VLORË- Një 15-vjeçar, me spektrin e autizmit, është vënë në hetim nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se ka organizuar një sulm haker ndaj disa institucioneve shtetërore në vend. Blutë e Vlorës informojnë se i mituri, gjatë muajit mars 2025 ka arritur që të ndërhyjë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (email-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore.
Deri më tani nuk bëhet me dije se cilat janë institucionet që kanë re pre e sulmit haker, por burime për Report Tv bëjnë me dije se bëhet fjalë për 6 institucione në qytetin e Vlorës. Pavarësisht sulmit, blutë theksojnë se nuk ka rezultuar të ketë vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme. Të njëjtat burime i thanë gazetarit të Report Tv, Armand Xhelili, s ei mituri ka tentuar që të organizojë sulm haker edhe ndaj Kuvendit dhe SHISH, por nuk ka arritur.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se i mituri ka vepruar i vetëm, ndërsa i pyetur nga policia ka deklaruar se sulmin e ka bërë për kuriozitet. 15-vjeçari u zbulua në kuadër të operacionit Accountant pas një hetimi 1-mujor. Gjatë operacionit u sekuestruan disa pajisje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron.
Lajmi për sulm haker ndaj institucioneve në Vlorë vjen një ditë pasi u bë publik, se po gjatë muajit mars, një sulm ishte organizuar ndaj kundrejt e-mailieve të disa prej prokurorëve të SPAK. Sa i takon rastit të SPAK, hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT- që sipas tyre mbetet i pacënuar- por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore.
Njoftimi i policisë
Identifikohet, pas një hetimi 1-mujor me metoda speciale, dhe vihet në hetim një i mitur si autor i dyshuar.
Sektori i Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, Dega Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The Accountant”.
Ky operacion u zhvillua pas një hetimi intensiv njëmujor, të ndjekur me metoda speciale hetimi, në kuadër të goditjes së krimeve kibernetike.
Si rezultat i hetimeve, u dokumentua veprimtaria e kundërligjshme e një shtetasi të mitur 15 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në të dhënat kompjuterike të disa institucioneve shtetërore (email-e dhe faqe zyrtare), duke shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të tyre për periudha të caktuara kohore.
Nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar vjedhje të të dhënave apo dokumenteve konfidenciale nga këto sisteme.
Gjatë operacionit u sekuestruan disa pajisje, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të thelluara teknike, konkretisht: 5 kompjuterë laptop, 6 aparate celularë dhe 1 dron.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.
Komente

Ju kujtohet filmi /RAIN MAN/ me Tom Cruise e Dustin Hoffman? Hoffman luante rolin e vellait autistik me aftesi te shkelqyera ne kujtese e numra qe e ndihmoi T.Cruise te fitonte ne Cazino.Edhe ky djali ne Vlore qe ka bere hakerimin ka te njejtat aftesi,por kesaj radhe ne informatike.
Përgjigju