Anëtari i PD në KAS, Elvis Çefa në një prononcim për mediat foli pas verifikimit të 94 kutive të Gramshit dhe Peqinit. Çefa tha se kanë evidentuar disa problematika si pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura apo kur procesverbalet nuk janë administruar sipas akteve nënligjore që përcakton Komisioni Rregullator.
Por Çefa thekson se është ende herët për të arritur në konkluzione, pasi procesi do të vijojë në faza të tjera, ku palët do të ridëgjohen në KAS, ku do të merret edhe vendimi për ankimin e PD për pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve për qarkun e Elbasanit.
“Është ende herët për të arritur në konkluzione, e keni parë vetë që ishim në fazën e grumbullimit të provave. Ky ishte qëllimi kryesor që unë dhe kolegu im vendosëm të hapim kutitë, për të administruar dhe rivlerësuar provat. Provat e administruara deri më tani, do t’i shpërndahen palëve, duke u dhënë kohën e nevojshme që të përpunojnë të gjitha të dhënat dhe t’u jepet mundësia të rishikojnë problemet e tyre. PD ka paraqitur në KAS një kërkesë për pavlefshmërinë dhe që të shkohet tek pavlefshmëria duhet që ky proces të nisë në formë piramidale duke nisur nga pavlefshmëria e kutive të votimit. Ky është një proces për t’u parë, do mblidhen rezultate, do konkuldohen dhe do paraqitet kërkesa në KAS, ku do kenë palët mundësinë të ri dëgjohen, të argumentuar mbi provat e mara dhe të mbledhura gjatë procesit të sotëm dhe më pas do konkludojmë pranimin ose jo të kërkesës ankimore. Tipologjia e gabime është ajo që është evidentuar edhe në seanca të tjera të KAS, ka pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura, ka raste të tjera kur procesverbalet nuk janë futur ose administruar në mënyrën që aktet nënligjore të komisionit rregullator përcaktojnë. E rëndësishme është se sa këto prova impaktojnë në vlefshmërinë e procesit zgjedhor, është ende herët se duhet të mbledhim rezultatet e gjithë zonës.
Pyetjes për pretendimet e PD për tren bullgar, Elvis Çefa iu përgjigjet kështu.
“Pasi pamë pamjet filmike, ne evidentuam që ka indicie që në qendra të caktuara procesi mund të jetë infektuar, prekur dhe kjo ishte arsyeja që vendosëm të hapim kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore. Në këtë prizëm mund të them që kishte indice, nëse do shndërrohen në prova kjo mbetet për tu parë në një moment të dytë, pasi të vlerësohet situata për çdo qendër votimi. Pala ankimuese s’ka kërkuar rinumërim, i qëndron pavlefshmërisë dhe është duke grumbulluar dhe administruar prova se sa do arrihet të vërtetohet në zona të caktuara votimi apo në qarkun Elbasan është herët. Rinumërimi nuk është produktiv në këtë rast”, tha Çefa.
Por a po i shërbejnë dy anëtarët e PD në KAS opozitës? Çefa thotë se vendimet i marrin si profesionistë.
“Kjo është pyetje që s’më takon të jap koment. Ne jemi profesionistë, juristë anëtarë të një organi kolegjial, flasim përmes vendimeve tona qoftë kur jemi me shumicën, qoftë kur jemi me pakicën”, theksoi Çefa.
Lajmi kryesor:
Hapen 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit/ ‘Zhduket treni bullgar’, PD gjen vetëm mospërputhje të vogla
SI.E./I.M/ReportTv.al
