Politikë

Hapen 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit/ ‘Zhduket treni bullgar’, PD gjen vetëm mospërputhje të vogla! Nesër rinumërohet Tirana

17 Qershor, 07:03| Përditesimi: 17 Qershor, 19:41

  • Share

Maratona gati një mujore e rinumërimit të votave të 11 majit nisi në Stadiumin “Farie Hoti” me hapjen e 94 kutive të qarkut të Elbasanit, përkatësisht qendrat e votimit të bashkive Peqin e Gramsh, ku PD mendon se ka pasur paligjshmëri aq sa zgjedhjet të anulohen.

Pas 6 orësh krahasim i fletëve në kuti, me materialet zgjedhore, u gjetën disa mospërputhje të izoluara dhe në dukje jo madhore, me diferenca të vogla, si psh: disa raste kur fletët e votimi nuk kishin dy vula nga komisioni por vetëm 1, ose asnjë, fletë votimi në kuti më shumë se sa zgjedhës pjesëmarrës në votim apo fletë votimi të papërdorura në kutinë e materialeve zgjedhore, më pak se sa janë shënuar në procesverbal.

“Ka procesverbale që nuk janë pasqyruar saktë. Ka disa pasaktësi që nuk e di ende nëse vlejnë sa për të shpallur zgjedhjet të pavlefshme në këtë qark”.

Gjetjet e hapjes së kutive ju dhanë partive dhe ato do të vijnë me pretendime përfundimtare të hënën kur KAS do zhvillojë mbledhjen përfundimtare të Elbasanit.

“Mund t'ju them se nuk jemi në rastin për rinumërim të plotë të qarkut. Nuk e ka kërkuar PD”

Tipologjitë kryesore të pasaktësive
1. Fletë votimi që nuk kanë dy vula nga komisioni, por vetëm 1 (rreth 15 raste)
2. Fletë votimi në kuti më shumë se sa zgjedhës pjesëmarrës në votim (diferenca me 1 apo 2 +- që mund të jenë edhe gabim njerëzor). 
3. Fletë votimi të papërdorura në kutinë e materialeve zgjedhore, më pak se sa janë shënuar në procesverbal. (Për këto raste PD pretendon tren bullgar, pra, dalje flete votimi jashtë qendrës)

Nesër rinumërohet Tirana

Me mbylljen e Elbasanit këtë të martë, të mërkurën në mëngjes, në orën 9:00 do të nisë rinumërimi i plotë i gjithë qarkut Tiranë. Ky proces do të marrë rreth 10 ditë, ku do ta hapen 1282 kuti votimi, për tu numëruar edhe vota e partive, edhe ajo mes kandidatëve. Më pas do rinumërohen 587 kuti të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora). Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.

Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.

Për cilat qarqe zhvillohet rinumërimi?
QARKU TIRANË
Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit
18 KZAZ
1.282 qendra votimi
QARKU FIER
Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët
9 KZAZ
587 qendra votimi
QARKU DURRËS
Rinumërim i plotë për:
111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22
126 QV të listuara nga PD-ASHM
60 QV të kërkuara nga PLL
Përfshirë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit
Në total: 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë)
QARKU ELBASAN
94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore)
Buxheti
7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve
8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike
4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse
Totali: Rreth 21 mln lekë të rinj

Ora 17:19
Hapen kutitë e Gramshit dhe Peqinit, anëtari i PD në KAS: Ka pasaktësi, por nuk e di sa vlejnë për pavlefshmërinë e rezultatit! Po përdoreni nga Berisha? Jemi profesionistë

Anëtari i PD në KAS, Elvis Çefa në një prononcim për mediat foli pas verifikimit të 94 kutive të Gramshit dhe Peqinit. Çefa tha se kanë evidentuar disa problematika si pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura apo kur procesverbalet nuk janë administruar sipas akteve nënligjore që përcakton Komisioni Rregullator.

Por Çefa thekson se është ende herët për të arritur në konkluzione, pasi procesi do të vijojë në faza të tjera, ku palët do të ridëgjohen në KAS, ku do të merret edhe vendimi për ankimin e PD për pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve për qarkun e Elbasanit.

