Kreu i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Maksim Haxhia në një intervistë për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta ka bërë me dije se bojkoti po funksionon në të gjitha gjykatat në rang vendi. Ai tha se me zvogëlimin e numrit të gjykatave do të rritet vetëgjyqësia.
"Të gjithë anëtarët e dhomës të Avokatisë janë këtu, ne ishim të bindur për këtë, po thjesht bëmë një inspektim dhe nuk ka asnjë avokat në Gjykatat. Mund të rritet vetëgjyqësia me eleminimin e gjykatave. Çështjet që janë me afat dhe masat e sigurie nuk do jenë objekt i bojkotit", tha Haxhia.
Një përgjigje ka pasur edhe për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja i cili tha se janë reflektuar kërkesat e avokatëve.
"Manja nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes është në fazën e dytë ku do ia përcjellë qeverisë dhe duke analizuar se kryesorja është e faturës financiare se këtu ka përgjegjësi qeveria dhe ne nuk jemi kundër qeverisë, por kundër vendimit që ka marrë KLGJ, qëllimi i dytë është që t'i transmetohet Manjas ato problematika nga pikëpamja juridike dhe sociale, është bërë vetëm , që Gjykata e Sarandës do të jetë përsëri në Sarandë nuk do jetë e aplikueshme në Gjykatën e shkallës së parë në Gjirokastër", u shpreh Haxhia.
Haxhia ka bërë me dije se duhen të paktën 3 Gjykata të Apelit, teksa ka bindjen se qeveria do të reflektojë.
"Duheshin minimumi 3 Apele, për 1 është e papërballueshme. Kallashët nuk i marrim dot kundër vendimit se jemi juristë, por kemi bindje të plotë që qeveria do i marrë në konsideratë se janë në ë mirën e qeverisë dhe politikës", u shpreh avokati.
Ai ka bërë me dije se deri më tani nuk është menduar për të shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese.
"Po e studiojmë, por deri tani na rezulton se nuk ka vend për përballje gjyqësore", tha Haxhia.
Nga ana tjetër, avokati Ferdinand Doja tha se kjo nuk është një kaprico e avokatëve, teksa shtoi se pasi të përfundojnë 4 ditët e bojkotit, do të mblidhen sërish për të marrë se çfarë do të vendoset.
"Nuk është kaprico e avokatëve, për sa kohë është një vendimmarrje e Këshillit Drejtues të avokatëve. Mbasi të mbarojnë këto 4 ditë bojkot, do të mblidhemi prap që të analizojë, çfarë reagimi pati, dhe më bazë të saj do të vendosim", tha avokati Ferdinand Doja.
Lajmi kryesor:
Harta e re gjyqësore, 'paralizohet' drejtësia! Shtyhen rreth 800 seanca në të gjithë vendin! Haxhia: Bojkoti po funksionon
B.K.//ReportTv.al