Hapet tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e 2500 banesave në 10 bashki pas tërmetit tragjik

10 Mars 2020, 17:46| Përditesimi: 10 Mars 2020, 18:20

  • Share

Pas miratimit në qeveri të projekteve për ndërtimin e banesave individuale për familjet e mbetura pa shtëpi si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur këtë të martë tenderin e parë për rindërtimin e banesave individuale.

Në Agjencinë e Prokurimeve Publike është hapur tenderi ndërkombëtar për Rindërtimin e shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti (në kuadër te procesit te rindërtimit) me një fond limit prej 42.4 milionë eurosh ose rreth 6.2 miliardë lekësh me TVSH. Sipas dokumenteve zyrtare kohëzgjatja për zbatimin dhe ekzekutimin e kontratës do të jetë 24 muaj, ndërkohë marrëveshjet kuadër, që do të lidhen sipas kërkesave të Autoriteteve vendore mund të zgjasin edhe deri në 4 vite. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është 19 marsi 2020.

Kjo kontratë përfshin rindërtimin e shtëpive individuale sipas projekteve model (1+1, 1+2, 1+3) në territorin e bashkive Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është parashikuar të ndërtojë me këtë fond 2500 njësi banimi individuale, të cilat ndahen në 683 banesa 1+1, 972 banesa 2+1 dhe 845 banesa 3+1. Ndërsa pjesa tjetër prej 889 banesash pritet të ndërtohen nga fondi i përcaktuar për bashkinë e Tiranës.

Vlera prej 6.2 miliardë lekësh që administrohet nga FSHZH është siguruar nga Fondi i Rindërtimit në Buxhetin e shtetit. Ofertat e bëra do të vlerësohen për kapacitetet teknike, kushtet ligjore, si dhe ofertën ekonomike. 3400 banesat individuale që do të ndërtohen do të jenë rezistente ndaj tërmeteve deri në 9 ballë, ato janë të projektuara që të kenë një kosto financiare të ulët ndërtimi dhe të kenë eficiensë energjie. Deri më tani sipas informacioneve me një banesë të tillë çdo familje do të kursejë 150 mijë lekë në vit, nga energjia elektrike.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?