Politikë

Azgan Haklaj: Në PD Bardhi do ketë betejë të ashpër me Berishën, shkoi për t'i marrë partinë! Valteri: Saliut s’do i hiqet kurrë ‘non grata’

7 Shkurt, 17:44| Përditesimi: 7 Shkurt, 18:15

  • Share

Kritikat e kreut të grupit demokrat Gazment Bardhi nga SHBA-të ndaj Sali Berishës për SPAK-un dhe Primaret, debati dhe pakënaqësitë brenda PD-së për procesin e Primareve në parti dhe përplasjet për listat, ishin dy nga temat kryesore të debatit në “Studio Live”, ditën e sotme (7 Shkurt).

Të ftuar të moderatorit Arbër Hitaj në Report TV ishin ish-deputetët Halit Valteri dhe Azgan Haklaj, ku jashtë analizës nuk mbeti edhe diskutimi për votën e Diasporës, protesta e nesërme e Opozitës, partitë e reja dhe sherret mes tyre, si dhe çfarë do ndodhë me euroatlantikët e Lulzim Bashës.

Azgan Haklaj ndau mendimin se Gazment Bardhi nuk ka parime dhe ka shkuar te Berisha për t’i marrë partinë, por tani po lufton vetëm për t’u futur te lista e mbyllur për deputet, madje edhe duke kërcyer. Sipas tij, Bardhi ndodhet në dorën e Berishës aktualisht.

“Do ketë betejë të ashpër mes grupit të Gazment Bardhit dhe Berishës. Bardhi ka shkuar me mendimin se do ta marrë PD-në, se është i grupit të euroatlantizmit, por kjo duket edhe me lëvizjet dhe deklaratat e fundit. Por a do e detyrojë Berishën? E pamë, e detyroi të kërcente vallen e Berishës, me çifteli. Por çështja është se po shkojnë në zgjedhje me partinë në Gjykatë, ka bërë një padi për përvetësim titulli ndaj 12 deputetëve në Gjykatë, janë ende në konflikt, ka bërë padi penale, ai duhet të tregojë është tërhequr apo jo nga ajo. Kurse tani Apeli ia ka kthyer vulën Berishës dhe Bardhi duhet të na e thotë qartë padinë e tij të hershme kur ishte Sekretar.

Po ta shikosh lëvizjen e kryer vitet e fundit, këta të PD tani kandiduan te lista e LSI, listën e bëri Brahimllari, ku është Brahimllari tani? Te PS! Këshilltarët janë të Brahimllarit. Është kakofoni. E gjitha kjo është një lojë e Berishës me Ramën, i duhet një parti të ketë vetë 100% për të përdorur për goditjen ndaj drejtësisë dhe amerikanëve, si bunker ndaj drejtësisë. Bënë Kodin Zgjedhor, mori vulën etj.”, tha Haklaj.

Kurse për lobimet në SHBA të Berishës për të hequr non gratën, Haklaj u shpreh se kjo ishte e pamundur, pasi PD nuk ka asnjë kontakt me administratën e Trump aktualisht.

“Ata kanë shkuar në SHBA vetëm në parafushatë elektorale, jo paszgjedhore, nuk janë takuar me Trump. Vetëm Basha ka shkuar atje me ftesë, ka takur gjysmën e administratës së Trump. Kush shkoi të lobonte për Berishën? Edhe lajmi për SPAK, fondet dhe mbështetjen ishte një lajm i rremë, ju e patë mbështetjen që mori SPAK. SPAK do hetojë tani edhe krimet zgjedhore. Këta u tremben SPAK-ut”, tha ish-deputetit.

Haklaj ndau edhe mendimin se Berisha ka marrëveshje me Edi Ramën për të bërë betejë ndaj drejtësisë, ndaj SPAK-ut.

“Unë mendoj se është lojë e të dyve, e Ramës dhe Berishës, sepse ata kanë interes për të goditur drejtësinë, SPAK-un. Nuk kanë betejë për pushtetin, Rama pushtetin dhe Berisha opozitën, por beteja është për të mbajtur sistemin dhe ky është problemi”, shpjegon ai.

Ish-deputeti Halit Valteri shprehet se Sali Berishës nuk do i hiqet kurrë ‘non grata’ sepse ajo masë nisi me administratën Trump dhe u finalizua me atë të Biden. Sipas ish-ligjvënësit, më lehtë mund të ndodhë zhdukja nga politika e Berishës, sesa heqja e masës nga SHBA.

