Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me rastin e 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut deklaroi se Kosova duhet të jap kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, SHBA-të.
Ai e ka cilësuar masakrën si një akt ç'njerëzor që tronditi mbarë botën demokratike.
“Para 25 vitesh, një akt ç'njerëzor tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetërore ushtarake serbe kreu në Kosovë. Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”, tha Haradinaj.
Po ashtu Haradinaj ka shtuar se ata që u flijuan u bënë themel i lirisë së Kosovës.
“Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me respekt të thellë do të kujtojmë gjithmonë ata që me flijimin e tyre u bënë themelet e lirisë sonë”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se Kosova duhet të jap kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të.
“Mirënjohës përjetë Ambasadorit amerikan, William Walker, që e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit. Në të njëjtën kohë, falenderojmë Amerikën e cila ishte krah nesh në të gjitha periudhat historike. Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, theksohet nevoja për stabilitet dhe më shumë paqe në rajon e botë. Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj duke qenë në rresht si anëtare e NATO-s së udhëhequr nga miqtë tanë, ShBA-të”, tha Haradinaj.
Lajmi kryesor:
Sot 25 vite nga Masakra e Reçakut! Kurti e Osmani kërkojnë drejtësi: 45 shqiptarë u vranë në mënyrë brutale, Serbia mohon masakrën
S.S/ReportTv.al