursula von der Leyen.
"Informacioni juaj (në lidhje me përfshirjen e supozuar të Rusisë) është i pasaktë", tha zëdhënësi i Kremlinit për Financial Times.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, deklaroi në një konferencë për shtyp se aeroplani që udhëtonte von der Leyen në qytetin bullgar të Plovdivit kishte përjetuar një mosfunksionim në sistemin e tij elektronik të navigimit ndërsa po i afrohej aeroportit.
Sipas Itkonen, Komisioni Evropian kishte marrë informacion nga autoritetet bullgare se mosfunksionimi ishte shkaktuar nga "ndërhyrja ruse".
Komente