“PD nuk ka demokraci të brendshme. Aty është Sali Berisha, i pari deri te i pesti në radhë. Nuk mund të mbyllësh listat 60% e më tej të bësh Primare në parti. Duket si ushqim që i jepet njerëzve të PD-së. Përballë ka një supermazhorancë, që është e fortë. Ndërkohë që opozita është arrogante, e përçarë dhe e korruptuar. Do e votojnë si qingja në Parlament më 13 shkurt në parlament, se ndryshe nuk futen dot në listat e mbyllura, as Gazi nuk futet dot. Gazment Bardhi nuk është parimor, ku e ka parimin ai? Ai gëlltiti “Babi i zenit, Saliu”, ai ka vetëm pragmtizëm për mandatin e deputetit ndaj ka shkuar atje”, shprehet Valteri për Report TV.

Më më poshtë shpjegon përse Berishës nuk do i hiqet kurrë masa “non grata”, teksa Gazment Bardhin e cilëson jo parimor dhe ajo që bën më mirë janë “kallëzimet gojore”.

“Nuk do hiqet kurrë non grata e Berishës për sa kohë është nën akuzë për korrupsion dhe për sa kohë nuk merr dënimi formë e prerë. Pas kësaj mund të lobojë për ta hequr. Për sa kohë që një klub me histori u shndërrua me kulla e gradaçela për familjen e tij, për dhëndrin e tij, duhet të mbajë dhe damkën nga ndërkombëtarët dhe që minon demokracinë në vendin tonë. Nuk hiqet ajo damkë, nuk do ndodhë kurrë, pasi ajo non grata nisi me Trump dhe u finalizua me Biden. Mund të ndodhë vetëm zhdukja e tij nga politika. Por jo për të mbajtur kullat dhe bizneset e djalit, që i mban me firmën e kryeministrit Edi Rama. Kurse Gazment Bardhi bëri atë që bën më mirë, padi dhe kallëzim gojor”, thotë ish-deputeti.

Ora 18:11
Haklaj: Berisha po zgjedh si kandidat për kryeministër një pro-grek, që ta ndihmojë me non-gratën në SHBA! Valteri: Partitë e reja s’marrin asnjë deputet

Debati në “Studio Live” trajroi edhe çështjen e zgjedhjeve të 11 Majit dhe projeksionet e partive për mandate, referuar edhe sondazheve të Report Tv.

Për ish-deputetin Halit Valteri, mazhoranca është e padiskutueshme sipas sondazheve, teksa shprehu dyshime që edhe Lulzim Basha të siguronte një mandat për vete. Kurse për partitë e reja u shpreh se nuk kanë asnjë shans për deputet.

Kurse Azgan Haklaj ndau një lajm të fortë politik, ku rrëfeu se Berisha ka hallin personal për non gratën dhe familjen, pasi këtë po e tregon me negociatat për të përzgjedhur si emër të kandidatit për kryeministër një shqiptaro-amerikan progrek, që do e ndihmojë me lobimin në Amerikë.

“Partitë e reja janë delirante, flasin për 60 mandate, po atëherë i bie që PS e PD të dalin me 5 mandate! Unë mendoj se këta nuk marrin asnjë mandat në zgjedhje, nuk fitohen zgjedhjet me ‘like’ në rrjetet sociale. Madje nuk e di nëse edhe Basha e siguron mandatin e tij (i drejtohet Haklajt).

Ish-deputeti Haklaj, teksa e konteston për Bashën, duke i kujtuar koalicionin e gjerë dhe 100 mijë votat që siguruan nga zgjedhjet e fundit, ndan mendimin e njëjtë se partitë e reja nuk marrin deputetë.

“Jam dakord me Valterin se partitë e reja nuk marrin asnjë mandat dhe kanë më shumë pëlqime në rrjete sociale se vota. Kurse Rama e do afër Berishën dhe anasjelltas. Ata po bëjnë lojë, Berisha-Rama, ndaj sajojnë mitingjet te kryeministria”, tha ai.

Por nuk mungoi edhe në rrëfimin e një detaji interesant politiko-elektoral, ku pohoi se Berisha po kërkon të vendosë si kandidat për kryeministër një njeri pro-grek, teksa sa herë ka zgjedhje në Kosovë, Berisha sajon ngjarje në Shqipëri, sipas tij.

“Sa herë ka pasur zgjedhje në Kosovë, Berisha ka sajuar ngjarje në Shqipëri. Protestat në SPAK i bën për shkak të mitingjeve dhe protestave, ndaj ishte dhe ajo sot e FRPD. Berisha po negocion kandidatin për kryeministër për zgjedhjet që është një shqiptaro amerikan që në fakt është i lidhur me Greqinë. Por Berisha e dëshiron sepse ai do lobojë më tej në SHBA për t’i hequr edhe non gratën në Amerikë”, u shpreh ai.