“Është ende herët për të arritur në konkluzione, e keni parë vetë që ishim në fazën e grumbullimit të provave. Ky ishte qëllimi kryesor që unë dhe kolegu im vendosëm të hapim kutitë, për të administruar dhe rivlerësuar provat. Provat e administruara deri më tani, do t’i shpërndahen palëve, duke u dhënë kohën e nevojshme që të përpunojnë të gjitha të dhënat dhe t’u jepet mundësia të rishikojnë problemet e tyre. PD ka paraqitur në KAS një kërkesë për pavlefshmërinë dhe që të shkohet tek pavlefshmëria duhet që ky proces të nisë në formë piramidale duke nisur nga pavlefshmëria e kutive të votimit. Ky është një proces për t’u parë, do mblidhen rezultate, do konkuldohen dhe do paraqitet kërkesa në KAS, ku do kenë palët mundësinë të ri dëgjohen, të argumentuar mbi provat e mara dhe të mbledhura gjatë procesit të sotëm dhe më pas do konkludojmë pranimin ose jo të kërkesës ankimore. Tipologjia e gabime është ajo që është evidentuar edhe në seanca të tjera të KAS, ka pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura, ka raste të tjera kur procesverbalet nuk janë futur ose administruar në mënyrën që aktet nënligjore të komisionit rregullator përcaktojnë. E rëndësishme është se sa këto prova impaktojnë në vlefshmërinë e procesit zgjedhor, është ende herët se duhet të mbledhim rezultatet e gjithë zonës.

Pyetjes për pretendimet e PD për tren bullgar, Elvis Çefa iu përgjigjet kështu.

“Pasi pamë pamjet filmike, ne evidentuam që ka indicie që në qendra të caktuara procesi mund të jetë infektuar, prekur dhe kjo ishte arsyeja që vendosëm të hapim kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore. Në këtë prizëm mund të them që kishte indice, nëse do shndërrohen në prova kjo mbetet për tu parë në një moment të dytë, pasi të vlerësohet situata për çdo qendër votimi. Pala ankimuese s’ka kërkuar rinumërim, i qëndron pavlefshmërisë dhe është duke grumbulluar dhe administruar prova se sa do arrihet të vërtetohet në zona të caktuara votimi apo në qarkun Elbasan është herët. Rinumërimi nuk është produktiv në këtë rast”, tha Çefa.

Por a po i shërbejnë dy anëtarët e PD në KAS opozitës? Çefa thotë se vendimet i marrin si profesionistë.

“Kjo është pyetje që s’më takon të jap koment. Ne jemi profesionistë, juristë anëtarë të një organi kolegjial, flasim përmes vendimeve tona qoftë kur jemi me shumicën, qoftë kur jemi me pakicën”, theksoi Çefa.

Ora 15:49
Procesi i rinumërimit/ KQZ nuk lejon Lëvizjen Bashkë që të ketë vëzhgues: S’janë palë interesi! Qori e ankimon në KAS (DOKUMENTI)

1749629492_rinumeriminekas.JPG

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e lejon Lëvizjen Bashkë që të ketë vëzhgues në procesin e rinumërimit që do të nisë nesër (18 qershor) me Tiranën, për të vijuar më tej me Fierin dhe Durrësin.

Ka qenë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi që ka marrë vendimin, me argumentet se subjekti politik nuk ka interes të ligjshëm.

Gazetarja Esiona Konomi informon se janë lejuar vëzhgues vetëm nga PS, PD, Mundësia dhe Shqipëria Bëhet, që janë palë interesi në këtë proces.

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, pas këtij refuzimi mësohet se është ankuar në KAS, përmes kësaj shkrese dhe kërkon që të jetë prezent në procesin e rinimërimit që do zhvillohet në pallatin e sportit “Farie Hoti” në Tiranë.

Ora 14:44
Hapja e kutive në Elbasan, deputeti i zgjedhur i PD: Mungojnë 2 fletë votimi, dolën provat e ‘trenit bullgar’

Ndërsa po vijon verifikimi i 94 kutive për Gramshin dhe Peqinin, ndërsa Partia Demokratike vijon me akuzat e saj se ka pasur manipulim të procesit zgjedhor.

I pari në proces ka hyrë Gramshi, teksa përfaqësuesi i PD-së që vëzhgon nga afër procesin, deputeti i zgjedhur më 11 maj, Blendi Himçi, ngriti përsëri pretendime për parregullsi në proces, mosrakordim te materialet zgjedhore dhe fletët e votimit, duke i qëndruar edhe kauzës së selisë blu për “tren bullgar”, edhe pse zyrtarisht KQZ dhe Policia ia kanë rrëzuar.

“Jemi në kuadër të 48 kutive, 24 janë hapur dhe janë në proces 24 të tjera. Ka pasur probleme në shumë kuti, qoftë tek materialet zgjedhore dhe tek kutia e fletëve të votimit. Ka mosrakordim të fletëve të votimit, ka mospërputhje të numrit të fletëvë të votimti të papërdorura, në repsekt me procesverbalin 08. Ka problematika sa i përkekt pjesëve lidhur me procesverbalin që ka mbajtur grupi i numërimit me fletët e votimit, se sa gjenden në kuti. Ka probleme me kodet e sigurisë së vulave që nuk rakordojnë. Në Gramsh është një kuti me 3 vula dhe jo me 4. Në QV 2253 ka minus 2 vota. Se ku kanë ikur vulat ne nuk e dimë. Ka votuar një person që nuk e ka pasur emrin fare në listën e votuesve. Jemi bindur për trenin bullgar”, tha Himçi mes të tjerash në pretendimet e tij.

