Ish-deputeti Azgan Haklaj dha detaje nga koalicionet dhe aleancat e Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet e 11 Majit si parti dhe Pol i Tretë. Ai pohoi se tashmë janë regjistruar, është gjetur formula, do kandidohet me lista të hapura dhe aleancë me 27 parti politike, përfshi Alibeajn dhe Shehin.
“Basha është krijuesi i vetëm i tortës, por do jetë edhe përgatitësi i hallvës së “Trekëndëshit të Bermudës”. Më 9 Shtator Lulzim Basha do shpallë luftën me trekëndëshin, ndaj pushtetit të korruptuar, me mandate të krimit. Lulzim Basha ka një grup me 100 mijë vota. Po votove Ramën, ke dhe Berishën brenda. Ditën e hënë mblidhet Këshilli Euroatlantik, jemi të regjistruar, kemi gjetur formulën e duhur, jemi të regjistruar. Ne jemi alternativë konkurruese. Padiskutim Lulzim Basha del deputet, kini durim, jemi alternativ me doktrinë ekonomike”, tha Haklaj.
Në këtë moment ndërhyri ish-deputeti Valteri duke kujtuar të kaluarën e Lulzim Bashës.
“Ti ja ke marrë dorën denoncimeve (i drejtohet Halit Valterit) shko bëje me shkrim, denoncoje kunatin e Lulit nëse ke dokumente. Ti ke bërë bodigardin e Berishës dhe Bashës, pastaj u bërë edhe deputet. Basha bëri rrugën e Kombit, rrëzoi Ramën në Bashki, rrëzoi tigrin më 2005 (Arben Ahmetajn). Ditën e hënë ne shpallim kandidatët, jo të gjithë kandidatët, e vetmja parti e strukturuar. Jemi në negociata, nuk mund të flasim tani. Po bëhen bisedime, jemi bërë 27 parti. Ne e kemi themeluar Polin e Tretë, se po dëgjoj të tjerët për polin e tretë. Do mbledhin strukturat, forumin, me doktrinë deri kombëtare. Ndaj s’e fusin fare Bashën në sondazhe, se e kanë frikë. I ftojmë të gjitha partitë e tjera, janë edhe Shehi edhe Alibeaj, e kemi me lista të hapura. Do luftojmë dualizmin politik”, shpjegoi Haklaj për Report Tv edhe aleancat partiake të Demokratëve Euroatlantikë për zgjedhjet.
Kurse Valteri e kundërshtoi duke kujtuar përsëri disa nga aferat e familjarëve të Lulzim Bashës, teksa kujtoi edhe ‘lejen e lindjes’ që kreu i Demokratëve Euroatlantikë përdori gjatë gjyqit për Rrugën e Kombit.
“Me cilin do vijë Luli, me kunatin. Luli vetëm tortën bëri kur ishte. E pati PD-në dhe nuk arriti gjë. Luli Vocërr e shtyu me leje lindjen Rrugën e Kombit për gjyqet. Dy njerëz e kanë kërkuar lejen e lindjes, gjyqtari Gjin Gjoni dhe Lulzim Basha. Për t’u justifikuar të mos shkonte në gjykatë. Turp nuk është të jesh bodigard, por të vjedhësh. Të marrësh leje si kunati i Lulit, të marrësh vila te Papuli dhe zyra, të përdorësh demokratët për të vënë gjoba”, akuzoi ish-deputeti Valteri.
Haklaj iu përgjigj:
“Shko pra, denoncoje! I bëjë me shkrim dhe kallëzoje në Prokurori”.
Valteri vijoi analizën e tij edhe për përmendjen e shpeshtë të emrit të Bashës nga Rama, teksa nuk i mungoi edhe krahasimet.
“Edi Rama e do Lul Bashën, i shpreh dashurinë. E përmend shpesh sepse e do shumë. S’kam asgjë me Bashën, i jam falënderues sepse dogji mandatet (ku hyri më pas vetë deputet me listat). Unë e kam me personazhin. Por që Basha është 100 herë më i mirë nga Berisha s’e vë në diskutim, që kunati Lulit ka vjedh më shumë se Zeni edhe këtë s’e vë në dyshim. Ai i ka pasur të gjitha mundësitë, të gjithë mbështetjen e aleatëve e ndërkombëtarëve, por edhe si intuitë politike”, tha Valteri.
Lajmi kryesor:
Azgan Haklaj: Në PD Bardhi do ketë betejë të ashpër me Berishën, shkoi për t'i marrë partinë! Valteri: Saliut s’do i hiqet kurrë ‘non grata’
A.Q/r.k./ReportTv.al