Ora 17:59
Haklaj: Kemi krijuar Polin e Tretë, Demokratët Euroatlantikë të regjistruar, koalicion me 27 parti dhe lista të hapura! Valteri: Vetëm Basha dhe Gjin Gjoni kanë marrë leje lindjeje

Ish-deputeti Azgan Haklaj dha detaje nga koalicionet dhe aleancat e Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet e 11 Majit si parti dhe Pol i Tretë. Ai pohoi se tashmë janë regjistruar, është gjetur formula, do kandidohet me lista të hapura dhe aleancë me 27 parti politike, përfshi Alibeajn dhe Shehin.

“Basha është krijuesi i vetëm i tortës, por do jetë edhe përgatitësi i hallvës së “Trekëndëshit të Bermudës”. Më 9 Shtator Lulzim Basha do shpallë luftën me trekëndëshin, ndaj pushtetit të korruptuar, me mandate të krimit. Lulzim Basha ka një grup me 100 mijë vota. Po votove Ramën, ke dhe Berishën brenda. Ditën e hënë mblidhet Këshilli Euroatlantik, jemi të regjistruar, kemi gjetur formulën e duhur, jemi të regjistruar. Ne jemi alternativë konkurruese. Padiskutim Lulzim Basha del deputet, kini durim, jemi alternativ me doktrinë ekonomike”, tha Haklaj.

Në këtë moment ndërhyri ish-deputeti Valteri duke kujtuar të kaluarën e Lulzim Bashës.

“Ti ja ke marrë dorën denoncimeve (i drejtohet Halit Valterit) shko bëje me shkrim, denoncoje kunatin e Lulit nëse ke dokumente. Ti ke bërë bodigardin e Berishës dhe Bashës, pastaj u bërë edhe deputet. Basha bëri rrugën e Kombit, rrëzoi Ramën në Bashki, rrëzoi tigrin më 2005 (Arben Ahmetajn). Ditën e hënë ne shpallim kandidatët, jo të gjithë kandidatët, e vetmja parti e strukturuar. Jemi në negociata, nuk mund të flasim tani. Po bëhen bisedime, jemi bërë 27 parti. Ne e kemi themeluar Polin e Tretë, se po dëgjoj të tjerët për polin e tretë. Do mbledhin strukturat, forumin, me doktrinë deri kombëtare. Ndaj s’e fusin fare Bashën në sondazhe, se e kanë frikë. I ftojmë të gjitha partitë e tjera, janë edhe Shehi edhe Alibeaj, e kemi me lista të hapura. Do luftojmë dualizmin politik”, shpjegoi Haklaj për Report Tv edhe aleancat partiake të Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet.

Kurse Valteri e kundërshtoi duke kujtuar përsëri disa nga aferat e familjarëve të Lulzim Bashës, teksa kujtoi edhe ‘lejen e lindjes’ që kreu i Demokratëve Euroatlantikë përdori gjatë gjyqit për Rrugën e Kombit.

“Me cilin do vijë Luli, me kunatin. Luli vetëm tortën bëri kur ishte. E pati PD-në dhe nuk arriti gjë. Luli Vocërr e shtyu me leje lindjen Rrugën e Kombit për gjyqet. Dy njerëz e kanë kërkuar lejen e lindjes, gjyqtari Gjin Gjoni dhe Lulzim Basha. Për t’u justifikuar të mos shkonte në gjykatë. Turp nuk është të jesh bodigard, por të vjedhësh. Të marrësh leje si kunati i Lulit, të marrësh vila te Papuli dhe zyra, të përdorësh demokratët për të vënë gjoba”, akuzoi ish-deputeti Valteri.

Haklaj iu përgjigj:

“Shko pra, denoncoje! I bëjë me shkrim dhe kallëzoje në Prokurori”.

Valteri vijoi analizën e tij edhe për përmendjen e shpeshtë të emrit të Bashës nga Rama, teksa nuk i mungoi edhe krahasimet.

“Edi Rama e do Lul Bashën, i shpreh dashurinë. E përmend shpesh sepse e do shumë. S’kam asgjë me Bashën, i jam falënderues sepse dogji mandatet (ku hyri më pas vetë deputet me listat). Unë e kam me personazhin. Por që Basha është 100 herë më i mirë nga Berisha s’e vë në diskutim, që kunati Lulit ka vjedh më shumë se Zeni edhe këtë s’e vë në dyshim. Ai i ka pasur të gjitha mundësitë, të gjithë mbështetjen e aleatëve e ndërkombëtarëve, por edhe si intuitë politike”, tha Valteri.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?