Ai i qëndron tezës dhe kauzës për trenin bullgar në dyshimet që kanë dhe thotë se qëndrimet do mbahen nga partia pasi të pëfundojë ky proces.

“Ne jemi duke çmuar këto dy KZAZ, Gramsh dhe Peqin, ku rezultati i PD ka qenë shumë i dobët. Jemi nisur mbi bazën e disa indiceve apo pamjeve filmike që kemi konstatuar në qendrat e votimit, përmes trenit bullgar, votimi familjar, ndihmesa që ka bërë komisioneri në mënyrë si votuesit, duke i diktuar votën ose duke ia plotësuar votën. Këto na bënë që të shkojmë drejt rivlerësimit të kutive të materialeve zgjedhore dhe të kutive të votimit. Kjo gjë është duke e vlerësuar nga ana jonë. Do presim të gjitha shkeljet për këto dy KZAZ dhe më pas do të mbajmë edhe qëndrimin tonë lidhur me pavlefshmërinë që mund të na dërgojë drejt pavlefshmërisë së këtyre dy KAZV-ve apo gjithë qarku”, shpjegoi Himçi procesin dhe pretendimet.

Por ai theksoi se për të gjitha parregullsitë do duhet të jenë organet hetimore që të zbardhin se çfarë ka ndodhur.

“Ne nuk jemi organ hetimor që të pyesim komisionerët, ne jemi duke përdorur instrumentet ligjorë të bazuar në Kod, mbi të cilin po ndjekim hapat procedural sa i përket shkeljeve që kanë ndodhur në çdo qendër votimi”, tha Himçi.

Ora 11:29
Hapen kutitë e Gramshit dhe Peqinit/ PD: Fletët e votimit të pavlefshme janë quajtur për PS! KAS: Jemi duke rivlerësuar provat për pavlefshmëri, s’ka rinumërim

 

Në Pallatin e Sportit "Fahrie Hoti" në Tiranë ka nisur procesi i rinumërimit. Të parat janë hapur kutitë e Gramshit dhe Peqinit, pas pretendimeve të PD për manipulim të procesit zgjedhor, edhe përmes fenomenit të trenit bullgar. Për Gramshin dhe Peqinin nuk ka rinumërim, por verfikim të kutive me materialet zgjedhore. Deputeti i zgjedhur i PD, Bledi Himçi po e ndjek nga afër procesin e hapjes së kutive dhe vijon me akuzat. Report Tv sjell këto momente debati me përfaqësues të KAS, ku pretendon se fletë votimi që janë të pavlefshme, janë numëruar për Partinë Socialsite.

Gjithsesi, përfaqësuesi i KAS i sqaron se nuk kemi të bëjmë me rinumërim, dhe se në këtë fazë numërueis nuk ka autoritetin të thotë se kjo votë është votë e parregullt, por atë e vlerëson KAS.

Himci: Kjo kuti të dalë e pavlefshme. E kemi konstatuar nga pamjet filmike dhe po e shikojmë edhe këtu, është një situatë skandaloze. Ka vetëm një vulë dhe vazhdojnë e konstatojnë si të vlefshme. Kjo s’ka vulë fare, është quajtur e vlefshme. Duhet bërë edhe korrigjimi i tabelës dhe konstatimi për pavlefshmëri të kësaj kutie. Futet një fletë bosh që ka krijuar trenin bullgar, është që kjo kuti të dalë e gjithë e pavlefshme.

Elvis Cefa, anëtar i KAS: Ne nuk shkojmë tek rinumërimi, se kjo që thua ti është rinumërim. Jemi duke rivlerësuar provat për efekt të pavlefshmërisë. Shkojmë në konstatimin e tyre që janë me mangësi formale dhe evidentimin tyre në procesverbal. Pastaj për efekt ligji, KAS ku ka numrin e fletëve të votimit të konstatojnë të parregullta në raport me numrin e fletëve të votimit të dala në kuti, vlerësojmë nëse kjo kuti ka elementë për tu shpallur e pavlefshme. Jo rinumërim. Numëruesi nuk e autoritetin me thënë që kjo është votë e parregullt, atë e vlerëson KAS, numëruesi thotë kjo fletë votimi nuk kishte këtë elementë, ishte konstatuar e rregullt, por mungojnë vulat. Ne e vlerësojmë në fund, duhet konsideruar apo jo. Në varësi të numrit të saj shkojmë te QV, më pas te zona zgjedhore.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?